DYLON

“Sistemi” i Lubonjës!

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Zejnullah Jakupi

(2L ONLINE) – Çfarë është “sistemi” i Lubonjës? Në esenë e fundit z. Lubonja spikati këtë problematikë me shembuj nga përditshmëria politike në Shqipëri. Me ketë rast ai nuk e sqaroi nocionin e sistemit, sipas konceptit sociologjik, por u mor me arsyetimin hipotetik se nuk “është e lehtë të japësh një përgjigje që do ta përkufizonte me kufij dhe trajtë të qartë atë që e quajmë “sistem”. Duke kërkuar një botëkuptim sqarues nuk u ndal as “në akuzat marksiste se e keqja është sistemi kapitalist i pronës private”, por as nuk shpjegoi më tej, si t´i shpjegojmë në mënyrë shkencore defektet e sistemit në shoqërinë shqiptare. Sistemi është sistem, varësisht interpretimit ideologjik, nëse është kapitalist apo socialist. Madje, Shqipëria këtë sistem ka, kapitalist dhe nuk po funksion si duhet, sepse aktorët e tij politikë mundohen ta bastardojnë atë, në çdo hap. Lubonja e tregoi se si funksionojnë institucionet shtetërore dhe publike, si ecën ekonomia, politika, kultura, opinioni publik-media në Shqipëri.

EkoHigjiena

Si duhet të jetë sistemi ose si dëshiron ta shoh Fatos Lubonja “sistemin”? S´pari, sistemi i Lubonjës është sistem prej letre dhe i brishtë. Këtë model e kanë kopjuar gabimisht shqiptarët, si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë. Bazamenti i sistemit janë strukturat e tija. Brenda këtij areali politik e institucional nuk kryhet funksioni si duhet, ashtu siç i kërkon kondita e strukturës. Defektet; zyrtari lejon të korruptohet edhe pse ligji nuk e lejon. Zyrtari nuk punon me përkushtim, me veprimin e tij e shkatërron gjegjësisht e dobëson strukturën ose strukturat e sistemit.

Pse shoqëria shqiptare është e dobët e korruptuar dhe jo funksionale?

I kujt është faji? A është tek njerëzit që vjedhin e që kanë synim ta dobësojnë sistemin, pavarësisht nëse janë pjesë e strukturës apo jo, apo duhet ti llogarisim vetëm ata që janë pjesë të institucioneve si strukturë sociale. Lubonja i fut gjithë në një thes, zyrtarin dhe njeriun e thjesht dhe kështu bëhen gjithë “një rrjet kriminal”. Elementet e tilla, siç shprehet ai, “ mbajnë në këmbë edhe ngrehinën e pushtetit të Kryeminstrit (…) (ata) që kontrollojnë njëherësh pushtetin politik, atë ekonomik, atë mediatik, atë gjyqësor – gjithçka në këtë vend. Janë ata që duke mos qenë në gjendje të ngrenë një ekonomi të ndershme, futen në politikë/sistem dhe i shfrytëzojnë institucionet e kapura prej tyre për t’u pasuruar në mënyrën më të pandershme: duke grabitur pronën publike. Për mua, thotë Lubonja, ky është sistemi që fillon, që me mënyrën se si janë ndërtuar partitë politike: (si kompani biznesi privat) e mbaron tek njeriu i thjeshtë që nuk mund të mbijetojë pa bashkëpunuar në një mënyrë a në një tjetër me këtë sistem”.

Siç shihet Lubonja e gjen fajtorin, por nuk mund ta ndaj nga masa, ata janë shumë… prandaj i duhet ta dërgojë në burg gjithë sistemin. Unë mendoj se kjo është e pamundur! Të fillojmë pra ti fusim në burg vetëm strukturat që janë në institucione e që pranojnë të korruptohen. Kjo duhet të jetë zgjidhja. Pastaj duhet filluar hulumtimin e shkakut. Tek më pas të fillohet me ndërtimin e strukturave ideale. Çdo zyrtar, çoftë ai (aktori) politikë apo zyrtari i zakonshëm duhet të jetë një burokrat i vërtet, ai nuk ka subjektivitet por është hallkë e sistemit, i bindet sistemit dhe jo aktorëve a tekeve subjektive të personaliteteve dhe nuk korruptohet.

Si e shpjegojnë këtë fenomen sociologët Talcot Parsons dhe Niklas Luhmann?

Gjithashtu sistemi i Lubonjës ka shumë pak të ngjarë me atë të Talcott Parsons i cili i vuri bazat e sistemit të shoqërisë amerikane. Shoqëria moderne sipas Parsons është e konceptuar në sisteme sociale(1976). Struktura mundëson kryerjen e një funksioni. Pasuesi i teorisë së sistemeve sociale Niklas Luhman do ta vinte të kundërtën, funksionin në shërbim të strukturave. Duke u mbështetur në shoqërinë amerikane të viteve 60-70 Parsons zhvilloi shemën e AGIL-it, përmes të cilës strukturonte hierarkinë e sistemeve sociale. A- do të thotë përshtatje (Adaption) me të cilin e definonte sistemin ekonomik, me G(goal- Attainment- rendiste politikën), I-Integration shoqërinë dhe L-Latent pattern maintenance vendoste sistemin e normave, vlerave kulturore, gjegjësisht sistemin kulturor. Secili sistem gjegjësisht nënsistem duhet te jetë i pavarur dhe të kryej funksionin e tij. Autonomia e tyre është një varshmëri gjysmë e hapur(Luhmann). Fija që i lidhë ato janë “mediet e gjeneralizuar”. Tek Parsons paraja është “mediumi i gjeneralizuar” i cila i lidh sistemet mes veti. Tek Luhmann nuk është më vetëm paraja, por edhe atribute tjera si pushteti, dashuria, drejtësia, informacioni që mundëson funksionimin e sisteme e nënsistemeve sociale, të cilat prodhohen dhe riprodhohen nga elementet e tyre (autopoesis).

Media si subsistem i opinionit

Deri sa për Lubonjën media në Shqipëri ndihmon pushtetarët e bosët të mbajnë në këmbë dhe ngrehinën e pushtetit të tyre, në shtetet perëndimore media ka funksion të informimit, bënë lidhjen mes sistemeve, mbetet në masë solide e pavarur në kuptimin e ndikimit ose të subordinimit. Gazetaria si subsistem i shoqërisë, do të thotë(Manfred Rühl 1980) i pavarur ndaj sistemit të ambientit/publikut, duke inkorporuar hierkinë e brendshme të organizimit, vendimmarrjes, përfilljen e vlerave dhe normave që përbëjnë pragmatizmin e veprimit. Pikëvështrimi i tillë përbën një mënyrë të përshkrimit kompleks të medieve në relacion me sistemet tjera duke inkorporuar edhe sistemin personal të individid, i cili është i inkorporuar brenda sistemit si hallkë e pandashme e tij. Perspektiva makro-sociale i kupton gazetarët si elemente të sistemit të cilët veprojnë në funksion të përmbushjes së rolit të caktuar nga mediumi. Gazetari idealist ashtu si politikani apo zyrtari i administratës duhet të jetë një burokrat i mirëfilltë, do i shërbente vetëm sistemit, në këtë rast, komunikimit dhe interesit publik, në funksion të informimit, kontrollit dhe kritikës kundrejt sistemeve tjera. Teoria e sistemeve sociale ka megjithatë edhe pika kritike, për këtë herëve tjera! /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.