Christopher Petkov nga Instituti i Neuroshkencës pranë Universitetit të Newcastle, beson se një zonë neuronesh të veçanta aktivizohen në momentin kur dëgjojmë zërat e familjarëve.
Në rastin kur dëgjojmë nota të njohura, si në rastin e zërit të mamasë apo të gjyshes, në trurin tonë aktivizohet një zonë neuronesh të veçanta. Ja se çfarë thotë një zbulim i ri. Çfarë ndodh në trurin tonë kur dëgjojmë një zë familjar? A ekzistojnë neurone të posaçme në njohjen e zërave? Me siguri po, thotë Christopher Petkov nga Instituti i Neuroshkencës i Universitetit Newcastle, i cili ka prezantuar rezultatet e kërkimit të tij gjatë Forumit Evropian të Neuroshkencës në Milano. Studiuesi në fjalë ka evidentuar “një zonë zërash” në trurin njerëzor.
Në fakt, ka kohë që njihet ekzistenca e disa neuroneve të veçanta për njohjen e fytyrës, por sipas Petkov edhe për zërat mund të jetë e njëjta zonë. Megjithatë, “neuronet pamore” pa dyshim funksionojnë në mënyrë të ndryshme nga “neuronet e dëgjimit”: ndërkohë që truri ynë reagon për njohjen e fytyrës së vetme familjare, për zërat nuk është kështu. “Nuk ekziston për shembull neuroni i zërit të gjyshes. Në të vërtetë ekziston një kategori specifike neuronesh që aktivizohen kur dëgjojmë zëra të njohur”, shpjegon Petkov. Me grupin e tij të kërkimit dhe në bashkëpunim me Institutin e Max Planck në Gjermani, Petkov ka kryer për herë të parë disa eksperimente te primatët, duke treguar se te shimpanzetë ekzistojnë disa neurone veçanërisht të ndjeshme ndaj zërave. Në këtë studim, ndjesitë e trurit kanë treguar aktivizimin e një lloj “zone të zërave”, e vendosur në lobet temporale.
Pra nuk është identifikuar një lidhje specifike neurone-zërash, por një zonë e tërë truri, që Petkov e ka përcaktuar si një “botë e vogël”. “Jemi çuditur kur konstatuam se të njëjtat neurone aktivizohen kur dëgjojmë zëra të ndryshëm”, ka komentuar studiuesi. “Është diçka e tillë sikur neuronet të thoshin ‘ja, ky është një zë që i përket llojit tim’, duke u aktivizuar menjëherë në njohjen e zërit”. Në studime të tjera, Petkov dhe kolegët e tij kanë hetuar përgjigjen e neuroneve të zërit në përgjigje të stimujve të shumtë. Qëllimi ishte për të hetuar lidhjet e mundshme mes njohjes së zërit dhe fytyrës. “Pyetëm veten se si kjo zonë e trurit është multi-ndijore dhe deri në çfarë pike është e mundur të bësh bashkë fytyrat dhe zërat”, thotë studiuesi. Gjatë eksperimentit, shimpanzetë iu nënshtruan stimujve dëgjimorë, vizivë dhe në fund audioviziv, ndërsa më pas është analizuar përgjigjja e tyre cerebrale.
Në rastin e zonës dëgjimore, neuronet u përgjigjeshin zërave, por jo fytyrave. Gjithsesi tregonin një ndijim me kombinim të dy stimujve. Në të kundërt, në vendet multindijore të zbuluara nga Petkov, neuronet u përgjigjeshin si zërave ashtu edhe fytyrave, ashtu si edhe kombinimit të tyre. “Kjo tregon se stimujt vizivë dhe dëgjimorë janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin. Zëri është si një ‘zë fytyrë’. Për këtë fakt, të studiosh mekanizmat e njohjes vokale mund të thotë shumë edhe për sistemin viziv”, përfundon Petkov. Informacioni dëgjimor përcillet nga veshët, përmes nervave dëgjimorë në tru, ku dhe interpretohet. Çdo vesh është i lidhur me trurin nëpërmjet një nervi të veçantë dëgjimor. Kështu, tingulli i kapur vetëm nga veshi i majtë, dërgohet vetëm në anën e majtë të trurit. Tingulli që kapet vetëm nga njëri vesh quhet monofonik. Qendrat dëgjimore më të larta të trurit shërbejnë për të përpunuar informacionin bifonik që kapet nga të dy veshët.