DYLON

Shtëpia shkollë në Llashticë – Objekt i rëndësishëm kulturor me vlerë historike

Shtëpia shkollë në Llashticë – Objekt i rëndësishëm kulturor me vlerë historike
Avatar photo Redaksia

Nga: Ma sc. Merita Veseli Berisha, historiane, QRTK, Gjilan

Në qendër të fshatit Llashticë, përballë xhamisë gjendet shtëpia e Feriz Berishës, apo ndryshe si njihej Feriz Llashtica. Dikur kjo ndërtesë banimi ishte shfrytëzuar si ndërtesë administrative, e më vonë shkollë e fshatit. “Monumenti është ndërtuar në vitin 1936 nga Feriz Llashtica”,[1] dhe shfaq karakteristika tipike të ndërtimit të shtëpive të vjetra qytetare dhe se paraqet vlera të veçanta historike, arkitekturore dhe shoqërore.

EkoHigjiena

Feriz Llashtica ishte ndër atdhetarët e shquar të popullit tonë. “Pas Luftës së Parë Botërore ishte kryetar i Komunës së Pasjanit, Velekincës dhe Novobërdës. Veprimtaria e tij e guximshme e bëri objekt të ndjekjes nga pushteti i atëhershëm, ndjekur nga politika serbe. Në vjeshtën e vitit 1944, Feriz Berisha u arrestua së bashku me shumë personalitete të njohura të kohës.

Në natën në mes të 25, 26 dhjetorit të vitit 1944, Ferizi ishte pushkatuar nga organet e OZN-ës. Ndërsa djali i tij Vehbi Berisha pak kohë më parë ishte vrarë në masakrën e Llashticës.”[2] 

Shërbimi i palëkundur ndaj kauzës kombëtare, Feriz Salih Berishën e bën ndër figurat më të  rëndësishme në historinë tonë dhe në përpjekjet për të drejtat e popullit shqiptar. Ai  simbolizon qëndresën dhe përkushtimin ndaj atdheut dhe lirisë.

Pas gjithë këtyre të këqijave që i solli  pushtetit serb kësaj familje, nuk u mjaftua me to, prandaj qarqet komuniste filluan edhe shpronësimin e pasardhësve të Feriz Berishës nga e drejta e shfrytëzimit të pronës private, në këtë kontekst i konfiskohet edhe shtëpia familjare.

Në shtëpinë e tij të uzurpuar në fshatin Llashticë instaluan administratën e tyre (komunën), ndërsa hambarin e shndërruan në burg (Hambari i Feriz Llashticës ndodhet në Listën e Monumenteve në Mbrojtje të Përkohshme me numër unik 2681).[3]

Më vonë në vitin 1946, kjo shtëpi u shndërrua në shkollë në mungesë të një objekti shkollor në fshat. Në këtë shtëpi u arrit që për së pari herë të mësohen shkronjat e para shqipe. Ndërsa Fadile Berisha e bija e Ferizit organizoi kurse të ndryshme për vajzat e fshatit për mësimin e shkrim leximit në kuadër të aksionit për zhdukjen e analfabetizmit në vitin 1947[4]  

Objekti është ndërtuar në kat, me planimetri 6.30m x 13.30m dhe se dallohet për simetrinë gjeometrike dhe përpunimin e detajuar të elementeve prej druri.

Materialet tradicionale si guri, qerpiçi e hatullat kontribuojnë në identitetin unik të ndërtesës. Fasada e cila dikur ka qenë e mbuluar me gëlqere, tani ka përjetuar një degradim të dukshëm, duke shkaktuar humbjen e disa detajeve të saj origjinale. Në formën aktuale, kjo fasadë është përballur me një rënie të konsiderueshme duke i dhënë ndërtesës një pamje të thjeshtë dhe të thyer. Ndërsa, dritaret në fasadën ballore krijojnë një ritëm vizual të përsëritur.

Karakteristikë e ndërtesës është dhe çardaku, i cili dallohet për formën e tij konzoll që del nga perimetri i murit të katit  mbi derën hyrëse të përdheses. Ky element arkitektonik, i cili ofron një pamje tërheqëse dhe funksionalitet të shtuar, përfaqëson një nga karakteristikat të rëndësishme të stilit të saj të veçantë.  

Hyrja kryesore e shtëpisë ndodhet në anën lindore dhe realizohet përmes dy shkallëve të punuara me gurë.

Dyert nga druri që çojnë në hollin e përdheses janë dy krahëshe, dhe kanë një dizajn estetik dhe praktik, ndërsa pjesa e sipërme me xham lejon dritën natyrale të hyjë në brendësi të shtëpisë. Përkrah derës, ka nga një dritare në formë drejtkëndëshi, që gjithashtu kontribuon në ndriçimin e hapësirës.

Përdhesi është një hapësirë që përmban hollin dhe dy dhomat. Në holl përballë hyrjes kryesore, shquhen shkallët me mbajtëse anash të punuara nga druri. Dhoma në anën e majtë karakterizohet nga një dritare, në masën e së cilës, në të tre anët është i shtuar një  lloj parapeti i dalë jashtë rreth 0.50 cm. Dhoma ka dhe hamamxhikun, ndërsa në anën jugore të dhomës, dikur ishte një derë që lidhte atë me ahurin, e që më vonë është mbyllur.

Oda ndodhet në anën e djathtë të përdheses e pajisur me oxhak, anash tij janë dy dollapë që mbylleshin me kapakë të punuar nga druri njashtu sikurse edhe në dhomat e tjera. Në ballë ka derën me qasje të drejtpërdrejtë me oborrin. Si dhomë e destinuar për pritje – odë, me qasje më të lehtë. Po në këtë anë ndodhet dritarja tre krahëshe nga druri, ndërsa në anën ballore të shtëpisë ka një dritare të vogël katrore.  Tavani i dhomës është i mbuluar me dërrasa, i përforcuar nga tetë trarë dhe një tjetër që kalon përmes tyre në anën e kundërt, sikurse edhe korridori. Kati ka dy dhoma dhe çardakun e ngritur paksa në reliev i dalë konzoll mbi derën e hyrjes së përdheses i rrethuar me nga dy  palë dritare dy krahëshe në anën ballore të fasadës dhe nga një dritare dy krahëshe anash të vendosura në mënyrë simetrike të gjitha.

Dhomat janë të pajisura me oxhakë dhe dollapë të cilët dikur mbylleshin me kapakë nga druri, përveç se dhoma në të djathtë ka dhe një ndarje që është përdorur si banjo. Ndërsa, dyshemeja e katit sikurse e përdheses është e shtruar me dërrasa.

Kjo ndërtesë e cila përfaqëson vlera të rëndësishme historike, arkitekturore e shoqërore, është propozuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Gjilan, për t’u përfshirë në Listën e Monumenteve në Mbrojtje të Përkohshme. Në këtë rast synohet ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë sonë kulturore në Rajonin e Gjilanit. /2LONLINE/


[1]Marr nga Tahire Berisha (Bashkëshortja e djalit të Feriz Llashticës).

[2] Argjend Hasani – Xhevat Berisha, Spahijajt e Llashticës, Monografi, Prishtina Press, Prishtinë, 2014, f.64, 65.

[3] Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Gjilan, Trashëgimia Kulturore e Rajonit të Gjilanit 1, Gjilan 2016, fq. 160.

[4] Argjend Hasani – Xhevat Berisha, Spahijajt e Llashticës, Monografi, Prishtina Press, Prishtinë, 2014, f. 173.