Shkruan: Ismajl Kurteshi
/2L ONLINE/ – Gjatë qëndrimit dy ditor në Mal të Zi, me 11 dhe 12 maj 2015. Komisionit Parlamentar i Arsimit vizitoj: Ulqinin, Tuzin, Gusin, Plavën, Rozhajën dhe Podgoricën. Gjatë kësaj kohe u takua: Me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të zi, përfaqësuesit e Tuzit, Gusis, Plavës dhe Rozhajës. Në takimin me Këshillin Kombëtar, u tha se shqiptarët përbëjnë mbi 5% të popullit të Mal të Zi ose atje jetojnë mbi 30.000 shqiptar. Por ata përballen me shumë probleme të natyrës politike dhe ekonomike.
Në katër shkolla të mesme dhe 12 shkolla fillore, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Historia kombëtare, gjeografia dhe muzika mësohen pak. Në tekstet shkollore të përkthyera në gjuhën shqipe nuk lejohet përdorimi i toponimeve dhe emrave shqip. Në shumë vendbanime shqiptare, çerdhet e fëmijëve mungojnë. Drejtorët e shkollave ku mësohet shqip nuk janë shqiptar. Ka edhe mësimdhënës që japin mësim në paralelet me mësim në gjuhën shqipe por nuk din të flasin shqip. Në universitetin e Malit të zi ekziston vetë një program në gjuhën shqipe për kualifikimin e mësuesve. Në komisionin Parlamentar të Arsimit nuk është asnjë anëtar shqiptar.
Simbolet kombëtare në Mal të zi janë të lejuara për individ por në institucione përdorimi i tyre kufizohet vetëm në festa kombëtare.
Aktivitetet kulturore të shqiptarëve nuk financohen nga institucionet, kurse në ministrin e kulturës nuk punon as një shqiptar. Shqiptarët e kanë vetëm një gazet javore, kurse Radio Mali i Zi dhe Televizioni publik i Malit të Zi emitojnë vetëm nga 30 minuta në ditë program në gjuhën shqipe.
Shqiptarët që largohen përkohësisht nga vendi shlyhen nga evidenca dhe ju merret nënshtetësia, shqiptarët janë pak të përfaqësuar në organet shtetërore, për shembull shefi i policisë së Ulqinit, ku 90% e banorëve janë shqiptar është Malazez. Po ashtu 90% e Gjykatësve në Gjykatën Komunale të Ulqinit janë Malazez, Në Gjykatën e Lart të Malit të Zi nuk punon asnjë shqiptar. Në Qeverinë e Malit të zi nuk është asnjë Ministër dhe asnjë Zëvendës – ministër shqiptar. Ulqini është komuna më e varfër bregdetare e Malit të Zi, edhe pse 43% e të mirave detare të Malit të Zi gjenden në komunën e Ulqinit. Edhe komunat tjera ku jetojnë shqiptarët: Tuz, Plavë, Gusi,dhe Rozhaj janë komunat ma të varfra të Malit të zi, gjë që nxitë shpërnguljen e shqiptarëve.
Kështu numri i banorëve shqiptar nga dita në ditë po bie. Numri i nxënësve shqiptar në shkollën fillore në Gusi është 160. Kurse në shkollën e mesme të Plavës, janë 100 nxënës shqiptar. Në komunën e Rozhajës ekziston vetëm një shkollë fillore në gjuhën shqipe në Dacaj, me 23 nxënës.
Shqiptarët e Malit të Zi në shumë raste nuk mund t’i realizojnë të drejtat që ua lejon Kushtetuta e Malit të Zi. Ata kërkojnë njohjen e të drejtave që në Kosovë ju njohin pakicave kombëtare e ku bënë pjesë edhe komuniteti Malazez, ata kërkojnë të jenë të barabartë me qytetarët tjerë të Malit të Zi. Ata kanë nevojë për tekste shkollore dhe lektyra shkollore. Kërkojnë përkrahje nga Shqipëria dhe Kosova për hapjen e një Universiteti në Gjuhën shqipe.
Qeveritar nga Kosova e Shqipëria që shkojnë kohë pas kohe në Mal të Zi asnjëherë nuk e vizitojnë Malësinë dhe komunat ku jetojnë shqiptare, ata nuk i takojnë shqiptarët prandaj edhe nuk i njohin problemet e tyre, Por bazuar në informatat që i marrin në Podgoricën zyrtare flasin në superlativ për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, gjë që nuk është e vërtet. Kështu ndodhi me ish – ministrin e Punëve të Jashtme dhe Ministrin aktual të punëve të jashtme të Kosovës.
Komisioni Parlamentar i Arsimit të Kuvendit të Kosovës Kërkoi nga Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe Komisioni Parlamentar i Arsimit të Malit të Zi përfaqësim më të madh të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Malit të Zi dhe lejimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptar, të shkollave fillore në Mal të Zi. Komisioni kërkoj reciprocitet në fushën e të drejtave politike dhe ekonomike për shqiptarët në Mal të Zi.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim shprehën gatishmërinë e Kuvendit të Malit të Zi për avancimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Mal të Zi.
Mbetet obligim i Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në këtë drejtim. Është shumë e rëndësishme që kur zyrtarët e Kosovës dhe Shqipërisë të shkojnë në Mal të Zi t’i takojnë shqiptarët që jetojnë atje dhe t’i dëgjojnë kërkesat dhe hallet e tyre, para se të flasin për gjendjen e tyre.
Me kujdesin e Shqipërisë dhe Kosovës dhe me pozitën e tyre shqiptarët e Malit të Zi nuk janë të kënaqur, por presin që kjo gjendje të ndryshojnë. /2L ONLINE/