(2LONLINE) – Grupi “Shtegtarët e Lirë”, që kanë nisur marshutën e tyre në këmbë prej Gjilanit për në Bruksel, për të përçuar mesazhin e domosdoshmërisë për një lëvizje të lirë, pa viza, për të gjithë, pasi edhe Kosova është Evropë, iu janë ofruar kufirit Kosovës – Mal i Zi. Ata kanë arritur në fshatin Radavc të Pejës, diku 10 kilometra afër kufirit, ku edhe do të kalojnë natën, ndërsa nesër do të vazhdojnë rrugën dhe pritet të kalojnë kufirin për të hyrë në territorin e Malit të Zi.
Ekrem Avdija, Jahi Mustafa, Nazim Ajdini, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha janë pesë shtegtarë që janë nisur në këtë rrugëtim 78 ditësh e ku pritet të kalojnë mbi 2500 kilometra në këmbë deri në Bruksel ku pritet të arrijnë më 17 korrik, në orën 14 e 20 minuta.
Ekrem Avdija, kreu i shtegtarëve i ka thënë Portalit 2Lonline se atje pritet të kenë takim me Komisionerin për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë Evropiane, Stefan Fyle, dhe me përfaqësuesen e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.
Përndryshe, “Shtegtarët e Lirë’ janë nisur me 30 prill nga Gjilani dhe se në këto ditë të para të këtij rrugëtimi thonë se çdo gjë po shkon sipas planifikimit, përjashtuar incidentin në Graçanicë, kur turma serbe i kishte sulmuar, fatmirësisht pa pasoja të mëdha.
E, Avdija i ka thënë 2Lonline se ndihen mirë me shëndet që të gjithë shtegtarët në këto pesë ditë rrugëtimi edhe ajo çfarë e gëzon, u jep forcë dhe kurajo, për të vazhduar tutje rrugëtimin, është përkrahja e madhe e qytetarëve kudo kah po kalojnë.
Sa i përket incidentit në Graçanicë ku ishin sulmuar nga qytetarët serb, Avdija thotë se janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë deklaratat e ndonjë zyrtari serb se ata qytetarë serb ishin provokuar, ndërsa ka bërë me dije se rrugëtimin e tyre drejt kryeqendrës evropiane, po e bëjnë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, po e bëjnë që mesazhin e kosovarëve për liberalizim vizash ta dërgojnë në Bruksel.
Përndryshe, “Shtegtarët e lirë”, kanë marrë përkrahje edhe nga institucionet lokale e qendrore. Udhembarën e parë dhe Flamurin e Kosovës atyre ua kishte dhënë kreu i komunës së Gjilan Lutfi Haziri i cili me këtë rast kishte thënë se simbolika e ecjes drejt Brukselit ka qëllimin e madh që ta përçojnë kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë, për mundësi të lirë dhe mundësi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës.
“Këta po nisen prej lindjes së Kosovës drejt perëndimit të Evropës, drejt asaj qendre politike që të gjithë e kemi synuar tash e 100 vjet. I dëshiroj këtij grupi shëndet, rrugë të lehtë, kohë të mirë për ta dhe dashtë zoti që në emër tuajin të shkoj t’i pres në Bruksel dhe të kthehem së bashku me ta në Gjilan në familjet e tyre, në qytetin e tyre dhe në Kosovën e tyre. Sigurisht që ne jemi krenar me ta dhe na bëjnë krenar kahdo që të ecin. Ju e keni bërë krenar Gjilani, Anamoravën dhe gjithë Kosovën. Ju uroj rrugë të mbarë dhe zoti ju bekoftë”, kishte thënë me ktë rast kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. /2lonline/