(2L ONLINE) – Na ka rastësisë të dëgjojmë deklarime ekstreme në skajmëri, të ndonjë përfaqësuesi të një vendi, ndaj një vendi tjetër që e konsideron armiqësor, edhe me fjalët se “Do ta fshijmë nga harta”, duke aluduar kështu edhe në përdorimin e forcës për arritjen e këtij qëllimi. Por, te ne shqiptarët ndodh që paqësisht, ‘të fshihet nga harta”, ndonjë vend, dhe për më tepër, ajo hartë edhe të përdorët në shkollat tona, për t’i transmetuar “dijen” nxënësve edhe me ndihmën e saj.
Ka vite që në shkollat tona, fillore e të mesme, përdoret harta, (e botuar në Shqipëri), që njihet si harta e trojeve kombëtar, e që në të, nuk figuron Ulqini. Ka kohë që kjo e irriton pa masë edhe mësimdhënësin e gjeografisë Ismet Azizi, që punon në shkollën fillore dhe të mesme të ultë “Abaz Ajeti” në Gjilan.
Mësimdhënësi Ismet Azizi sqaron për Portalin 2L ONLINE, se bëhet fjalë për hartën që njihet si harta e trojeve shqiptare, që përdoret zyrtarisht në shkollat tona si hartë e murit dhe e cila ka defekte, por se më skandalozja është se në të mungon Ulqini, qytet shqiptar në Mal të Zi.
Si duket, kjo nuk ja vret askujt syrin sepse vazhdon të përdoret akoma. Edhe vet Azizi e përdor një hartë të tillë, por thotë se sa herë e përdorë, ua sqaron nxënësve për këtë defekt dhe mungesën e të shënjuarit në hartë të qytetit të Ulqinit.
Dhe, derisa sa shpjegohet edhe për copëtimin e trojeve shqiptare, ose për atë se si ulqinakët luftuan kudër ushtrive të huaja, për të mos u zhbërë, dikush lehtësisht e zhbënë nga harta dhe askush nuk e merr mundin ta riparojë këtë dhe zyrtarisht në shkolla të kemi hartë të mirëfilltë, së paku jo me defekte të tilla për skandal.
Përndryshe, në këtë foto shihet mësimdhënësi Ismet Azizi pikërisht duke e vënë në pah këtë defekt para kolegëve të tij.
“Kjo hartë e ka një defekt i cili nuk falet, pasi, merreni me mend, në të nuk figuron Ulqini një ndër qytetet më të rëndësishme shqiptare”, thotë Azizi dhe pret që njerëzit kompetentë për këtë të marrin masa dhe të reagojnë menjëherë e të mos vazhdohet me këtë marre. /2L ONLINE/