Sistemi i deformuar ose sistemi para kolapsit
Shkruan: Zejnullah Jakupi
/2L ONLINE/ – Gjithë këto skandale, dështime institucionale po ndodhin pikërisht,jo se ka ca ose më shumë njerëz jo human në këtë shoqëri, por përgjegjëse është sistemi i deformuar. Elita jonë qeveritare e cila i punësoj( i ndërtoj strukturat e brishta të shtetit dhe gjithë shoqërisë duke u mbështetur në familjarizim dhe klane) e solli funksionimin e shtetit buzë greminës. E çfarë është vallë ky sistem i brishtë, pse po dështojnë strukturat e saja?
Në këto rrethana vetëkuptohet se brenda këtij areali politik e institucional njerëzit nuk punojnë me përkushtim. Brenda këtyre strukturave zyrtari ka mësuar të mos e zbatojnë ligjin, prandaj sjellja e tij e deformon sistemin dhe lejon të korruptohet lehtë. Kjo sipas shpjegimit sociologjik të T. Parsons, N. Luhmann M. Weber ndodh për faktin se sistemi në rastet tilla nuk ka një shkallë të merituar burokratike.
Brenda kornizës së brishte as profesioni si ministër, zyrtar, mjek, jurist, gazetar nuk gëzon autonominë e tij. Elementi i strukturës dështon ta kryej funksionin dhe nuk mund të dal nga rrethi korruptues. Struktura deformohet nga themeli. Në këto rrethana funksioni i sistemit mirëmbahet nga vet-prodhimi i elementeve të vet sistemit(N.Luhmann).
Pra, sistemi ose qeverisja e deri tanishme ka qenë deri diku edhe vazhdim i strukturave para tij që nga viti 1999 e nuk ka krijuar element të forta, por ka prodhuar një pseudo-strukturë. Në këtë nivel shkalla e burokratizimit të institucioneve ka qenë e dobët dhe vazhdon të mbetet si e tillë. Sistemi gjithashtu nuk ka patur një shkallë të diferencuar dhe komplekse, siç e kanë ketë shoqëritë moderne.
Gjendja është alarmuese; ose sistemi ndodhet pak para kolapsit!
Nga praktikat e shtet-ndërtimit ose shtet-funksionimit, dihet se shteti bëhet ose mirëmbahet nëse ka institucione të forta, një administratë dhe institucionet e mirëfillta e të pa korruptuara. Shoqëria funksionon ngjashëm si një organizëm human. Për ta ilustruar këtë ide me dy shembuj, po e krahasojmë sistemin shoqëror me trupin e njeriut ose, me një makinë(automjet komunikacioni).
Po që se njeriu ka një sëmundje, pra nëse nuk i funksionon një organ, ai ndihet keq, e me këtë i gjithë trupi dobësohet dhe bëhet jo funksional. Po ashtu në shembullin e dytë. Motori bashkë me elemente e tij e vejnë në lëvizje makinën. Po nuk funksionoj një pjesë e tyre dështon funksioni i tërë sistemit ose kufizohet dukshëm efikasiteti i tij.
Nëse pyesim, në raste të tilla, pse në Kosovë nuk funksionojnë institucionet si duhet, ose pse nuk kemi mjekë, gazetarë, politikanë, juristë, ekonomistë të mirë, përgjigja duhet kërkuar tek ndërtimi i strukturës. Mbase struktura institucionale është ndërtuar gabimisht. Këtë mund ta ilustrojmë me një shembull tjetër në fushën e mjekësisë: Sistemi mjekësor si ai arsimor, media, gjyqësor etj vet-prodhohet nga elementët e saj(N. Luhmann).
Punësimi i një mjeku nuk bëhet në bazë të meritave që ka, pra vërtet të përzgjidhet sipas kritereve që të kryej funksionin shoqëror që ja beson shoqëria. Përzgjedhja dështon nga fillimi. Sepse, kur dikush aplikon për një vend të punës, po e zëmë edhe sikur të vije mjeku më profesionist që ekziston në botë, (kështu do vlente edhe për profesionet tjera), nuk mund të përzgjidhet ose të punësohet fare nëse ai që rekruton personelin në QKUK është idiot militantë e bashibozuk.
