Shteti privat i pronësuar nga individët
Shkruan Shefik SHKODRA
Partitë pa asnjë reformë – me shantazh si në monizëm
Vështirë është të dalin këta njerëz nga gëzhoja e sistemit monist. Atë e kanë mësuar nga literatura dhe nga ndikimi i të tjerëve të deridjeshëm. Qe prej pas luftës, asnjëra prej partive të mëdha nuk bëri kurrfarë reforme. PDK dhe LDK, sidomos kjo e para, kohëve të fundit, ka një anëtarësim të papërshtatshëm dhe pa kriter. Nga të dy këto parti, me përzierje heterogjene të profileve e të një morali shumë të ulët, madje edhe kriminelë, spiunë në atë mes, kanë bërë që ta sjellin gjendjen kaotike, duke menduar gjithnjë te numrat. Por edhe vetë programi (i pa qenë) i tyre për ta qeveris vendin e jo vetveten e klanin. U pa me themelimin e institucioneve nga këto parti politike si koalicion i padëshirueshëm, nga vetë ata në mes veti, po dhe nga opinioni i gjerë i qytetarëve. Dhe këtë iniciativë e ka marrë mbi vete PDK. Kjo u vërejt për sa kohë u bë pas themelimit të institucioneve. Ato nuk bënë kurrfarë reforme brenda vetes më parë. Njësoj si LDK në bashkë-qeverisje, e cila si duket në fatkeqësinë e tjetrës po jeton edhe ndonjë ditë. Vetëvendosja, nëse për shumë çka duket shumë “radikale”, këtë ndryshim e bëri. Dhe kjo shihet publikisht. Sa do të jetë për interesa qytetare nuk dihet tash për tash. Në interesin partiak duhet të shihet pasqyrë edhe interesi qytetar e shtetëror. Më mirë të bëhen ndryshimet e brendshme, e të përgatiten për diçka që çon peshë në këtë shoqëri, se sa të ngurosemi. Në popull thuhet: “uji që nuk ecë, nuk pihet!” Lideri partiak mundet të mos jetë me funksion të lartë në parti.
Parlamenti – shumë dobët me Qeverinë
Fillojmë nga Parlamenti dhe Qeveria, dy institucionet kryesore të shtetit, me përbërje jo të kënaqshme. Në institucionin e parë, legjislacioni i vendit, deputetët interesat e tyre përpiqen t’i ruajnë si të përhershme. Të ndërlidhur prej partie në tjetrën në koalicion. Por edhe opozita, shumë dobët! Shumë të paaftë përfaqësuesit e institucioneve tona. Më tepër se 90% e deputetëve janë të paformuar, të pavetëdijshëm, të painformuar e të pa ngritur as moralisht e as shkencërisht. Kjo nis nga kreu i Parlamentit. Pasqyrë reale ishte dita e hënë, 03 gusht e këtij viti. Vërtet turp është të gjendesh në mesin e atyre, që rendin e punës nuk e përcjellin, as flasin për pikën e rendit të caktuar. Secili prej tyre përgatit fjalime çka i bie ndërmend. Kur duhet të jenë aty qeveritarët, janë të “zënë” me punë tjera. Dhe kur kanë ndonjë therje nga zemre (që s’u konvenon), atëherë gjithqysh duhet përcjellë krejt diskutimet…
Çka kanë rëndësi gjithmonë diskutimet e tyre, pavarësisht për çka është fjala, ngrihen dhe i rrëfejnë të njëjtat pallavra! Përse shesin aq patriotizëm të panevojshëm, duke i rrëfyer opinionit publik gjëra që nuk kanë nevojë t’i dëgjojnë më prej tyre. Çfarë janë këta lavdraçë, si qenie të shpifura? Sikur të ishin anormal, delikuent, apo alienë (fantazi e kohës). Thua, duhet të qash për mjerimin e tyre. Por jo. Rrjetet e inkriminuara të partive (atyre në pushtet më parë) janë të futura thellë në brendësi të “strofujve” të ndërmjetësuara me parulla “patriotike”, që shkatërruan vendin dhe asnjëri s’doli të tregohet përgjegjës. Kështu mendojnë se populli i ha këto dokrra. Edhe ndonjë qyqan i jetës së vet, u ngjit dhe veproi shkëlqyeshëm në zhvillimin e korrupsionit dhe krimit, ashtu si servil që e ka natyrën. Cilin shtet, në ç’vend, e në cilën kohë këta njerëz mund ta ndërtonin? Të kohës së sotme, jo! Sigurisht zor se do të mundnin as para dy-tre shekujve në Ballkanin e prapambetur e të shkretuar. Sidomos në mesin e qytetarëve shqiptarë, sikur është pa nga historia edhe pas shpalljes së Pavarësisë, më 1912. Në ato kohë, kur shqiptarët, shumica nuk dinin ç’është politika e ç’është organizimi i shtetit. Populli, tash për tash është “inspektori” më i mirë për vlerësimin e dukurive në shoqëri, çfarëdo qofshin, sjelljet e udhëheqësve shënohen menjëherë si përshtypje te masa. Është si një orë që matë kohën. Por, është e çuditshme, që për interesa të vogla, apo për mos guximin e duhur, vjen si një farë robërimi shpirtërorë, edhe pse janë të vetëdijshëm, nuk reagojnë ku e kur duhet. Sikur nuk mund të shpërthejnë një tis mjegulle për të arritur deri te caku.
