/2L ONLINE/ Agjensioni Kundër Korrupsionit (AKK) ka vlerësuar dhe ka konstatuar se janë bërë shkelje ligjore të Ligjit të Prokurimit në disa nga tenderët e komunës së Gjilanit, ku edhe i është drejtuar Salih Kqikut dhe Lutfi Hazirit, që të marrin masa për të eliminuar këto shkelje ligjore, në tenderin për hartimin e planeve rregulluese në komunën e Gjilanit, i ndarë në tri loto dhe për tenderin tjetër që ka të bëjë me furnizimin dhe montimin e pajisjeve të teknologjisë në sallën e KK Gjilan.
Kështu ka bërë të ditur Prtia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, sipas të cilës që i referohet këtij agjensioni, shkeljet që janë bërë kanë të bëjnë me ligjin e Prokurimit Publik nr. 04/L-042, në nenin 52 për njoftimin e kritereve për dhënien e kontratës, në nenin 68 për gjendjen ekonomike financiare, në nenin 23 për kriteret e përzgjedhjes dhe në nenin 25 për kriteret për dhënien e kontratës së tenderit. Poashtu Agjensioni Kundër Korrupsionit ka konstatuar se veprimet e komunës së Gjilanit bien ndesh me nenin 7 Barazia në trajtim dhe jo diskriminim, nenin 27 dosja e tenderit dhe nenin 69 Aftësia Teknike dhe Profesionale
Agjensioni Kundër Korrupsionit ka kërkuar anulimin e këtyre tenderëve, si dhe ka kërkuar që këto shkelje ligjore të mos përsëriten dhe të shmangen në të ardhmen nga komuna e Gjilanit.
Sipas Riad Rashitit, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, janë duke u shqyrtuar edhe dosje të tjera, në të cilat janë bërë shkelje ligjore në shumë tender të dhënë nga komuna e Gjilanit. Nuk janë vetëm këto raste ku ka pasur këso veprime të dëmshme me buxhetin komunal. Ka raste të tjetra, ku janë dhënë katër tenderë për të njëjtin projekt, renovimin e zyrave në ish objektin e Gjykatës, ku është vendosur zyra e kryetarit të komunës.
“Ku një pjesë e punë të këtij projekti janë kryer përmes tenderit dhe kontratës kornizë, pastaj është shpallur tender me kuotim për rregullimin e zyrës së kryetarit të komunës Lutfi Haziri në vlerë prej 9,499 euro, një tender tjetër për rregullimin e zyrës së kryesueses së Kuvendit Komunal në vlerë prej 9,663 euro dhe një tender me kuotim po ashtu për furnizim me material për renovimin e të njëjtave zyre në vlerë prej 9,720 euro, pra janë dhënë katër tender përmes kuotimit për të njëjtin projekt dhe për kryerjen e punëve që gjenden në të njëjtin objekt”, thotë Rashiti.
Sipas tij, këto veprim janë duke e keqpërdorur në masë të madhe buxhetin komunal dhe paratë e qytetarëve të Gjilanit. “Për ne është e habitshme se si Prokuroria Themelore në Gjilan, nuk ka gjetur asnjë shkelje ligjore, ndërsa Agjensioni Kundër Korrupsionit ka konstatuar veprime të tilla edhe pse nuk janë të njëjtat lëndë, por ne jemi të sigurt dhe të bindur se ka pasur edhe në ato lëndë shkelje ligjore dhe të cilat tani do ti adresojmë për hetime të mëtutjeshme në Agjensionin Kundër Korrupsionit”, thotë Riad Rashiti i PDK-së. /2L ONLINE/