DYLON

Situata e sigurisë sipas KMDLNJ-së vetëm sa është duke u tensionuar

Avatar photo Redaksia

Situata e sigurisë në Kosovë, sipas KMDLNJ-së vetëm sa është duke u tensionuar. “Fillimisht si cak i sulmit të personave të panjohur por mirë të organizuar ishin veturat zyrtare të cilat dëmtoheshin me kubëza guri apo iu vihej flaka. Pastaj u bënë cak i sulmeve edhe veturat private të personave që janë pjesë e politikës apo anëtarëve të familjeve të tyre që nënkupton se sulmohej edhe prona publike sikur edhe ajo private.
Nëse mbështetemi në të dhënat e sulmeve të deritashme , qoftë ndaj individëve apo pronave të tyre atëherë del se këto sulme janë të motivuara politikisht porse burimi mbetet i panjohur. Në një mjedis skajshmërisht jotolerant politikisht këto sulme mund të shkaktojnë pasoja të paparashikueshme dhe KMDLNj shpreh shqetësim se , përkundër intensifikimit të këtyre sulmeve, autorët nuk po kapen dhe po mbesin të pandëshkuar.

Rasti i fundit ishte përpjekja për djegien e veturës private të Adem Grabovcit, shef i grupit parlamentar të PDK – së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës. KMDLNj e dënon dëmtimin e veturës së z. Grabovci si akt kriminal dhe kërkon përkushtim më të madh të organeve të hetuesisë në kapjen e autorëve dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë ndryshe kaosi dhe frika për qytetarët e Kosovës vetëm sa do të rritet dhe qëllimi i këtyre grupaconeve terroriste do të arrihet.

EkoHigjiena

KMDLNj shfaq shqetësim se moskapja e këtyre që po e dëmtojnë pronën publike dhe private mund të jetë shumë e rrezikshme aq më parë që këta sulmues mund të rrezikojnë nesër jetët e njerëzve.

KMDLNj fton të gjitha subjektet politike të angazhohen për shtensionimin e situatës sepse vet kanë kontribuar në përshkallëzimin e situatës e cila dita – ditës po bëhet më e rrezikshme. Në një mjedis anarkie dhe kaosi të gjitha grupet ekstremiste kërkojnë dhe gjejnë hapësirë për veprim rrënues gjë që lehtë mund të ndodhë në Kosovë.

Kujt po i konvenon kjo situatë në Kosovë dhe kush dëshiron të përfitojë nga kjo situatë ? Në këto zhvillime humbësit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës prandaj ata duhet të mobilizohen dhe ta kundërshtojnë dhunën përmes protestave dhe demostratave kundër dhunës.

Kapja e atyre që e dëmtuan veturën e deputetit Grabovci dhe sulmeve të tjera mund të kontribuojë në parandalimin e sulmeve tjera dhe rikthimin e qetësisë. Nëse nuk është në pyetje një skenar tjetër.

KMDLNj kërkon gjithashtu përmbajtje nga subjektet politike që po sulmohen duke mos e adresuar përgjegjësinë ende pa përfunduar hetimet sepse po e paragjykojnë fajësinë dhe fajtorët”, thekson KMLDNJ.

http://www.rtklive.com/?id=2&r=61286

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.