Fatmir Z. Arifi
Për të peshuar para vetes shijen e ngjyrave, që interpretohen dhe përkthehen me sytë tanë, që vazhdimisht duken të jenë të etura për koloritin e papërkthyeshëm, na duhet më tepër vëmendje dhe më pak fantazi, ngase, aq sa është mjeshtëri e përkryer, po aq na del të jetë edhe e thjeshtë për t`u kuptuar.
Ajo që zë vend në të gjitha hapësirat e pëlhurave me ngjyra të piktorit Sherifi, janë gjësendet e kuzhinës, të cilat ai i përdorë sikur vegla pune, për të ndërtuar gjithë mozaikun e dëshiruar, që nëse zhytesh në to, na marrin formën e shkronjave, përmes së cilave lexojmë identitetin e autorit prej krijuesi të veçantë.
Gjësendet, apo veglat e kuzhinës, janë mjetet pa të cilat autori nuk mund as të nisë dhe as të përfundojë punimin e vetë.
Ky cikël pikturash, të shtruara në sofrën e madhe të kësaj ekspozite, na japin kënaqësinë, që botën prej piktori të Zenun Sherifit, ta interpretojmë ashtu siç duam ne vetë, pa i paravënë shabllone strikte mendimit të lirë prej vizitori.
Secili shikues, kundrues, vizitor i punimeve, mund të ecë lirshëm dhe i pa penguar nga shpjegimet e shumëllojshme mbi këto piktura.
Ajo qe reflekton gota në pikturat e Zenun Sherifit, lë përshtypjen e shpjegimit të dilemës mbi gotën gjysmë të mbushur, apo gjysmë të zbrazur.
Kjo flet për mjeshtërinë e përdorimit të simbolikave dhe metaforave, që natyrshëm si pasuri popullore, dynden e vijnë e shtrihen në pëlhurë përmes ngjyrave.
Ne pikturat e Zenun Sherifit, gjësendet e kuzhinës nuk janë thjeshtë gjësende kuzhine, por më shumë se kaq, sepse ato të vendosura në të pëlhura dhe shtrirje të ndryshme, paraqesin lëvizjen plot impulsive të botës përreth.
Përmes gjësendeve të kuzhinës, piktori Zenun Sherifi me plotë mjeshtëri, na servon gjellën e pasur imagjinative të shumëngjyrshme, në pjatat e cekëta dhe të thella, rrethuar me lugë dhe thika, që më shumë u ngjasojnë brushave dhe shpagave metalike, se sa vërtetë gjësendeve të kuzhinës.
Sofra shumëngjyrëshe e kësaj ekspozite, edhe pse ndonjëherë e emëruar si „Natyrë e qete“, ajo shpjegon botën e gjallë dhe plotë mesazhe të piktorit Zenun Sherifi.
Edhe ashtu siç janë, të shtrira në sofër, të derdhura troç mbi pëlhurë, këto mesazhe, janë shpjegim i heshtjes së „Natyrës së qetë“, që flasin në mënyrën më të bukur, duke ikur nga kornizat e drunjve dhe tejkaluar kufijtë e imagjinatës së vizitorit dhe kundruesit. /2L ONLINE/