/2L ONLINE/ – Qytetarët gjilanas që kanë kërkuar shërbime këto ditë nga Administrata e Gjilanit, për të nxjerrë certifikata, janë ballafaquar me faktin se atë dokument e kanë marr kopje ( në letër të thjeshtë) dhe ka edhe prej tyre që kanë ngreh dozën e shqetësimit në lidhje me këtë. Por, drejtues të Administratës kanë apeluar tek qytetarë që të mos shqetësohen sepse ato janë valide nëse kërkohen për nevoja që i ka qytetari përbrenda kufijve të vendit. Ndërkohë që për të gjithë ata që ky dokument iu nevojitet për nevoja ndërkombëtare apo për punë në ambasada, ata do të marrin certifikata origjinale.
Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë së Administratë së Përgjithshme të Gjilanit, ka bërë me dije për Portalin 2L ONLINE, se kanë filluar të lëshojnë edhe certifikata kopje (në letër të thjeshtë), por se ato i kanë të gjitha atributet dhe se janë plotësisht valide, kur përdoren për nevoja brenda vendit dhe se qytetarët nuk duhet të shqetësohen fare. Ai ka bërë me dije se është udhëzimi i lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, që lejon këtë dhe se të gjithë qytetarët që pajisen me këtë dokument nuk duhet të shqetësohen pasi me të mund të kryejnë punë pa problem kudo brenda territorit të vendit. Por, nëse certifikata iu nevojitet për ambasada, apo për punë jashtë vendit atëherë atyre lëshohet certifikata origjinale.
Përndryshe, në të kaluarën, edhe Komuna e Gjilanit sikurse pothuajse çdo komunë tjetër ishte ballafaquar me mungesë të certifikatave dhe se si duket kjo është parë si zgjidhje e momentit, apo ndoshta si arsyetim për Agjencionin për Regjistrim Civil, për shkak të mungesës së certifikatave, por në një anë tjetër, me këtë hap edhe ulet kostoja e shpenzimeve.
Përndryshe, drejtori i Administratës Nazim Gagica bëri me dije për memorandumin e nënshkruar mes Ministrisë së Diasporës dhe Komunave, duke përfshirë edhe atë të Gjilanit, që tani me rastin e ardhjes së bashkatdhetarëve, administratat të rrisin orarin e punës për 2 orë, por të punojnë edhe të shtunave, dhe se në këtë drejtim u tha se Gjilani është i gatshëm. Megjithëse, siç thotë Gagica, ndoshta nuk do të ketë nevojë fare për këtë, sepse bazuar në vitin e kaluar, nuk kishte nevojë për një gjë ët tillë, pasi kanë përballuar fluksin me plotë sukses edhe përgjatë orarit të tanishëm, pra pa pasur nevojë të zgjasin orarin e punës. /2L ONLINE/