Shqyrtohen mundësitë e Partneritetit Publiko-Privat për ndërtimin e sistemit te ngrohjes qendrore të qytetit me biomasë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtorin për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Uran Berisha, ka pritur në një takim pune përfaqësuesit nga CNVP, Xhevat Llushi dhe Egzon Tahirukaj si dhe ekspertin e Partneriteteve Publiko-Private (PPP), Ilir Rama, me të cilët është diskutuar për mundësitë e zhvillimit të projekteve afatgjata në fushën e sistemeve të ngrohjes qendrore me biomasë.
Takimi kishte karakter informues dhe orientues, me synim prezantimin e praktikave më të mira dhe krijimin e një baze për shqyrtimin e mundësive të investimeve afatgjata përmes Partneritetit Publiko-Privat, në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Në prezantim u diskutuan edhe arsyet kryesore që e bëjnë të nevojshme kalimin drejt një sistemi të centralizuar të ngrohjes, duke përfshirë kostot e larta dhe të paparashikueshme të ngrohjes individuale, ndikimin në ndotjen e ajrit, presionin mbi institucionet publike, si dhe nevojën për një zgjidhje më efikase, të standardizuar dhe të qëndrueshme.
Gjatë takimit, Kryetari Rahimaj u njoftua me hapat kryesorë të zhvillimit të një projekti PPP, duke përfshirë procesin e përgatitjes, modelet e mundshme të partneritetit, kriteret e përzgjedhjes, identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve, përfitimet për komunën, si dhe dokumentacionin dhe veprimet e nevojshme për të avancuar drejt një projekti të zbatueshëm.
Në përfundim të takimit, Kryetari Rahimaj, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe vlerësoi rëndësinë e shqyrtimit të modeleve të reja të financimit dhe investimit, me fokus projektet që sjellin përfitime afatgjata për komunën dhe qytetarët. Ai theksoi se Komuna e Kamenicës mbetet e hapur për të analizuar dhe vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit në projekte të tilla, të cilat ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin e qytetit dhe rritjen e mirëqenies së banorëve. /2LONLINE/
