(2LONLINE) – Ditë më parë në të gjitha mediat publikuan sondazhe të ndryshme duke prezantuar rezultate për renditjen e partive politike dhe të liderëve të tyre. Një prej sondazheve në kryetitujt e lajmeve ishte që sipas një “sondazhi ndërkombëtar” ku radhite partitë politike duke dhënë edhe përqindjet e tyre sipas renditjeve.
Në të gjitha vendet e zhvilluara dhe demokratike realizohen sondazhe ku matet perceptimi i qytetarëve ndaj partive politike dhe duke matur opinionin se për kë do të votojnë qytetarët, dhe atë me një nivel shumë të vogël të gabimit, pa marrë parasysh numrin e popullsisë së atij vendi.
Mirëpo, çdo sondazh që zhvillohet e ka edhe emrin e kompanisë, institutit apo organizatës që e ka realizuar atë hulumtim dhe gjithashtu edhe porositësin. “Sondazhi ndërkombëtar” i realizua në Kosovë që u bë publik, nuk i qëndronte askush mbrapa ti, përveç një “organizate ndërkombëtare”. Gjithashtu, i mungonte mostra, se sa persona janë anketuar, cila ka qenë hapësira gjeografike, çfarë metodologjie është përdorur. Pa dashur të anoj nga asnjë parti politike e ndjeva për obligim, ti sqaroj opinionit publik se si vlerësohet një sondazh.
Janë dy komponente që përdoren në përcaktimin e të anketuarve. Njëra ka të bëj me përcaktimin e populacionit cak, njerëzit që do të intervistohen/anketohen. Nëse e kryejmë një anketë për matjen e opinionit politik, atëherë populacioni është i çartë – elektorati. Nëse dëshirojmë të caktojmë suksesin e pritur të një produkti, atëherë populacioni është diç më pak i çartë. Përcaktimi i saktë i populacionit cak është shumë me rëndësi. Nëse nuk i anketojmë personat e duhur, është e çartë se qëllimet e sondazhit nuk mund të arrihen dhe nuk mund tu besojmë rezultateve te dala.
Gjëja e ardhshme është të caktohen numri i të anketuarve, madhësia e mostrës. Statisticientët e dinë mirë se një mostër e vogël por reprezentative, di të reflektoj mbi grupin cak. Sa më e madhe të jetë mostra, aq më i saktë reflektimi. Megjithatë, shkalla e rritjes së saktësisë nuk do të rritet proporcionalisht me rritjen e mostrës. P.sh. rritja mostrës nga 250 në 1000 vetëm e dyfishon saktësinë. Në përcaktimin e madhësisë së mostrës ne marrim parasysh faktorët në vijim: koha në dispozicion, buxhetin dhe shkallën e dëshiruar të precizitetit.
Llogaritja e madhësisë së mostrës
Madhësia e mostrës caktohet në bazë të objektivave specifike të hulumtimit dhe zakonisht përfshin rreth 1000 respondent të zgjedhur në mënyrë të rastësishme. Gabimi standard i hulumtimit në përgjithësi është ±3%. Rezultatet po ndrohen minimalisht, në mënyrë që të rregullohen variacionet në mostër në varësi të madhësisë së komunës (p.sh. Prishtina), moshës, gjinisë apo të specifikacioneve tjera të hulumtimit të synuar. Për shumicën hulumtimeve, teknika e njohur si mostër e thjeshtë e rastësishme apo mostër e stratifikuar e rastësishme mjafton.
Intervali i besueshmërisë në hulumtime duhet të jetë rreth 3%. Kjo do të thotë që me interval të besueshmërisë 3%, nëse anketuesit kanë zgjedhur një përgjigje 69%, atëherë mund të jemi të “sigurt” se nëse do ta pyetnim të tërë populacionin do të merrnim përgjigje në intervalin në mes të 66% (69-3) dhe 72% (69+3).
Shkalla e besueshmërisë na tregon se sa të sigurt mund të jemi. Ajo shprehet me përqindje dhe tregon se sa shpesh përqindja e vërtetë e pupulacionit që do të zgjidhte një përgjigje, është brenda intervalit të besueshmërisë. Shumica e hulumtuesve përdorin shkallë besueshmërie 95%. Nëse i marrim së bashku shkallën e besueshmërisë 3% dhe intervalin e besueshmërisë 95%, mund të themi se mund të jemi 95% të sigurt se përqindja e vërtet e përgjigjeve të populacionit është ndërmjet 66% dhe 72%. Sa më i gjerë të jetë intervali i besueshmërisë aq më të gatshëm jemi të pranojmë, dhe më të sigurt mund të jemi se i tërë populacioni është në këtë interval.
Faktorët që ndikojnë në intervalin e besueshmërisë
Ekzistojnë tre faktorë që përcaktojnë madhësinë e intervalit të besueshmërisë në një shkallë të caktuar besueshmërie. Këta janë: madhësia e mostrës, përqindja dhe madhësia e populaciont.
