Shqiptohen 761 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë gjatë javës së kontrollit ROADPOL
Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara nga ROADPOL (Rrjeti Evropian i Policive Rrugore) për muajin mars 2026, Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha rrugët e vendit, me fokus të veçantë në kontrrollin e përdorimit të rripit të sigurisë.
Gjatë javës së zbatimit të këtij plani, nga data 9 deri më 15 mars 2026, njësitë e trafikut kanë shtuar prezencën në terren me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve. Si rezultat i këtyre aktiviteteve, janë realizuar gjithsej 1,273 pika kontrolli, ku janë ndaluar dhe kontrolluar 7,051 mjete.
Sipas të dhënave zyrtare, ndaj shoferëve dhe pasagjerëve që nuk kanë përdorur rripin e sigurisë janë shqiptuar 761 gjoba.
Autoritetet policore theksojnë se përdorimi i rripit të sigurisë mbetet një ndër faktorët kyç për shpëtimin e jetëve në rast aksidenti, ndërsa apeluan te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në rrugë. /2LONLINE/
