Sinan Sadiku, ose azili letrarHysen MATOSHI

Sinan Sadiku, ose azili letrar

Hysen MATOSHI

SINAN SADIKU, OSE AZILI LETRAR

( Sinan Sadiku: “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, ribotuar më 2021 nga Klubi letrar NOSITI, Kamenicë )

Dualizmi që haset në letërsi, në trajtën të inkorporimit në të njëjtë vetje letrare të autorit dhe të kritikut letrar, është një dukuri e njohur gjithandej. Përcaktimi për rrugën e krijimit të letërsisë lidhet më shumë më talentin dhe pasionin, ndërsa gjykimi mbi letërsinë ka të bëjë me dimensionin kognitiv letrar, përkatësisht profesional. Ka shembuj, madje jo të rrallë,kur kjo simbiozë ndërmjet krijuesit dhe vlerësuesit është frytdhënëse. Veçmas del e tillë kur kritiku huazon nga autori i letërsisë bukurinë e ligjërimit, ndërsa është bindës për të tjerët kur gjykimet e tij nuk i mbështet vetëm në modelin vetjak të krijimit. Kriteri letrar – estetik i bën vend kriterit njohës dhe etik. A është e mundur që poeti të dalë nga vetja e tij poetike, përkatësisht të kundrojë objektivisht tjetrin dhe madje edhe veten e tij si pjesë të tjetrit? Kjo është pyetja më e vështirë dhe më delikate mbi poetët kritikë letrarë e studiues të letërsisë. Kjo çështje shtrohet sa herë flasim për një poet – a një shkrimtar që njëkohshëm shkruan kritikë letrare dhe studime letrare, ose ndërsjelltazi për një dijetar letërsie që e sprovon veten në fushën e krijimit letrar.

Natyrisht, ky model simbioze na imponohet kur flasim për një autor letërsie dhe një njohës të saj, sikundër është Sinan Sadiku, i cili veçse po mbush dekadën e gjashtë të jetës së tij, me kontributet shkrimore vijon të jetë prezent në pothuajse gjysmën e kësaj jete, me një krijimtari të pasur në fushën e letërsisë si art dhe të letërsisë si dije. Ky kontekst bëhet edhe më interesant dhe më i ndërlikueshëm po të kemi parasysh formimin profesional të autorit që nuk është i sferës filologjike. Letërsia, si art dhe si dije, përbën njëfarë azili jetësor, kundruall të djeshmes robëruese dhe kundruall të sotmes shpërfillëse, në të cilin Sinan Sadiku gjen prehjen e tij si intelektual, por edhe mënyrën më të çlirët të artikulimit të vetvetes.

Ka një evoluim domethënës në këtë pikëpamje, ngaqë dimensioni pasional i të shkruarit të poezisë me kohë i ka bërë vend gjykimit të pjekur profesional, që me kalimin e kohës ka ardhur duke marrë trajtë të mirëfilltë studimore.

Pikërisht për këtë aspekt do të ndalem të them disa fjalë, përkatësisht për kontributin e tij “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, botuar më 2013 dhe ribotuar më 2021 me një modifik titullor dhe që dël në trajtën “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe”. Shqyrtimi ynë bazohet në variantin e parë të botimit. Rendi i vlerave letrare, që në këtë rrafsh kuptimor ka domethënien e një hierarkie vlerash letrare, nuk mund të jetë asnjëherë një strukturë ideale. Nisur nga kjo vetëdije, Sinan Sadiku e formëson atë mbi bazën e studimeve të autorëve, kritikëve letrarë dhe historianëve të letërsisë shqipe, që shquhen për një konsistencë dhe për një logjikë vetjake gjykimi. Treshja e studiuesve Ibrahim Rugova, Agim Vinca dhe Sabri Hamiti, përkatësisht kontributet e tyre kritiko-letrare dhe historiko-letrare, e përbëjnë aksin metakritik në të cilin lëviz autori dhe i formëson idetë e tij. Bie në sy një kapacitet i Sinan Sadikut për të rrokur esencat dhe për të piketuar të veçantat e qasjeve të këtyre kryemodeleve të vlerësimit e të studimit të poezisë së sotme shqipe. Dallimet ai i heton veçmas sa i përket hierarkisë ideale të individualiteteve letrare që bëhen pjesë e vlerësimeve të tyre, duke ndjekur metodologji krejtësisht të ndryshme të identifikimit të tyre. Vëmendje i ka kushtuar sidomos metodës së poentimit të vlerave poetike që instalohet te libri “Strategjia e kuptimit” e Ibrahim Rugovës, ndonëse edhe vetë konstaton si të pamjaftueshëm grupimin e tillë të përmbledhjeve poetike brenda pesë kategorive të caktuara, një pandam i sistemit të notave në shkollë që përfshin ndarjen e përmbledhjeve ekzistuese poetike në libër i dobët, libër i zakonshëm, libër interesant, libër i mirë dhe libër i mirë e me ndikim.

Te Vinca nga ana tjetër autori identifikon përsosmërinë e ligjërimit gjuhësor, rrjedhshmërinë dhe argumentimin e mirë shkencor, si shprehje e saktësisë logjike të kumtimit. Natyrisht vëmendjen e tij e kanë tërhequr aspektet periodizuese, ose etapizuese, të poezisë së sotme, si një mundësi për njohjen e kronologjisë sonë letrare. Gjithsesi një sprovë periodizuese letrare kërkon një njohës të mirë të teorisë së letërsisë, të hisorisë së letërsisë dhe zotësi të dalluara në kritikën letrare.

