Sindikata e Policisë së Kosovës i dhuroi Stacionit Policor në Viti një fotokopje
Kryesia Ekzekutive e Sindikatës së Policisë së Kosovës realizoi një vizitë zyrtare në Stacionin Policor në Viti, ku u prit nga drejtori rajonal i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë këtij takimi u diskutuan çështje me rëndësi që lidhen drejtpërdrejt me kushtet e punës së zyrtarëve policorë, me theks të veçantë në nevojat logjistike dhe përmirësimin e kushteve të nevojshme për ushtrimin sa më efikas të detyrave zyrtare.
Në kuadër të kësaj vizite, Sindikata e Policisë së Kosovës, falë mbështetjes së një donatori privat, i dhuroi Stacionit Policor në Viti një fotokopje, duke kontribuar konkretisht në plotësimin e nevojave logjistike dhe lehtësimin e punës së përditshme të personelit policor.
Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh falënderimin dhe mirënjohjen për donatorin privat, për kontributin e dhënë në mbështetje të Stacionit Policor në Viti. Gjithashtu, vlerësohet angazhimi dhe kontributi i Kryetarit të Sindikatës Rajonale të Policisë në Gjilan, i cili, përmes koordinimit dhe angazhimit të tij, mundësoi realizimin e këtij donacioni, në funksion të përmbushjes së nevojave logjistike të këtij stacioni policor.
Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në përfaqësimin e interesave të zyrtarëve policorë, adresimin e nevojave të tyre dhe angazhimin e vazhdueshëm për përmirësimin e kushteve të punës në të gjitha njësitë policore. /2LONLINE/
