(2LONLINE) – Ndoshta titulli i këtij shkrimi tingëllon pak si rëndë, por zakonisht termi koncesion që po përdoret për dhënie nën menaxhim të një aseti shtetëror ndonjë kompanie, për shkak të dështimit apo pamundësisë së shtetit për ta menaxhuar, dhe në anën tjetër kur i numërojmë skandalet e shumta korruptive qeveritare dhe dështimet e njëpasnjëshme për funksionalizimin e shtetit të Kosovës, pothuaj se në të gjitha fushat, të gjitha përfundimet na qojnë në atë drejtim se vërtetë kemi dështuar në çdo plan, si politik, ekonomik, ligjor e demokratik dhe nuk na ka mbetur tjetër veçse ta japim edhe shtetin në koncesion. Por këtu shtrohet edhe pyetja se kush do të ishte ‘koncesionari’ i shtetit të Kosovës në këtë rast, pasi që një kompani të dështuar dhe jo profitabile nuk do të ishte asnjë investitor serioz për ta marrë nën menaxhim.
Duke e parë degradimin dhe komprometimin e përditshëm të shtetit të Kosovës në shumicën e sektorëve, si në arsim me rastet korruptive në UP, skandalet e ndryshme të korrupsionit në MPB dhe në ministritë e tjera qeveritare si dhe ngarendjet nëpër gjykata të shumë kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, shtrohet pyetja se vërtetë a jemi ne të përgatitur për ta bërë dhe për ta udhëhequr shtetin tonë aq shumë të dëshiruar. Athua, aq shumë gjenerata u sakrifikuan për këtë shtet dhe për lirinë e Kosovës e cila po nëpërkëmbet dhe po përdhoset nga grupet mafioze të veshura me pushtet, sa që me të drejtë mund të parashtrohet pyetja se për çfarë shteti qenkan sakrifikuar bijtë dhe bijat më të mira të kombit tonë.
Kur armiqtë tanë shekullorë propagandonin se shqiptarët nuk janë të aftë të bëjnë dhe të mbajnë shtet, ne të gjithë bëheshim nervozë dhe mundoheshim në çfarëdo forme t’i kundërviheshim asaj propagande qëllimkeqe. Mirëpo, pasi që arritëm me ndihmën e miqve tanë ta bëjmë shtetin apo ndoshta ‘kuazi-shtetin’, ne shohim se jo vetëm se qenka shumë vështirë për ta bërë, por shumë më vështirë na qenka për ta mbajtur dhe për ta konsoliduar atë.
Në prag të përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë, nuk di se për çfarë do të mund të mburreshim që festa dhe gëzimi ta kenë shijen dhe kuptimin e vet. Për 15 vite në liri dhe për 6 vite pavarësi të Shtetit të Kosovës, qytetarët me të drejtë shtrojnë pyetje për të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre në një shtet ku korrupsioni është në majat e ranglistave, ku kriminaliteti dhe pasiguria shkon gjithnjë në rritje, ku papunësia manipulohet me shifra dhe terma të shpikur qeveritarë, mirëpo në cilin do variant ajo prapë mbetet në shkallë alarmante. Në cilindo variant 30.9 % apo 45%, ne prapë jemi në mesin e vendeve me papunësinë më të lartë në glob.
Perspektiva e zymtë ekonomike së bashku me të gjitha skandalet qeveritare , kanë prodhuar një gjendje alarmi dhe se qetësia sociale është shumë afër shpërthimit, ndërsa këtë po e mban vetëm dëshira dhe dashuria për ta ruajtur shtetin e fituar me mund dhe gjak. Kështu debatet tona po vazhdojnë pa prodhuar asnjë rezultat dhe energjitë tona po shteren duke vajtuar tërë kohën por pa mundur të ndryshojmë asgjë në realitet. Por, kur ne kërkojmë ndryshime, ato duhet të fillojnë së pari nëpër partitë politike përmes demokratizimit të brendshëm dhe përgjithësisht nga shoqëria kosovare, një ndërgjegjësim dhe guxim më i madh intelektual dhe një vullnet më i madh për ndryshime pozitive dhe një aktivizim më të fuqishëm qytetar.
Thirrjet për të mos parë gjithçka zi dhe për të mos i mohuar të gjitha të arriturat tona, që vijnë sidomos nga mbështetësit e qeverisë, mund edhe të kuptohen se përkundër dështimeve të shumta, mund të ketë edhe ndonjë sukses. Mirëpo, problemi qëndron në atë se ka aq shumë dështime dhe skandale, sa që ato pak suksese edhe nuk mund të shihen fare në këtë rast.
Në fund, pra fokusi i parë duhet të jetë forcimi i sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor, para se të krijojmë një strategji të mirëfilltë zhvillimore, duke përfshirë të gjithë sektorët strategjikë që mundësojnë një zhvillim normal siç janë: arsimi cilësor në të gjitha nivelet, konsulenca dhe trajnimet profesionale në bashkëpunim me qendra për aftësime profesionale nëpër vende të zhvilluara me të cilat vendi ynë mund të ndërtojë partneritete të qëndrueshme, të ketë investime në sektorët strategjikë siç është energjia dhe bujqësia si dhe përmirësimi i kushteve të kreditimit të bizneseve prodhuese në bashkëpunim me sektorin bankar. Qeveria duhet patjetër të negociojë edhe me bankat që operojnë në Kosovë për uljen graduale të përqindjes së kredive për biznese, ngase normat e tanishme të interesit janë jashtëzakonisht të larta dhe nuk mundësojnë një zhvillim të dëshirueshëm e të qëndrueshëm ekonomik, duke i krahasuar ato edhe me vendet e rajonit.
Për fund pra, edhe lajmi për Themelimin e Tribunalit Evropian për Kosovën është një argument shtesë se pasi që kemi dështuar në bërjen e shtetit ligjor në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, po detyrohemi që miqtë tanë dhe të tjerët ta marrin këtë detyrë të cilën ne nuk kemi arritur ta kryejmë. /2lonlie/
Nexhat HAJRULLAHU