Rugova dhe Vinca,sipas leximit dhe vlerësimit metakritik të Sinan Sadikut, shquhen edhe për tipologjizimin e poezisë bashkëkohore shqipe. Ndonëse rezultatet e tyre, sikundër edhe autorët e trajtuar, janë produkt i shqyrtimeve të veçanta, duke ofruar edhe përfundime të ndryshme, sipas autorit të studimit “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare” këta libra komplementohen në mënyrë të ndërsjellë duke krijuar një pamje më të plotë e më shumëdimesionale të poezisë shqipe.

Sabri Hamiti, në vend të tipologjisë së poezisë që e gjejmë tek autorët e përmendur më lart, e karakterizon letërsinë nëpërmjet identifikimit të shkollave të ndryshme që janë produkt i konteksteve sociale.

Formësimi i një rendi të vlerave letrare në këtë sprovë studimore bazohet edhe në antologjitë e poezisë shqipe, hartuar nga autorë të ndryshëm, kryesisht studiues të letërsisë, duke u bazuar në një rend të paramenduar ideal vlerash poetike. Është e ditur se antologjitë letrare nuk reflektojnë vetëm shijet estetike, por edhe pajisjen e kënaqshme të asaj që njihet me togëfjalëshin dije letrare. Për këtë arsye, me qëllim që ta formësojë një rend pak a shumë të pranueshëm letrar, Sinan Sadiku është bazuar në antologjitë e Agim Vincës, Ali Aliut, Bashkim Kuçukut, Ali Podrimjes dhe Ferdinand Lahollit. Pikërisht në këtë dorë shkrimesh hasim tonet më polemizuese të autorit në raport me përzgjedhjet e poetëve, veçmas kur është fjala për antologji me pretendime gjithëpërfshirëse. Autori Sadiku, me të drejtë, pohon se hartimi i antologjive është një punë e vështirë që kërkon kapacitete njohëse, zotësi të rrallë vlerësuese të poetëve dhe krijimeve të tyre më të mira, një raport të pranueshëm të përgjegjësisë ndaj punës dhe natyrisht shumë kohë për të qëmtuar imtësisht materien letrare, në këtë rast poezinë e sotme shqipe. Antologjitë letrare, pra edhe ato të poezisë, nuk mund të hartohen suksesshëm brenda një periudhe të shkurtër kohore, ngaqë për një antologji me pretendime kombëtare është e domosdoshme njohja e gjithë produktit letrar. Qëndrimi kritik që mban ndaj antologjive të trajtuara, përkatësisht ndaj përzgjedhjes së një kategorie autorësh dhe njëkohshëm mospërfshirja e një numri të konsiderueshëm autorësh, tashmë të afirmuar, flet për një vetëdije të formësuar letrare mbi kritere të qëndrueshme estetike dhe historiko-letrare, si shprehje e një vizioni për ta konceptuar një rend vlerash në kronologji dhe në aktualitetin tonë letrar.

Gjithnjë duke mbetur te kapitulli që mëton të ofrojë vlerësimet e poezisë së sotme shqipe, autori i librit “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare” ka sjellë edhe vlerësime të autorëve të tjerë, duke përfshirë këtu: Ismail Sylën, Xhemal Ahmetin dhe Robert Elsin.

Është e kuptueshme që një varg shkrimesh përbëjnë kontribute kritiko-letrare të Sinan Sadikut për një varg autorësh veprat e të cilëve i ka lexuar. Sprovat kritike për autorët, si Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Aziz Mustafa, Baki Krasniqi etj., përveçse dëshmi e kapaciteteve dhe zotësisë vlerësuese të artit poetik,janë dhe shenjë e përkushtimit për të përcjellë rrjedhat e prurjet e poezisë sonë.

Mbi të gjitha do të vlerësoja një konstatim mjaft të guximshëm dhe për mendimin tim të saktë lidhur me raportin krijimtari poetike – kritikë letrare në ditët e sotme. Sinan Sadiku konsideron se të sotmes nuk i mungojnë vlerat e reja letrare, por se sot mungon kritika letrare, e cila në Kosovë, sidomos në vitet 70 dhe 80, ishte aq e pranishme dhe pjesë e rëndësishme e sistemit tonë letrar. Institucioni i kritikës letrare sot ose është rrëgjuar ndjeshëm, ose është deformuar skajshëm, ndaj konstatimin e autorit se “nuk ka ngecje sa i përket poezisë, përkundrazi, ngecje ka sa i përket kritikës letrare” do marrë me një seriozitet si një definim të saktë lidhur me jetën tonë letrare.

Përgjithësisht, Sinan Sadiku me kontribute në fushën e kritikës letrare dhe sidomos të metakritikës bëhet njëri ndër letrarët tanë që mendon për letërsinë, për hierarkinë vlerore të saj, me një fjalë pasioni ka nisur t’i bëjë vendin profesionit, si një dëshmi se kritikun letrar nuk e bëjnë diplomat universitare.

Duke përmbyllur këtë fjalë rasti, dua ta falënderoj edhe për përkushtimin e madh dhënë jetës kulturore në Dardanë. Sinani, bashkë me Nexhat Rexhën, Musa Ahmetin, Baki Krasniqin, Daut Maliqin dhe me anëtarë të tjerë të Klubit Letrar Nositi, përbëjnë një bërthamë idealistësh që mbajnë gjallë jetën kulturore letrare në qytetin tonë.

Dardanë, 13 nëntor 2021

_____________

E lexuar në Manifestimin e përvitshëm, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, më 13 nëntor 2021 në Kamenicë, ku u vlerësua krijimtaria letrare e Sinan Sadikut, në 60 vjetorin e tij të lindjes.

KOMENTE