Parlamenti pa seanca të veçanta
Fol çka të duash. Diçka duhet të flasësh. Publiku të sheh se, vërtet e ke ngritur diçka zërin. Njerëzit do të thoshin, “ky/kjo/ i, e zoti/znja, është për popull. Po bërtet diçka me zë të lartë. Deputetët e Kuvendit e kanë atë punë, që, sa herë të ketë nevojë e për çfarëdo problemi mund të organizojnë seanca. Ata janë të vetëdijshëm. Jo në seanca me rend të përcaktuar , që të përziejnë drithemiell. Ata kanë kryesinë e Kuvendit. Me nënshkrimet e tyre sipas rregullores fusin edhe mocionet që duhet. Ata e diskutojnë të keqën dhe të mirën. Le të thirren seanca për dialog e diferencime të nevojshme. Shumë në mënyrë parlamentare, me sjelljet e tyre që do të ishin shembull edhe për qytetarët tjerë më të rinj. Mund të thotë njeri dhe tjetri, që ishte spiun, që ishte rrenacak për tjetrin, që ishte demagog, që ishte vjedhës, vrasës, etj. po edhe për probleme të tjera. Pse nuk keni bërë rregullore, që, asnjëri që është me dosje, shkurt që është i përlyer me vepër penale, të mos zgjidhet në asnjë post institucional e as deputet?! Kjo del pak e rëndë për dikë, a? Po a dini të trajtoni probleme të tjera me rëndësi të përgjithshme të këtyre qytetarëve dhe të këtij vendi? P.sh. problemet në ekonomi: import – eksport; rritja e punësimit dhe hapja e vendeve të punës; zhdukja e korrupsionit dhe kriminalitetit; rritja e cilësisë në arsim; rritja e efikasitetit në shëndetësi; artikujt ushqimorë të importuar nga Serbia (a ishin dhe a janë të sigurt për konsumin e gjerë) dhe si duhet të sigurohemi nga arma e ftohtë e Serbisë. Kush janë ata që po na kanë monopolizuar krejt ekonominë. Kush i mbështet ata aq fort. Ku është arsyeja që të na shkatërrojnë me helme shëndetin prej Serbisë kompanitë me emër dhe vendbanim në Kosovë; si bë privatizimi dhe është në dobi të shtetit apo të klaneve; Pse na ikën aq shumë qytetarë në botën e jashtme, si në kohën e Sllobit? A jemi ne fajtorë, apo…? Këto dhe të tjera çështje, më duket, Parlamenti i pari (zëri i popullit) ka të drejtë t’i shqyrtojë e të bëj konkluzione.
Papërgjegjësi – “sallamadi” – interesi i ngushtë
Po mendojnë se shumë kanë bërë në interes të qytetarëve dhe të këtij vendi?! Sa herë janë thënë gjërat e njëjta prej fillimit e deri në këto ditë (është defekt individual e pastaj kolektiv me këto lavde përtej limitit), e këtë e vlerësojnë të tjerët, dhe nuk është bërë aq sa është dashur, dhe as minimumi. Ju parti të sotme, me ministra, deputetë e zyrtarë të tjerë, veç potera zhvilloni, kush është dhe kush duhet të dominojë. Ju tjetër punë nuk keni para këtij populli?! Ani ai shefi i grupit të LDK, po çka mendon shoqi i tij?! Po këta qytetarë të gjithëve u njohin e po u përcjellin në çdo hap qe sa kohë. Po të gjithë e dinë sa je ti i drejtë dhe sa je në rregull në veprimet e tua. Kjo vlen si për atë tjetrin, të gjithë, gati njësoj! Edhe ata të rinj që kanë ardhur në pushtet kësaj here, shumë janë të ndikuar, në mos më keq se ata që janë të stërvitur dhe i shikojnë planet e tyre kaherë. Këndej, sikur merren me politikë, shëndetësinë, arsimin, gjyqësinë, po jo. Kanë diçka më të vlefshme: lidhja e përbashkët në pasurimin e vetvetes sa më shpejt…Nepotizmi është zyrtarizuar në heshtje, si ndonjë ligj i aprovuar nga deputetët. Të gjithë resorët me skandale, si ai shëndetësisë, ai i gjyqësisë, ai ekonomisë, i arsimit…S’ka mbetur të mbetet nëpunës i papërlyer prej korrupsionit e kriminalitetit. Cila parti, cili lider ka mbetur i përshtatshëm për ngritjen e këtij vendi? Kjo është një pikëpyetje për qytetarët tanë.
