DYLON

SHSKUK: Në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale

SHSKUK: Në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale
Avatar photo Redaksia

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njofton se në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale, pas furnizimit me pajisjet e nevojshme si dhe trajnimit profesional të stafit mjekësor.

Pas sigurimit të kolonoskopit dhe gastroskopit, si dhe pas trajnimit të disa mjekëve në Klinikën e Gastroenterologjisë Adulte, përkatësisht në Njësinë e Endoskopisë, është mundësuar implementimi i këtyre procedurave në trajtimin e rasteve të ndryshme klinike tek pacientët pediatrikë.

EkoHigjiena

Rastet e para janë realizuar gjatë vitit 2024, me asistimin e kirurgëve abdominalë nga Njësia e Endoskopisë, ndërsa në fazat pasuese procedurat janë kryer me mbështetjen e gastroenterologëve nga Klinika e Gastroenterologjisë Adulte. Falë këtij bashkëpunimi ndër klinik, mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike tashmë kanë filluar realizimin e pavarur dhe me sukses të këtyre procedurave.

Gjatë 10 muajve të fundit janë realizuar gjithsej 23 procedura endoskopike, duke përfshirë vendosjen e PEG-it (gastrostoma endoskopike perkutane), largimin e trupave të huaj nga lukthi dhe pjesa distale e ezofagut, dilatime të ezofagut, gastroskopi eksplorative, si dhe kolonoskopi eksplorative dhe diagnostike.

Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se vendosja e PEG-ut tek pacientët pediatrikë me humbje të refleksit të gëlltitjes, që zakonisht paraqitet si pasojë e çrregullimeve neurologjike kongjenitale apo traumave me pasoja neurologjike, tashmë realizohet brenda vendit. Deri më tani, këta pacientë kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë Kosovës, ndërsa me avancimin e këtij shërbimi kjo nevojë është eliminuar, thuhet në njoftimin e SHSKUK.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.