DYLON

Sistemi zgjedhor që prodhon deputetë pa përfaqësim!

Sistemi zgjedhor që prodhon deputetë pa përfaqësim!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Murat Mustafa

Si po vidhet kuptimi i votës?

EkoHigjiena

Ky sistem zgjedhor dhe mënyra aktuale e votimit të kandidatëve për deputetë është thellësisht problematike dhe prodhon padrejtësi serioze në përfaqësim. Në praktikë, ai nuk shpërblen meritën, përgjegjësinë apo lidhjen reale të deputetit me votuesin, por manipulon vullnetin qytetar përmes emrave të mëdhenj partiakë.

Sistemi aktual lejon që kandidatë pa peshë reale politike, pa integritet personal dhe pa kontribut konkret për qytetarët, të marrin dhjetëra mijëra vota, vetëm sepse janë rreshtuar pas një lideri partiak. Vota nuk shkon për individin, por për hijen e kryetarit. Kjo është deformim i pastër i demokracisë.

Shembujt janë të qartë dhe të njohur për opinionin publik:

Kandidatë që marrin mbi 100 mijë vota jo për shkak të personalitetit, vizionit apo punës së tyre, por sepse mbajnë mbiemrin politik të Albin Kurtit.

Deputetë që marrin vota në komuna me të cilat nuk kanë asnjë lidhje reale, si rasti kur figura të caktuara përfitojnë vota në Gjilan, jo pse qytetarët i duan apo i njohin, por sepse janë pjesë e një liste partiake të favorizuar.

Kjo e shndërron deputetin në produkt partie, jo në përfaqësues të popullit.

Deputeti nuk i përgjigjet qytetarit, por shefit partiak që ia ka garantuar vendin në listë. Kjo është arsyeja pse Kuvendi është i mbushur me njerëz të heshtur, servilë dhe të paaftë për të mbrojtur interesin publik.

Zgjidhja është e qartë dhe urgjente: Kosova duhet të ndahet në 7 zona zgjedhore.

Në secilën zonë, qytetari duhet të ketë të drejtë të votojë vetëm një kandidat.

Kandidati duhet të jetë realisht i lidhur me zonën që përfaqëson dhe të mbajë përgjegjësi direkte para votuesve të asaj zone.

Kjo do të rikthente logjikën e përfaqësimit. Kush nuk punon për zonën e vet, nuk zgjidhet. Ai/ajo, që nuk ka personalitet, integritet dhe kredibilitet, nuk fshihet më pas liderit partiak. Deputetët duhet ta dinë saktë kush e ka votuar dhe kujt i jep llogari.

Pa këtë reformë, zgjedhjet do të vazhdojnë të jenë garë logosh dhe emrash të mëdhenj, ndërsa Kuvendi do të mbetet strehë e analfabetëve dhe injorantëve politik.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk është luks, por domosdoshmëri për demokraci funksionale dhe përfaqësim real.

Ky ndryshim duhet të jetë i menjëhershëm.  /2LONLINE/