/2L ONLINE/ – Duket se Partia e Drejtësisë(PD) në Gjilan është bërë me dy struktura udhëheqëse të degës, që nuk njohin njëra tjetrën, duke e konsideruar vetën e tyre legjitime dhe tjetrën si jolegjitime. Ditë më parë, përkrahësit e Ferid Aganit, kryetarit të PD-së, kishin mbajtur një Kuvend të Jashtëzakonshëm, ku sipas tyre është shkarkuar, tani për ta, ish kryetarja e Degës Selvete Shurdhani dhe strukturat tjera, dhe është zgjedhur kryetari i ri Skender Berisha. Po ashtu është zgjedhur edhe kryesia e re. Por, në anë tjetër, ka reaguar menjëherë Selvete Shurdhani, sipas të cilës Dega e PD-së në Gjilan, që ajo drejton, dënon ashpër veprimet e fundit të z.Ferid Aganit dhe njerëzve të tij, i cili në kundërshtim me çdo normë ligjore po improvizon kuvend të degës në qytetin e Gjilanit, kuvend sa improvizues po aq tendencioz e përçarës dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe Programin e Partisë së Drejtësisë.
“Nuk e kuptoj faktin se çfarë vlere mund të ketë ky kuvend i z. Aganit, i bojkotuar nga Kryetarja e Degës së PD-së znj. Selvete Shurdhani, nga deputetja e vetme e Partisë së Drejtësisë që vjen po nga ky qytet znj. Labinote Demi Murtezi, si dhe të gjithë anëtarët e kryesisë së Degës së PD-së në qytetin e Gjilanit!!!”, thuhet në këtë reagim.
Shurdhani që, është edhe anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit ka qenë e qartë se një Kuvend i tillë është joligjor andaj edhe çfarëdo që ka dalë nga ai kuvend është i pavlerë sepse ajo vazhdon të drejtojë Degën e Gjilanit që për të është unike dhe e pathyeshme.
“Ne informojmë edhe njëherë simpatizuesit e Partisë së Drejtësisë dega në Gjilan, se dega jonë është unike dhe e pathyeshme. Ne do të vazhdojmë punën aktive në shërbim të qytetarëve të komunës sonë, ku dega e PD-së në Gjilan është e përfaqësuar edhe në Asamblenë e Kuvendit Komunal si edhe me Drejtorin e emergjencave, ku do të vazhdojmë punën e palodhshme në shërbim të qytetarëve gjilanas pa u ndalur asnjë çast përballë përçarësve të PD-së”, ka thënë në këtë reagim në emër të PD-së së Gjilanit, Selvete Shurdhani, kryetare e Degës së PD-së në Gjilan.
Lexo edhe: Berisha: Tani Dega e PD-së në Gjilan ka kryetarin dhe kryesinë legjitime
Mbetet që institucioni përkatës të zgjidh këtë çështje për të qartësuar se cila ëshët dega legjitime e PD-së në Gjilan, e duhet cekur se me probleme të tilla po kalojnë dhe do të kalojnë edhe degë të komunave tjera sikurse se edhe në qendër. /2L ONLINE/