Pra, analfabeti sjell analfabetin, shoku afron shokun(sistemi riprodhohet nga elementët e saj). Në raste tjera ose edhe më keq ndërtimi i strukturës dështon për faktin se këtu nuk përfillet ideologjia profesionale por ajo informale. Përzgjedhja në poste bëhet vetëm me preferenca partiake, familjare, d.m.th. punësohen militantet partiak dhe persona që qëndrojnë në lidhje familjare ose edhe më keq, punësimi kryhet me dhënie të ryshfetit e pa përfillur fare kriteret relevante.
Kjo anomali po ndodh në gjitha institucionet, si në qeveri(ministri), borde të ndërmarrjeve publike, në spitale, në përfaqësi diplomatike etj. Një strukturë e tillë që u ndërtua gjithë këto vite dhe u miratua nga partia ose partitë në pushtet, që në start ishin të dënuar të dështojnë.
Duke qenë vetvetiu e deformuar struktura në fjalë ajo me mentalitetin e saj zëvendësoi autoritetin me bajraktarizëm. Elementi i tillë struktural pastaj u bë pjesë e trekëndëshit manipulues, kontribuoi që të rritet shteti financiar në hije, të shtohet pushteti diktatorial i cili ndërkohë shton terrorin, mashtrimin dhe krimin ekonomik.
Mashtrimi, korrupsioni madje, edhe nëse sipërfaqësisht elita politike aludon për administratë profesionale, fenomenet degraduese bëhen normë shoqërore. Summa summarum, me ketë rast, mund të flasim për sistemin e deformuar shoqëror. Me këto dispozita strukturale të një sistemi të deformuar nuk mund të ketë integrim në BE dhe në strukturat Veri-Atlantike. Në këtë fazë strukturat janë të ndryshkura e duke qenë të atilla ato nuk lejojnë as formim të institucioneve tjera, të reja. I tërë sistemi ndodhet para kolapsit.
“Formatimi i sistemit”dhe pranimi Kosovës në BE si rast sui generis
Nëse nuk do të ketë ndërhyrje, me emergjencë nga faktori ndërkombëtar, shteti dhe gjithë sistemi mund të bankrotojë.
Në rast të tillë nëse mendohet një riparim i strukturave, duhet të bëhet “formatimi i sistemit” nga fillimi. Duhet të ndodh pranimi Kosovës në BE si rast sui generis. E me këtë urdhrat për mbledhjen dhe bërjen e kuvendit dhe formimin e qeverisë të vijnë pasi të merret vendimi nga instanca e BE-së.
Me këtë të zgjedhurit e popullit të mos kalojnë në poste politike e institucione shtetërore pa kaluar filtrat e instaluar nga shteti dhe institucionet e mirëfillta të BE-së. Strukturat paralele informale, bandat kriminele ekonomike dhe para politike të hulumtohen dhe të eliminohen nga institucionet e shtetit.
Policia dhe gjyqësia të forcohen dhe të ndërtohen ashtu si duhet. Çdo gjyqtar dhe jurist të mos mund të emërohet pa kaluar në filtër. Gjithë sistemit shoqëror do t´i bëhej një skanim dhe rishqyrtim.
Mbase ndërtim i i strukturave të sistemit ka ndodhur pa kritere, mund të llogaritet ndërrim komplet i strukturës që i bie, ndërrim i komplet i administratës, i zyrtarëve, drejtorëve, sekretarëve permanent dhe ministrave.
Në radhën tjetër nuk duhet të rekrutohet administrata, si deri tani, sepse nëse bëhet në baza politike, familjare etj, ajo do të ndërrohet sërish, kur të vije në pushtet partia ose koalicioni tjetër. /2L ONLINE/
