DYLON

Sistemi arsimor të përfshijë seriozisht edukimin emocional dhe qytetar si lëndë thelbësore

Sistemi arsimor të përfshijë seriozisht edukimin emocional dhe qytetar si lëndë thelbësore
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Suzana Demi – Mësimdhënëse

Ngjarja e fundit që ka ndodhur në Gjilan, ku një grup vajzash të mitura (nën moshën 14 vjeçare) dhunojnë shoqen e tyre, fizikisht, psikologjikisht dhe publikisht është shumë më tepër se një akt dhune.

EkoHigjiena

Është pasqyrë e një dështimi shumë më të thellë: dështimi i shkollës, i prindërimit dhe i shoqërisë në përgjithësi.

Ky nuk është vetëm një rast që duhet ndëshkuar ligjërisht. Është një alarm që duhet të zgjojë çdo prind, mësues, drejtor shkolle, zyrtar të arsimit, psikolog, sociolog e qytetar të ndërgjegjshëm.

Shkollat tona janë shndërruar në institucione që më shumë matin nota, se sa ndërtojnë karaktere. Edukimi emocional, social, etik dhe qytetar është lënë në harresë, ndërkohë që fëmijët rriten pa asnjë filtër për sjelljen, ndjenjat dhe pasojat.

Mësimdhënësit, të stërngarkuar e shpesh të nënvlerësuar, nuk janë trajnuar dhe mbështetur për të përballuar raste të tilla. Ndërkohë që dhuna zhvillohet në oborr të shkollës, në klasë, në rrjete sociale, sistemi arsimor vazhdon të funksionojë sikur asgjë nuk po ndodh.

Prindërimi tani si duket më nuk është as edukim e as përgjegjësi!!

Shumë nga të miturit dhunues, në fakt, janë produkte të familjeve ku mungon edukata, dashuria, por edhe disiplina.

Shumë prindër ose nuk e njohin jetën e fëmijës së tyre, ose zgjedhin të mbyllin sytë nga sjelljet problematike. Dhe ç’është më e keqja madje që shumica prej tyre i mbrojnë dhe i justifikojnë, duke u bërë pjesë e problemit.

Të jesh prind nuk do të thotë vetëm të ushqesh dhe të veshësh një fëmijë. Do të thotë ta udhëzosh, ta edukosh dhe ta vendosësh përballë pasojave të sjelljes së vet. Kur prindi dështon, fëmija e kërkon drejtimin diku tjetër dhe shpesh e gjen në rrugë, tek rrjetet sociale, apo te modelet e gabuara që glorifikojnë dhunën.

TikTok, Instagram, Facebook: shkolla e re e dhunës dhe poshtërimit publik!!!

Nuk mjafton të flasim për dhunën pa e përmendur kontekstin ku ajo shfaqet: rrjetet sociale. Në këtë rast, dhuna jo vetëm që u ushtrua, por u filmua, u shpërnda dhe u konsumua nga mijëra njerëz si një reality show i neveritshëm.

Për vajzat që kryen aktin, dhuna u bë një performancë. Ato nuk po kërkonin drejtësi, nuk po e njihnin fajin, por si duket po kërkonin shikime, pëlqime dhe famë.

Eh, kjo është edhe më tragjike se vetë akti!!

Po rrisim fëmijë që nuk ndiejnë më as turp as ndjeshmëri, por që ndihen të fuqishëm kur poshtërojnë tjetrin në publik.

Kush është përgjegjës? Të gjithë.

Prindërit që nuk rrisin, nuk vëzhgojnë dhe nuk udhëzojnë.

Mësuesit dhe shkolla që nuk edukojnë, por vetëm vlerësojnë.

Shoqëria që sheh, komenton nja dy a tri ditë dhe heshtë, harron.

Institucionet që ndonjëherë i mbulojnë rastet ose ulin zërin për të ruajtur “imazhin”.

Të miturat që kanë ushtruar dhunë janë përgjegjëse. Por edhe më shumë janë përgjegjës të rriturit që kanë dështuar t’i formojnë.

Të veprojmë sa më parë!!

Sistemi arsimor të përfshijë seriozisht edukimin emocional dhe qytetar si lëndë thelbësore.

Na duhet një program i rregullt bashkëpunimi mes shkollave dhe psikologëve profesionalë, jo thjesht si formalitet, por me fuqi reale për të ndërhyrë.

Të punësohen sa më parë punëtorët social nëpër shkolla.

Prindërit të përfshihen në trajnime, biseda dhe përgjegjësi ligjore kur fëmijët e tyre ushtrojnë dhunë.

Rrjetet sociale të monitorohen më seriozisht dhe fëmijët të edukohen që në klasat e para për rreziqet që vijnë nga përdorimi i tyre pa kufi.

Nëse nuk e trajtojmë këtë rast si një sinjal alarmi, atëherë jemi duke i edukuar dhunuesit e së nesërmes.  /2LONLINE/