Ishte paraparë të mbahej këtë të diel, por mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, është shtyrë për në janar. Këtë e kanë bërë të ditur për Radio Kosovën, burimet nga kabineti i Qeverisë Thaçi. Sipas këtyre burimeve, kjo mbledhje është shtyrë për një datë të pacaktuar në janar, me kërkesë të Qeverisë së Shqipërisë, ndërsa arsyet nuk dihen.
Prizreni këtë të diel do duhej të ishte nikoqir i dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, në një mbledhje të përbashkët. Por kjo nuk do të ndodhë, pasi që, siç bëjnë të ditur burimet nga Qeveria e Kosovës, kjo mbledhje është shtyrë për një datë të pacaktuar në muajin janar. Kjo është bërë me kërkesë të Qeverisë së Shqipërisë, ndërsa arsyet nuk janë bërë të ditura. Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, mirëpo ka munguar konfirmimi zyrtar nga të dyja palët, transmeton RTK.
Sidoqoftë, një mbledhje e mundshme ndërmjet dy qeverive, nga partitë politike në Kosovë shihet në mënyra të ndryshme. Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së, thotë se ka qenë ëndërr historike një mbledhje e tillë, ndërsa shton se duhet punuar për harmonizimin e legjislacionit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Sigurisht që aspektet konkrete të realizimit të përafrimit të legjislacionit i takon ministrive përkatëse që ta përafrojnë legjislacionin, aty ku ka nevojë të përafrohet legjislacioni”, tha ai.
Hap të mirë e vlerëson nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi një mbledhje të tillë, por ai thotë se kjo duhet të rezultojë me bashkëpunim konkret praktik.
“Dy qeveritë nuk duhet të takohen vetëm simbolikisht, por duhet të ndërmarrin hapa që e ofrojnë kombin tonë në funksionimin sidomos të atyre që janë angazhime të përbashkëta për integrime evropiane, po ashtu edhe në interesat ekonomikë që ndërlidhen, sepse kjo e forcon më shumë identitetin tonë”, tha Isufi për Radio Kosovën.
Kurse, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka një qasje tjetër.
“Po të kish qenë kjo mbledhje që do të ishte mbledhje për të koordinuar me Shqipërinë për shembull përpjekjet si të kundërshtohen ambiciet e Daçiqit në Kosovës si të ndalet krijimi i asociacionit të komunave serbe, si të shtrihet sovraniteti i Kosovës atje, si të arrestohen eksponentët e krimit të organizuar në veri dhe për këtë arsye po mbahet mbledhja me Qeverinë e Shqipërisë, atëherë do të besoja se është një mbledhje me karakter vërtetë kombëtar dhe për interesat tona”, tha Konjufca për Radio Kosovën.
Sipas Konjufcës, përderisa lëshohet vazhdimisht pe ndaj Serbisë, mbledhjet e tilla mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë bëhen vetëm sa për sy e faqe.
Në shtator, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, vendosën që në muajin nëntor, me rastin e festës së 28 Nëntorit, të mbahet në Prizren një mbledhje e përbashkët e dy qeverive. Por, kjo mbledhje u shty me kërkesë të Qeverisë së Kosovës për në mesin e dhjetorit, për shkak të procesit elektoral në Kosovë.