Retorika bajate
Flitet për Gjykatën Speciale (dashtë Zoti të zhvillohet drejtësi ) dhe fillojnë grindjet. Opozita e dobët, përveç dy-tre të VV-sjes, e fut një mocion për Gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia. Nuk kalon prej koalicionit. Po ku ishit më herët? Kush u pengoi ta bëni një gjë të tillë më herët? Po pse, pa nevojë i bëni ato ngatërresa? Dhe sado e mirë qoftë retorika, stili dhe tingëllima, ajo mbetet si e tillë. Nuk na ndihmon shumë.
Kryesia dhe kryetari i Parlamentit duhet të ketë një agjendë vjetore (?), plan-program për prioritetet shtetërore. Po, pse ju veç vetën e ruani dhe reagoni aq shpejt kur ju djeg dikush me një fjalë? A ka mundësi të debatohet për gjyqet dhe moszbatimin e ligjit (seancë në vete), zbatimi i ligjit në tërë territorin dhe për të gjithë njësoj (kjo mendësi ua ka sjellë një gjykatë nga të huajt) dhe ju përpiqeni në momentin e fundit të bëni zhurmë, se e pranoni s’e pranoni Gjykatën Speciale. Pse ju ngarendni t’i mbuloni gabimet dhe fëlliqësitë e juaja individuale dhe grupore, duke u marrë me lëvdata dhe autobiografi, e me histori si të ishit krijesa të veçanta mbi këtë tokë. Nuk është çudi, sepse sipas ndonjë lideri, ka zi e më zi në vendet përreth, si në Shqipëri, në Serbi…kështu i konvenon tipit, që edhe këtu të shkojë “vëllaçë” puna jonë (mbulimi i të metave dhe gabimeve), sepse në mjegull gjuhet më lehtë. Deputeti-ja i (e) jonë mban fjalim gjysmë ore për gjenocidin që është bërë në Kosovë, kur ka mundësi të caktohet një seancë në veti për këtë çështje. Kjo është veç me thënë diçka se “jam përgjegjës”. Po ju duhet të shkoni në trajnime për rendin e punës dhe sjelljen në parlament. Pse nuk ka seancë të veçantë për lustracionin. Për gabimet para, gjatë e pas luftës, të bëra nga vetë këto personazhe të cilës do parti qofshin. Pse i hidhni para opinionit publik të palarat e juaja. Të sharat dhe pamaturitë, kur ajo temë s’ka qenë në rend dite. Si, babai yt ka qenë bashkëpunëtor, e ai i yti ka vjedh këtë e atë, ky tjetri është dhunues gjatë luftës, etj. fëlliqësira! Vetë lehim si qen dhe e thërrasim ujkun në torishtë!…
Tërhiquni nga partitë e inkriminuara
Meqenëse, paria jonë nuk dëshiron të dëgjoj askënd, atëherë, të nderuar qytetarë tërhiquni prej tyre. Asgjësojeni votën e juaj. Distancohuni nga vota e juaj për kandidatin(-tët) e juaj (nëse vërtet e keni votuar ndonjërin), sepse ata nuk ju përgjigjen asgjë ju. Abstrahojeni njohjen e këtyre njerëzve që, s’bëjnë asgjë tjetër, si është thënë shumë hera, veç pasurimit me plaçkë, kontrabandizëm e kriminalitet. Qytetarë të nderuar, largojuni rrenave dhe rrenacakëve. Ata nuk i kanë kursyer as shokët e luftës (të gjallë e të vdekur); ata nuk kanë shikuar interesat e kategorive sociale të qytetarëve; ata i kanë shpallë njerëzit e moshuar të vdekur; ata nuk kanë zgjedhë kuadro për punë profesionale; ata kanë gjetur hajdutë e servilë për t’ua krye punët e xhepit të tyre. Ata janë e keqja e këtij vendi!
Qytetarë të nderuar! Ju mos u dëshpëroni, sepse ka zgjidhje. Vetëm zgjidhja kërkohet në mënyrë paqësore, pa eksese e dëme fatale, sepse do të bëheshim gazi i botës. Gjykatësit dhe gjyqësia duhet të zgjidhen. Të punojnë me drejtësi e në të mirën e këtij vendi. Policia duhet të jetë e përpiktë në punën e vet. Të gjithë kriminelët dhe të korruptuarit duhet të gjykohen dhe t’u merret pasuria e t’i kthehet këtij populli, i cili çdo ditë ikë nga vendi i vet, për të gjetur një copë bukë nëpër dyert evropiane. Për të gjetur një strehë rehatie kudo tjetër, larg atdheut të tyre. /2L ONLINE/
