(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani, ka ftuar në takim drejtorët e shkollave të komunës së Kamenicës, me qëllim të bashkërendimit të punëve për fillimin e mbarë të vitit shkollor 2014/2015.
“Arsyeja pse ju kam ftuar sot është sepse ne bartim përgjegjësi të veçantë për fillimin e mirë dhe të mbarë të vitit shkollor. Gjatë vizitave që kam bërë në disa shkolla kam vërejtur se ka shumë mangësi teknike të cilat duhet të eleminohen deri më 1 shtator, ka shkolla ku kam vërejtur se mungojnë disa dritare, diku mungon uji ose sistemi i ujësjellësit dhe gjëra të ngjashme” tha kryetari Sinani.
Në takim u diskutua edhe për problemin që shkakton largimi i klasëve të 13 në shkollat e mesme dhe mundësia që ndonjë mësimdhënës të mbetet pa vend pune.
“Mësimdhënësit që mund të mbesin pa norma, kjo paraqet një sfidë të veçantë për ne. Jemi të interesuar që askush të mos mbetet pa punë. Ky është një problem që paraqitet në tërë Kosovën, por ne jemi të obliguar dhe kemi vullnet që t`i zgjidhim këto probleme në kuadër të ligjit” tha kryetari Sinani
Kryetari Sinani kërkoj që 1 shtatori mos ta gjej të papërgatitur asnjë drejtor shkolle. Ai i sugjeroj Drejtorisë së Arsimit që gjatë këtij muaji të mbajt takime të shpeshta me drejtorët e shkollave për të evituar të gjitha problemet e mundshme që paraqiten.
Po ashtu drejtorët u informuan se kanë filluar procedurat për lëndët djegëse për shkollat e Kamenicës.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari Fatmir Matoshi dhe drejtori i Arsimit Agim Shkodra i cili foli për përgatitjet që po bën DKA për vitin e ri shkollor.
Drejtorët e shkollave paraqitën disa shqetësime të tyre që kryesisht ishin të aspektit teknik dhe që evitimi i tyre do të bëhet gjatë këtij muaji. /2L ONLINE/