Zijadin HASANI
(2LONLINE) – Sindikata e Spitalit Regjiona;të Gjilanit, vërtetë KATANDISI (anagram efektiv nga fjala sindikata), duke marrë parasysh pasivizimin, heshtjen ndaj shkeljes më të rëndë të drejtave të punëtorëve shëndetësorë.
Edhe pse gjumi dimëror nuk është karakteristikë njerëzore, udhëheqja sindikale e SRGJ, akoma nuk po mund të zgjohet nga gjumi, duke i mbyllur sytë dhe veshët ndaj problemeve të ndryshme, manipulimeve, nepotizmit, politizimit të raporteve kolegjiale etj.
Sindikata e spitalit nga mënyra e sjelljes, pasiviteti është bërë pjesë e udhëheqjes spitalore dhe për të qenë absurdi goxha më i madh ata po e mbrojnë udhëheqjen e spitalit nga punëtorët shëndetësorë.
I vetmi aktivitet i sindikatës është organizimi i ekskursionit vjetor për punëtoret e spitalit, por dhe në këtë organizim bëhen diskriminime dhe përherë kur ndodhin këto ,grupi i parë për shëtitje i është rezervuar udhëheqjes se spitalit dhe kjo që më parë dihet. Parimisht, sipas statutit, udhëheqja spitalore nuk duhet të jetë pjesë e sindikatës, mirëpo kjo udhëheqje është e para në shfrytëzimin e mjeteve sindikale.
Sindikata spitalore heshti që nga fillimi, nuk reagoi ndaj mënyrës së ardhjes të udhëheqjes spitalore, akoma pa u legjitimuar udhëheqja e re filloi në mënyrë të furishme duke pranuar në punë farefisin e tyre, bashkëpartiakët, sakaq spitali u shndërrua në çerdhe partiake, filloi luftimi, ndjekja e kundërshtarëve, shantazhimi i tyre.
Drejtori ekzekutiv, vazhdon të jetë ushtrues detyre, duke tejkaluar të gjitha afatet e parapara me ligj, pra ai është jolegjitim në udhëheqjen e spitalit. Udhëheqja spitalore janë bërë një grumbull argujsh që sillen e pështillen, presin urdhra nga lartë, nuk kanë percepcion për menaxhim konceptual të spitalit, segment kjo me një rendësi te veçantë, pra menaxhojnë në mënyrë manipulative, mënyre kjo e tejkaluar e udhëheqjes.
Po kjo mënyrë menaxhimi, sjelljes, nuk është për t’u çuditur, pasi që dhe në segmentet më lartë hiq më e mirë nuk është situata, prandaj kjo gjendje po i përshtatet kësaj udhëheqjeje. Punëtoret shëndetësor po heshtin, kur dhe sindikata po hesht, sepse kanë frikë nga ndëshkimi i drejtorit, prandaj sindikata është bërë pjesë e udhëheqjes spitalore, por paguhet nga punëtoret. /2lonline/
Dr. Zijadin V.Hasani, është shef i Repartit të Pediatrisë