DYLON

SI NJË ILIR I MOÇËM I BJESHKËVE TË NEMURA

SI NJË ILIR I MOÇËM I BJESHKËVE TË NEMURA
Avatar photo Redaksia

Sabit Rrustemi

SI NJË ILIR I MOÇËM I BJESHKËVE TË NEMURA

Në Vjeshtën e vitit njëmijëenëntëqindeshtatëdhjetetre
shekulli i shkuar
në bibliotekën e fshatit ( e jo të shkollës )
përmes PREKJËS LIRIKE ia mësova emrin

EkoHigjiena

I njomë fare isha
për t’ia shpurshur kuptimin e fjalëve

Pesë vite e sa më vonë
do ta shihja mbrëmjeve në Shetitoren e Prishtinës
paraditeve në kafe ELIDA te Pallati i rinisë

Herë vetë i treti herë vetë i pesti
tjerrte kohën nëpër fjolla tymi
derisa e mbështillte për shallin e tij
e ecte drejtë një dhome
ku e vazhdonte ndejën e gjumin me miqtë e tij pa fjalë
që e prisnin si qentë besnikë të Sharrit vitrinave

Në fillim të tetëdhjetave
për herë të parë na u pikëpjekën sytë e duart e fjalët
në Pallatin e Shtypit aty në zemër të Prishtinës

Nga ajo ditë e këndej përditë jam përpjekur
për ta zbërthyer Morfologjinë e Heshtjes
që era e stinëve e shfletonte Fytyrës së Tij
po ngela në provim

Ish kohë maskash hijenash e krimbash
që na gërryenin deri në rrënjë
e ne duronim duronim më shumë se gjarpri nën guri
a nën dheun ilir

Filozofinë e këtij durimi u përpoqa ta zbërthej
përmes FJALËS
kur unë flladitesha verës plot vapë në Burgun e Prishtinës
derisa ai me një makinë shkrimi OLIMPIA
ma nxirrte për lendine nëntekstin e LIBRIT
që ende s’u shkrua

Pastaj ra heshtja e ngecja e etja
jetërave tona e ëndrrave nëpër mjegulla
netëditëve të mbështjellura me ëndrra e zhgjëndrra
sa na tepruan e nuk i hargjuan as qentë
as pinikët e minukët rrugëve të Prishtinës e Kosovës
deri në ditën e sotit

Ai i la miqtë e heshtur brenda kopertinave
doli prej dhome me flokët e zgjatura
e të dredhura prej vuajtjeve
në një rrugëtim me plot të panjohura
e me një mal ëndrrash për liri pavarësi e demokraci

Iu vura pas hap pas hapi
po nuk nxinej dot hapi i Tij

Me vite ecte nëpër kohë
tej kohës që e jetonim
sa një Botë e tërë ra në hall
derisa na nxori si popull në Dritën e Lirisë

Me llojë lloj emrash e thirrëm
me llojë lloj rrobash e mveshëm
e kurrë s’arritëm ta zdeshim
hamendjeve tona të sëmura
a ëndrrave të dëshirta

Ai erdhi mbolli e mbeti
në këtë Dardani të lashtë a Kosovë të re
vetëm me atë emër që e pagëzoi Shpia e Tij
si NJË ILIR i Moçëm i Bjeshkëve të Nemura
pa e luajtur kush nga Vendi Fjalën e Tij
….
( 2 dhjetor 2018 )

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.