(2LONLINE) – Stresi është një proces tepër dinamik që ndikon totalisht në sistemin tonë mendor dhe atë fizik dhe individi përjeton tepër konfuzion në atë periudhë. Simptomat që një nxënës mund të përjetojë nën ndikimin e stresit, janë nervozizmi, frika, pagjumësia, humbja ose pakësimi i oreksit, pamundësia për t’u përqendruar, mungesa e interesit në rastet kur shpresat e tyre janë tepër të vakëta, si edhe fajtor për kohën e humbur. Gjatë periudhës parapërgatitore, vetë nxënësit duhet të përpiqen që:
-Të bisedojnë më një person të matur, i aftë për të dhënë këshillat e duhura.
– Të mundohen të gjejnë pak kohë për t’u relaksuar gjatë ditës
– Të mundohen që të gjitha detyrat e tyre t’i kryejnë me radhën e duhur, pa shkaktuar konfuzion tek vetja.
– Të kryejnë sa më shumë ushtrime fizike dhe relaksuese për muskujt.
Si edhe:
– Mundohuni të mos shqetësoheni për ngjarje që mund të mos ndodhin kurrë.
Psikologë të ndryshëm mendojnë se stresi i përjetuar në nivele të ulëta ndikon mjaft mirë tek nxënësit, duke i vënë ata në punë dhe në aktivitet për të plotësuar detyrimet e tyre. Turbullimet e lehta që ndjehen në stomak dhe dhimbjet e kokës që kanë vijnë si rezultat i adrenalinës së tepërme, e cila si mision kryesor të sajin ka ngritjen e vigjilencës në nivele të larta.
Ajo që ndikon jo pak herë në rezultatet e nxënësve janë edhe mendimet e shumta që ata përpunojnë në lidhje me rezultatet e provimeve. Në qoftë se nxënësit do të ishin të aftë të kontrollonin mendimet dhe ndjenja e tyre gjatë provimeve, edhe rezultatet që ata do të merrnin do të ishin shumë më tepër pozitive, prandaj është tepër e rëndësishme që vetë ata të jenë të aftë në menaxhimin e tyre.
Gjithmonë është e këshillueshme që ushtrimet relaksuese të kryhen vetëm.Ndaloni mendimet tuaja – Kur arrini të kuptoni se mendimet negative po vlojnë në mendjen tuaj dhe tensioni po rritet brenda jush, atëherë ndaloni dhe thirrni stop, çka do të bllokojë shqetësimin tuaj momentalisht.
Filloni të imagjinoni apo ëndërroni për sjellje dhe veprime të tjera, në mënyrë të tillë që mendja juaj të mos ketë më vend për shqetësime.
Mendoni sikur keni përfunduar testin dhe jeni të bindur për rezultatet tuaja pozitive dhe keni përfunduar testin me sukses. Mendoni sikur jeni në klasë, keni marrë tezën në dorë dhe mund t’i përgjigjeni të gjitha pyetjeve me sukses. Mendoni që keni përfunduar me sukses dhe duhet të festoni. Sa më të larta të jenë pritshmëritë tuaja ndaj testit, aq më vigjilentë do të ndjeheni dhe aq më pozitive do të jenë rezultatet tuaja.
Mundohuni të përqendroheni në objekte dhe tematika të tjera, në mënyrë të tillë që mendja juaj të mos përpunojë mendime negative dhe ju të mos bllokoheni nga stresi
Mendoni më të keqen, ju nuk e kaluat provimin, vlerësimi juaj ishte negativ. Çfarë mund të ndodhë më vonë? A do të jeni të aftë të jetoni normalisht, a mund të zini kohën tuaj me kurse dhe aktivitete që mund t’ju vlejnë në të ardhmen? PO, sigurisht që PO.
Mundohuni të kujtoni të gjitha sukseset tuaja, mendoni si ja keni dalë që keni ardhur deri këtu, bindni veten tuaj se ju keni mësuar dhe nuk keni arsye përse duhet të dështoni.
Mundohuni që përpara se të hyni në provim të:
– Të keni ngrënë një mëngjes të mirë dhe të evitoni kafeinën në trupin tuaj.
– Përqendroheni në ritmin e frymëmarrjes tuaj (frymëmarrje dhe frymënxjerrje në mënyrë te rregullt )
– Mundohuni të relaksoni çdo pjesë të trupit tuaj që ju e ndjeni se është e tensionuar.
– Imagjinoni vetëm situatë pozitive dhe mundohuni që të kujtoni (qoftë edhe për një kohë të shkurtër), disa nga momente më të bukura që ju keni përjetuar.
Në këtë formë, ankthi dhe niveli juaj i stresit do të ulen së tepërmi, duke ju dhënë mundësinë që të jeni më të përqendruar në pyetjet e tezes sesa në kontrollin e emocioneve tuaj
Gjithashtu, edhe vetë mësuesit në shkollë kanë mjaft ndikim në uljen e nivelit të stresit tek nxënësit përpara se ata të hyjnë në provim.
– Mësuesit duhet të kenë parasysh që të mos vënë nxënësit nën presion të panevojshëm.
– Mësuesit duhet t’u japin nxënësve shanse të barabarta për konkurrim.
– Mësuesit duhet të ngrenë sa më shumë grupe pune në klasë, në mënyrë të tillë që nxënësit të mësojnë nga njëri-tjetri.
– Nxënësve që stresohen dhe bllokohen lehtësisht t’u drejtohen pyetje që kërkojnë përgjigje të shkurtra, në mënyrë të tillë që nxënësit të mos ndjehen të përjashtuar nga klasa dhe ju mund të kontrolloni përgatitjet e tyre.
– Mundohuni që udhëzimet tuaja gjatë kontrolleve të ndryshme të kryera të jenë sa më të qarta.
Lehtëso, lehtëso…
/Afërdita Këqiku/
/autorja është psikologe/