/2L ONLINE/ – në hapësirat e Ambulantes së fshatit Karaqevë, sot u përurua Zyra Raportuese e Stacionit Policor të Kamenicës. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani, Nënkryetari Fatmir Matoshi, Drejtoresha Rajonale e Policisë Elmina Mahmuti, Shefi i stafit në Komandën e KFOR-it në Bonsteel, Koloneli Moree, dhe shumë qytetarë, zyrtarë e ushtarak të tjerë.
Kryetari Begzad Sinani, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se ndihet i lumtur që po realizon edhe një kërkesë të banorëve të fshatrave Karaqevë e Epërme dhe Karaqevë e Poshtme
“Dashuria ndaj vendit dhe komunës që udhëheq llogaritet me vepra konkrete, jam krenar që sot po finalizojmë edhe një kërkesë të banorëve të kësaj ane, si Kryetar Komune kam qenë i angazhuar dhe i përkushtuar që duke përcjellë të gjitha procedurat ligjore t`i ofroj një hapësirë komunale dhe të ndihmojmë në realizimin e këtij projekti përmes të cilit rritet niveli i sigurisë për qytetarët në këtë zonë. Gjithashtu si Kryetar Komune kam ngritur çështjen e problemit të vijës kufitare në të gjitha nivelet që më është dhënë mundësia duke filluar nga Presidenca, Kryeministri, Kryeparlamentari etj”, ka thënë Sinani.
Ai shtoi tutje se përkushtimi i tij, për Karaqevën mund të dëshmohet vetëm me emrat e projekteve që ka realizuar këtu, e që janë Asfaltimi i rrugës Karaqevë e Poshtme – Muhoc, Asfaltimi i rrugës Karaqevë e Poshtme – Karaqevë e Epërme, Ujësjellësi në Karaqevë të Poshtme, Rrjeti elektrik për tek rezervuari i ujësjellësit, Asfaltimi i rrugëve lokale në fshat, Pastaj, tereni sportiv në Shkollën e Karaqevës së Epërme, ishte propozimi i tij i cili dje në Kuvend u aprovua dhe Klubi Futbollistik i Karaqevës merr mbështetje prej 3.300 euro nga Komuna e Kamenicës.
“Ndër prioritetet kryesore që kam tani është kanalizimi në të dy fshatrat, andaj kushdo që ka bërë më tepër le ta dëshmojë.” tha kryetari Sinani
Drejtoresha rajonale e Policisë Elmina Mahmuti ka përgëzuar banorët e Karaqevës për këtë Pikë Raportuese të hapur në këtë fshat dhe është zotuar se përkushtimi i Policisë së Kosovës do të jetë edhe më i madh tani, falë mbështetjes së Kryetarit Begzad Sinani që ka siguruar këtë hapësirë.
Hapjen e kësaj pike në emër të KFOR-it Amerikan e ka përshëndetur edhe Koloneli Moree i cili u zotua për bashkëpunim me Komunën, Policinë dhe banorët e fshatrave Karaqevë.
Fadil Kastrati, Kryetar i këshillit lokal të Karaqevës e ka falënderuar Kryetarin Sinani, Policinë dhe KFOR-in për hapjen e kësaj pike raportuese. “Angazhimi i kryetarit Sinani për Karaqevën ka qenë gjithmonë evident dhe ne jemi shumë falënderues për këtë, projektet e realizuara kanë përmirësuar jetën tonë, dhe besojmë fuqishëm se edhe projekti i kanalizimit do të realizohet ashtu siç u tha këtu” tha Fadil Kastrati, kryetar i Këshillit Lokal. /2L ONLINE/