DYLON

Shtegtari i lirë i gëzohet lajmit për liberalizim të vizave

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komisioni Evropian sot ka propozuar në Këshillin e Bashkimit Evropian dhe Parlamentin Evropian heqjen e vizave për popullin e Kosovës. Kësisoj Kosova është transferuar në listën pa viza për të hyrë në zonën Shengen. Propozimi është paraqitur së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit, të cilët kanë konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Ky lajm e ka gëzuar shumë edhe Jahi Mustafën, gjilanasin që bashkë me katër shokë të tij, kishte rrugëtuar në këmbë nga Gjilani në Bruksel, udhëtim ky me moton “5 milionë hapa për një hap”, si simbolikë e sensibilizimit të strukturave europiane për t’u bërë i mundshëm liberalizimi i vizave sa më parë që është e mundshme edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.

EkoHigjiena

Ky rrugëtim i Mustafës dhe shokëve të tij kishte nisur me 30 prill 2014 për të përfunduar me 17 korrik 2014, duke bërë që kjo ecje në këmbë, me këtë simbolikë të zgjatë 78 ditë dhe sot pothuajse gati dy vite më pas kemi një lajm të tillë, të cilit iu është gëzuar ai.

Jahi Mustafa, Ekrem Avdija, Nazim Ajdini, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha ishin pesë shtegtarë që ishin nisur për këtë rrugëtim 78 ditësh (katër prej tyre e kanë përfunduar), për t’i kaluar në këmbë mbi 2500 kilometra deri në Bruksel ku kishin takuar përfaqësues të Bashkimit Evropian, ku u kanë sqaruar atyre se rrugëtimin e tyre drejt kryeqendrës evropiane, e kishin bërë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, e kishin bërë që mesazhin e kosovarëve për liberalizim vizash ta dërgojnë në Bruksel.

Jahi Mustafa edhe sot rikujton për Portalin 2LONLINE, se simbolika e ecjes këmbë për 78 ditë prej Gjilanit drejt Brukselit kishte pasur për qëllim të madh të përçojë kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë, për mundësi të lirë dhe mundësi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës.

Mustafa thotë se tani ndihet i emocionuar sepse edhe kosovarët mund të lëvizin lirshëm, të mos jenë të izoluar dhe se një sakrificë e tyre që e kanë bërë vullnetshëm për popullin e Kosovës, doli të mos ketë shkuar huq.

“Unë sot jam ndier i lumtur, veçmas për shkak të kontaktit të shumtë, qoftë përmes telefonit, qoftë përmes emailit apo rrjetit social, të shumë qytetarëve të cilët ma kanë përkujtuar edhe njëherë udhëtimin që patëm bërë unë e shokët e mi, duke më uruar dhe duke ma vlerësuar atë mund”, ka thënë Jahi Mustafa. /2L ONLINE/