Situata me pandeminë Covid 19, në komunën e Vitisë është e manaxhueshme dhe kemi rënie të numrit të të infektuarëve.
Kështu u vlerësua situata aktuale pandemike nga Këshilli Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Viti.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka theksuar se momentalisht situata është nën kontroll dhe janë 43 raste aktive aktualisht.
Ai poashtu bëri të ditur se është duke vazhduar me dezinfektim në ato lokalitete ku paraqitet nevoja, ndërkohë që ka falenderuar qytetarët për kujdesin që po tregojnë në parandalimin e përhapjes së virusit.
Komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili, u shpreh se muaji janar, konsiderohet si shumë i mirë në aspektin e sigurisë, por edhe sa i përket zbatimit të masave anti covid, policia është e kënaqur.
“Jemi në zonën e gjelbërt dhe duhet angazhim i të gjitha instancave, së bashku edhe me përkujdesjen qytetare, që ta ruajmë këtë situatë e të mos lejojmë përhapjen e virusit Covid 19”, tha kapiteni Halili.
Sa i përket fushatës zgjedhore e cila zyrtarisht nis nesër, kapiteni Halili tha se jemi duke vëzhguar tubimet dhe nuk do të lejohen ato tubime me masë më të madhe se që parashihet në vendimin e masave anti covid.
Në këtë mbledhje të KKMSH-së, u apelua që në ditët në vazhdim, të shtohet kujdesi dhe të zbatohen masat që janë në fuqi për parandalimin e përhapjes së virusit, posaçërisht në periudhën kur po fillon fushata zgjedhore.
Gjithashtu, i’u bë kërkesë partive politike që të jenë të vëmendshme në organizimin e tubimeve dhe të mos tejkalojn numrin e pjesmarrësve, konform vendimit të Qeverisë dhe IKSHP-së./2LONLINE.com/