/Në vend të urimit/
/2L ONLINE/ – Të dashur yllka , fatosa e nxënës , për pak ditë, përkatësisht më 5 shtator, pritet të filloj viti i ri shkollor 2016 /17 për ju. Bëhuni si bimët, që mezi presin të thithin çdo pikë uji, e cila do t’ua shtojë gjallërinë e rritën, e me këtë edhe vlerën tuaj.
Rrini të gatshëm, që të nxini sa më shumë të mundeni, sepse çdo gjë e kaluar mbetet e harruar. Kujdes parësor të keni edukatë, të mirën pranojeni, ndërsa të shëmtuarën refuzojeni. Mos shikoni kush çka bëri, e ç’po bënë, por aktivizohuni prej ditës së parë dhe gjithë mësimet e mësimdhënësve, këshillat e tyre dhe prindërve tuaj, merrini si amanet që duhet të kryhet.
Bëhuni të urtë, të sjellshëm, të përgjegjshëm dhe bashkëpunues e punëtor . Gjithmonë nxirrni përgjegjësitë tuaja para të drejtave dhe lirive. Merreni shembull kampionen e Botës Majlinda Kelmendin. Celularët të cilët i shfrytëzoni, mos i përdorni vetëm për kopjime, fotografi e muzikë, por përpiquni që të bëheni programatorë, dizajnatorë dhe ekspert të fushave të ndryshme.
Lexoni sa të mundeni e mos shkruani me shkurtesa dhe pakuptueshëm, por çartë e drejtë, në mos për tjetër, për hirë të nënave tona, sepse këtë gjuhë ndryshe e njohim si gjuhë amtare… Nuk është turp të pyesni, ato që s’i kuptoni, turp është të dilni pa kuptuar! Nuk është e vërtetë se Bota nuk na do, përkundrazi, ajo na do aq sa e duam ne veten tonë. Fajtorin mos e kërkoni te tjerët, kërkojeni në veten tuaj.
Prindër të çmuar, jemi të vetëdijshëm se askush nuk i do fëmijët tuaj sa ju. Por , kursejini fëmijët nga politika, nga gjërat që s’u duhen, nga bisedat e rënda e pa porosi , filma e seriale të shëmtuara, pa asnjë porosi. Mundësisht, mos u lejoni të kenë celular me vete në shkollë. Apo, edhe nëse i lejoni, kontrolloni shpesh herë. Mund të kenë diçka të shëmtuar në ta (celular).
Vizitoni sa më shpesh shkollat dhe fëmijët, mos prisni vetëm kur t’u thërrasin mësimdhënësit, sepse çdo ditë mund tê jetë ndryshe për ta. Fëmijët nuk janë si makinat, t’i riparojmë kur t’i sigurojmë parat ! Edhe ashtu, ju jeni dëshmitarë të faktit, se askush nuk po interesohet për askë, pos vetes së tyre. Mos lejoni që fëmijët tuaj të rriten me ëndrra për perëndimin e egër e lindjen e largët ! Fundja, ç’na u dashtë liria e atdheu atëherë për të cilin u sakrifikua me shekuj?! Por, edhe nëse dikush ia mësyn perëndimit a lindjes, të mos jetë punëtor krahu, por ekspert i fushave të caktuara. Fëmijët tuaj janë të zot, dinë, vetëm u duhet ndihma juaj, e jona dhe këmbëngulësia.
As fëmijët pa ju e pa ne, as ne pa nxënës e juve , nuk mund të arrijmë asgjë ! Andaj , bashkëpunimin ngushtë me mësimdhënësit e fëmijëve tuaj, garanton sukses , e sukseset fitore.
Mësimdhënës të çmuar, mësimdhënia është art, e arti mjeshtri. Askush më mirë se ju nuk e njeh artin e mësimdhënies. Rrugët janë të ndryshme, por qëllimi mbetet i njëjtë. Mos dëgjoni kush çka u thotë. Në Angli vozitësi është në krahun e djathtë, ne mund të adaptohemi, por, rreziku është i madh. Pemët tropikale nuk kultivohen tek ne, sepse kushtet klimatike nuk e mundësojnë një gjë të tillë…
Përgjegjësia jonë është e madhe ndaj gjithë shoqërisë, por të mos harrojmë për asnjë çast, se përgjegjësia jonë më e madhe është ndaj krijuesit dhe nxënësve.
Drejtues të Arsimit, mos harroni përgjegjësinë para privilegjit. Ju jeni ata, që për dështimet tuaja do ta pësojnë fëmijët e rinia, zbritni në tokë dhe merruni me realen në vend të formales. Kujtoni pushtetin e kaluar dhe përpjekjet e tij për të shkatërruar këtë hallkë kryesore të shoqërisë… Mos realizoni projektet, të cilat pushteti i kaluar okupues nuk arriti ta shkatërrojë. Delegoni detyrat te secili mësimdhënës -vartës i juaji. Mos bëni përjashtime me paragjykim, se filani ose fisteku mund apo nuk mund t’i kryej detyrat. Bëhuni bashkëpunues, e mos shikoni nga po vijnë vërejtjet, sugjerimet a lëvdatat, por ku po qojnë ato?! Askush s’ka lind udhëheqës, por janë bërë, askush nuk ka lindur i suksesshëm, por janë bërë …
Fundja , merrini 100 mendime dhe në fund vendosni vet, por merreni përgjegjësinë. Mos akuzoni askënd, por veten tuaj, sepse ju jeni shkopitë e daulles, që do të duhet ta drejtoni vallen dhe valltarin!
Për fund, viti shkollor do të fillojë, me arsyetime banale a reale, nuk është problem yni. Secili punën e vet ta kryej me përgjegjësinë më të lartë, e kjo do të jetë e matshme, kur nxënësi tanë të dalin të edukuar, të përgjegjshëm, të ditur e të ngritur.
Edhe një gjë, arsimi shqip në Kosovë kurrë më ulët s’ka qenë, andaj për rënie mos u bëni merak, se s’ka ku shkon më poshtë! Por, përpiquni për ngritje, koha do të na gjykoj a shpërblej, Punë ka për të gjithë, vetëm dihet gatishmëri.
Gëzuar , e Zoti na ndihmoftë ! /2L ONLINE/