“Më lejoni që në këtë ditë të shënuar për ju dhe për të gjithë kombin, t’iu shprehi urimet më të sinqerta për misionin tuaj fisnik dhe të pazëvendësueshëm. Kjo ditë nuk shënon vetëm fillimin e mësimit të shkronjave shqipe, por mbi të gjitha simbolizon devotshmërinë, përkushtimin dhe sakrificën e mësimdhënësve shqiptarë. Gjuha është emblema njohëse e identitetit dhe kulturës së një populli. Falë angazhimit dhe përkushtimit tuaj ne sot mburremi me të kaluarën dhe të sotmen, si dhe ecim të sigurt drejt së ardhmes”, thuhet në urimin e kreut të Kamenicës Begzad Sinanit, me rastin e 7 marsit – Ditës së Mësuesit.
Më tej, Sinani ka thënë se “vepra dhe kontributi i juaj është përgjegjësi e madhe për brezat e rijnë, të cilët u rritën dhe u edukuan të jenë brez i qytetarëve të BE – së, mirëpo gjithmonë duke e bartur me mburrje identitetin e tyre kombëtar si pjesë të familjes së madhe evropiane. Nëse para 125 viteve, me 7 mars, u hap mësonjëtorja e parë shqipe, ju mësues të nderuar, me përkushtim dhe dinjitet, e vazhduat rrugën e dijes duke e përhapur atë kudo që dëgjohej zëri i shqiptarëve. Ju i jetësuat ëndrrat e Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, Nuçi Naçit dhe Thoma Avramit”.
“Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë me respekt të veçantë kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithë brezave të mësimdhënësve të shkollës shqipe, kudo që ata vepruan duke e mbajtur të ndezur pishtarin e dijes dhe shpresës. Do të përkulemi gjithnjë dhe do të jemi shumë mirënjohës për kontributin e mësimdhënësve për edukim dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë. Urime 7 marsi, dita që shënon përkushtimin për dije dhe sakrificat për liri dhe shtet të pavarur, festa e cila shpalos të vërtetën se historia e rrugëtimit tonë si popull nuk do të kishte kuptim pa kontributin tuaj”, thuhet në fund të urimit për mësuesit, të kreut ët kamenicës Begzad Sinanit. / 2lonline/