DYLON

Si mund ta mendosh të ardhmen në një vend ku konsiderohesh fatlum nëse vazhdon të jetosh?!

Si mund ta mendosh të ardhmen në një vend ku konsiderohesh fatlum nëse vazhdon të jetosh?!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ardian Azemi

Gjilani sot është dëshmi e një të vërtete të hidhur: një shoqëri që nuk garanton jetën e qytetarit, që nuk ngjan në shtet, që nuk garanton as shpresë, por thjesht një hapësirë ku ndodh mbijetesa e rastësishme.

EkoHigjiena

Shteti ekziston për t’i mbrojtur qytetarët e tij. Ky është parimi themelor i çdo rendi juridik. Pa të, çdo ligj është letër e vdekur, çdo institucion është fasadë.

Kur organet e sigurisë dështojnë ta kryejnë këtë detyrë themelore, nuk kemi thjesht një incident tragjik; kemi shuarjen e kontratës së besimit mes qytetarit dhe shtetit.Sot, tri jetë u shuan. Jo vetëm se u shkaktua një krim, por sepse sistemi nuk e parandaloi atë. Kjo është humbja e të drejtës natyrore më themelore, të drejtës për të jetuar.

Në moralin njerëzor, kjo është një plagë që nuk mbyllet kurrë.

Si mund të kërkohet dashuri ndaj atdheut, kur ai nuk të ofron as gjënë më bazike: sigurinë për jetën tënde? Si mund të kërkohet të rritësh fëmijë këtu, kur normaliteti është luks dhe jo standard?

Si mund ta mendosh të ardhmen në një vend ku konsiderohesh fatlum nëse vazhdon të jetosh?

Një sistem i kalbur nuk reformohet duke ia ndërruar ngjyrën e mureve; ai mund të shpëtojë vetëm duke u rindërtuar nga themelet, me njerëz që e kuptojnë se jeta e qytetarit nuk është statistikë, por themeli i vetë ekzistencës së shtetit.

Sot, Gjilani nuk ka nevojë vetëm për ngushëllime; ka nevojë për drejtësi. E marta duhet të shpallet ditë zie, jo vetëm për ata që humbëm, por edhe për idealin e shtetit që sot, fatkeqësisht, nuk e gjetëm.

Jemi me mish e me shpirtë me familjet që sot pësuan.

Kushdo në botë sot duhet të jetë me Gjilanin e me Kosovën. Kudo po shoh tronditje të thellë nga ky rast. /2LONLINE/