Madhësia e mostrës – Sa më e madhe të jetë mostra aq më të sigurt mund të jemi se përgjigjet e fituara reflektojnë tërë populacionin. Kjo tregon se për një shkallë të dhënë të besueshmërisë, sa më e madhe të jetë mostra aq më i ngushtë është intervali i besueshmërisë. Mirëpo, raporti nuk është linear (d.m.th. dyfishimi i madhësisë së mostrës nuk to të përgjysmoj intervalin e besueshmërisë).
Përqindja – Saktësia varet edhe nga përqindja e repondentëve nga mostra që kanë zgjedhur një përgjigje të caktuar. Nëse 99% të respondetëve kanë zgjedhur përgjigjen “Po” dhe 1% “Jo”, atëherë gjasat për gabim janë më pak të mundshme, pavarësisht nga madhësia e mostrës. Në anën tjetër, nëse përqindja është 51% me 49%, gjasat për gabim janë shumë më të mëdha. Më të sigurt jemi kur fitojmë përqindje ekstreme se sa kur fitojmë përqindje të barabartë. Gjatë përcaktimit të madhësisë së mostrës, ne e përdorim rastin më të pafavorshëm – 50%. Ne po ashtu e përdorim këtë përqindje kur dëshirojmë të caktojmë nivelin e përgjithshëm të saktësisë së mostrës tashmë të caktuar.
Madhësia e populacionit – Shpesh ne nuk mund të dimë saktësisht madhësinë e populaciont. Mirëpo, kjo nuk është problem. Matematika e probabilitetit na tregon se madhësia e populacionit është jorelevante, përveç nëse madhësia e mostrës përfshin disa përqind të populacionit të përgjithshëm të cilin e hulumtojmë. Kjo do të thotë se mostra e madhësisë 500 është njëjtë e dobishme si në hulumtimin e opinionit të një shteti me 2 milion banorë ashtu edhe për një qytet prej 100.000 banorëve. Për këtë arsye injorohet madhësia e populacionit kur është e “madhe” apo e panjohur. Madhësia e populacionit mund të jetë faktor i rëndësishëm kur kemi të bëjmë me një numër relativisht të vogël personash.
Llogaritja e intervali të besueshmërisë supozon se kemi të bëjmë me një mostër vërtetë të zgjedhur në mënyrë të rastësishme nga populacioni relevant. Nëse mostra nuk është e rastësishme, atëherë nuk mund të mbështetemi në intervale.
Gjatë zgjedhjes së mostrës ne i japim rëndësi zgjedhjes së rastësishme ashtu që të gjitha njësitë e populacionit të kenë gjasa të barabarta të përfshihen në rezultatet e anketimit. Kjo mostër, e zgjedhur në këtë mënyrë, na siguron që rezultatet e anketimeve të kryera kanë validitet ekstern.
Metodologjia
Nga metodat e shumta që ekzistojnë për kryerjen e anketimeve, zakonisht përdoret metoda e anketimeve/intervistave ballë-për-ballë. Kjo metodë përdoret sepse ka disa përparësi në krahasim me teknika të tjera, e në radhë të pare karakteri personal, mundësia e përsëritjes së pyetjes nëse nuk është kuptuar nga respondenti, koha relativisht e shkurtër, shkalla më e ultë e refuzimit të përgjigjeve, respondentët lejojnë kohë më të gjatë sidomos nëse anketimet kryhen nëpër shtëpi etj.
Seleksionimi i lagjeve dhe shtëpive bëhet në mënyrë të rastësishme, duke u dhënë paraprakisht hulumtuesve në teren udhëzime për numrin e shtëpive në mes të dy shtëpive të zgjedhura, anën e rrugës prej kah do të fillohet, numrin e kateve në mes të dy kateve të zgjedhura, apartamenteve, ku udhëzimet zakonisht dallojnë për zonat urbane dhe ato rurale, dendësia e banimit dhe faktorë të tjerë.
Për zgjedhjen e respondentëve përdoret teknika e zgjedhjes të bazuar në ditëlindjen e respondentit nga familjet/shtëpitë e zgjedhura rastësisht: “ditëlindja e fundit” ose variantin tjetër “ditëlindja e ardhshme”. Gjithmonë kemi parasysh që të jemi konsistent në përdorimin e vetëm njërit variant gjatë një hulumtimi.
Nëse përdoret kjo metodologji dhe zbatohet në përpikëri, nuk ka shumë rëndësi se a është ndërkombëtare apo vendore. Sepse kjo metodologji dhe kjo mostër përdoret edhe në SHBA ku gabimi është po thuajse minimal dhe gjithmonë rezultatet e sondazheve dalin të sakta.
Prandaj, nuk është mirë të luhet me opinionin publik me rezultate të cilat jepen pa adresë apo pa pronarë. Nuk jam kundër sondazheve, mirëpo të përshkruhet mostra dhe metodologjia e cila është përdorur pastaj ne e vlerësojmë vetë se sa ti besojmë.
Agim ZUZAKU
(Autori është drejtor i një kompanie për hulumtim të tregut dhe opinionit publik, si dhe është doktorant në shkencat ekonomike)