(2LONLINE) – Katër nga pesë anëtarët e grupit “Shtegtarët e Lirë”, që kanë nisur rrugën në këmbë nga Gjilani për në Bruksel me simbolikën “Pesë milion hapa për një hap”, në orët e mbrëmjes kanë arritur në Tivat të Malit të Zi, derisa kryeshtegtari Ekrem Avdija ndalon në Podgoricë për shkaqe shëndetësore (kardiovaskulare) dhe detyrohet përfundimisht të ndërpresë rrugëtimin dhe të kthehet në Kosovë.
Nazim Ajdini, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha po vazhdojnë misionin tutje në këtë rrugëtim që pritet të zgjatë 78 ku do të bëhen mbi 2500 kilometra rrugëtim në këmbë deri në Bruksel ku pritet të arrijnë më 17 korrik, në orën 14 e 20 minuta.
Jahi Mustafa njëri nga shtegtarët tha për Portalin 2lonline se po e bëjnë të pamundurën për të arritur në Bruksel duke kaluar edhe mbi 50 km në ditë edhe pse të lodhur po ia dalim dhe janë shumë të fort si moralisht ashtu edhe fizikisht.
“Grupi është në gjendje të mire psiko-fizike ku jemi zotuar që do arrijmë në selinë e BE-së me ndihmën e Zoti dhe falënderojmë gjithë popullin shqiptar që na dalin në mbështetje dhe na japin më shumë kurajo për kauzën tonë”, ka thënë Mustafa.
Pas kthimit të Ekrem Avdijës tani Grupi ka vendosur që Grupin ta udhëheq Nazim Ajdini.
Ndryshe, Grupi “Shtegtarët e Lirë”, janë nisur në këmbë prej Gjilanit për në Bruksel, për të përçuar mesazhin e domosdoshmërisë për një lëvizje të lirë, pa viza, për të gjithë, pasi edhe Kosova është Evropë. Simbolika e ecjes drejt Brukselit ka qëllimin e madh që ta përçojnë kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë, për mundësi të lirë dhe mundësi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës. /2lonline/