Në mars të vitit 2013 shqiptarët e Luginës së Preshevës hartuan planin shtatë pikësh për bisedime me qeverinë e Serbisë, për të zgjidhur problemet e shqiptarëve të këtij rajoni. Në këto pika ishin përfshirë: integrimi i plotë i shqiptarëve, revitalizimi ekonomik, revitalizimi i së drejtës në përdorimin e gjuhës, shkrimit dhe simboleve nacionale, decentralizimi në gjyqësi, arritja e sigurisë së plotë në rajon, arsimi, kultura e informimi, dhe pika e shtatë masat në shëndetësi e sigurim social.
Këtë plan e miratoi qeveria e Serbisë dhe bisedimet të mbështetura edhe nga faktori ndërkombëtar, para së gjithash nga OSBE-ja, filluan, por pas një kohe të shkurtër u ndërprenë.
Kryetari i organit qeveritar, Trupit Koordinues (TK) për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, për ndërprerjen e bisedimeve i fajëson liderët politik shqiptar, ndërsa në anën tjetër përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare e fajësojnë qeverinë.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Shukri Ymeri, thotë se bisedimet u ndërprenë nga ana e qeverisë serbe, e jo nga ana e shqiptarëve.
“Pas miratimit të planit shtatë pikësh nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës, plan për të cilin u njoftuan organet qeveritare dhe ambasadat e huaja në Beograd, Trupi Koordinues dhe qeveria serbe ishin dakord për këto bisedime. Filluan bisedimet, u organizua takimi i parë në Beograd, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri serb. Ai takim i vetëm përfundoi pa asnjë rezultat dhe bisedimet u ndërprenë nga ana e qeverisë serbe, e jo nga ana e shqiptarëve”, thotë Ymeri për portalin informativ Titulli.com.
Sipas Ragmi Mustafës, nënkryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Bujanoc “Plani shtatë pikësh u iniciua nga PVD dhe u hartua si nevojë e vazhdueshme e kërkesave të shqiptarëve për standarde unike për të drejtat e pakicave dhe reciprocitetit me serbët e Kosovës”.
“Jemi pro këtyre bisedimeve, por e vetmja çështje që ka ndaluar rreth bisedimeve të planit shtatë pikësh ka qenë qeveria e Serbisë, ngase nuk ka gatishmërinë dhe vullnetin politik për t’i zgjidhur problemet jetike, vitale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Qeveria e Serbisë ende nuk ka treguar vullnetin e saj se vërtetë dëshiron t’i zgjidh këto probleme për të cilat shqiptarët janë dakorduar që t’i zgjidhin përmes bisedimeve”, thotë mes tjerash nënkryetari i degës së PVD-së në Bujanoc.
Edhe anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike (PD), Hajredin Hyda, thotë se qeveria e Serbisë i ka ndërprerë bisedimet, pasi ka parë se subjektet politike shqiptare i kanë harmonizuar qëndrimet.
“Qëndrimi i PD-së është se nuk është dashur të ndërpriten bisedimet, sepse këto bisedime kanë pasur planin shtatë pikësh, të hartuar nga të gjitha partitë politike shqiptare. Mendojmë se pasi që është përpiluar ky plan, atëherë qeveria e Serbisë qëllimisht i ka ndërprerë këto bisedime, sepse e ka parë se partitë politike shqiptare, pa marr parasysh se a janë pozitë apo opozitë, kanë harmonizuar qëndrimet e tyre për të identifikuar të gjitha problemet. Preteksti i qeverisë serbe se partitë shqiptare nuk mund të jenë unike rreth zgjidhjes së problemeve, ka humbur, dhe atëherë kanë filluar me krijimin e problemeve të reja, të ndërprejnë këto bisedime”, thotë Hyda.
Në anën tjetër, Zoran Stankoviq, kryetar i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, fajëson shqiptarët për ndëprerjen e bisedimeve.
“Shtatë pikat për bisedime, që i ka aprovuar edhe qeveria serbe, ishin një kornizë që duhej të zgjidhej për dy deri në tre vite, dhe kjo deri më tani do të duhej të ishte e përfunduar. Por, kjo nuk do të thotë që nëse diçka nuk na pëlqen, të themi ne nuk do të bisedojmë më, dhe pas një kohe, të thotë dikush tjetër i ka ndërprerë bisedimet”, thotë Stankoviq për Titullin, duke shtuar “Ne e dimë saktësisht pse janë ndërprerë bisedimet ndërmjet liderëve lokalë shqiptarë dhe përfaqësuesve të pushtetit. Për shkak të rrjetit të gjykatave dhe prokurorive. Ne edhe atëherë kemi thënë. Edhe ka qenë njeriu i dytë i ministrisë së drejtësisë, i cili tha “do të bëjmë një analizë për një vit, dhe më pas do të shohim, pasi çdo ligj mund të ndryshohet dhe plotësohet, atë e miraton kuvendi, dhe do të propozojmë atë që është më mirë”.
Lidhur me shkakun e ndërprerjes së bisedimeve pajtohet edhe Adnan Salihu, nënkryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD). Por, ai shton se kjo ka ardhur nga pakënaqësia rreth zgjidhjes së imponuar nga ana e qeverisë për gjykatat.
“Për shkak të pakënaqësive rreth zgjidhjes së ofruar nga ana e qeverisë serbe për rrjetin e gjykatave, sidomos në Preshevë, bisedimet u ndërprenë ende pa filluar mirë. Për shkak të vendimit të qeverisë për gjykatat, pa u konsultuar paraprakisht me subjektet politike shqiptare, u vendos që këto bisedime të ndërpriten, sepse qasja ndaj këtij problemi na shtyu të mendojmë që edhe për problemet tjera, të mos jemi vetëm dekor në këto bisedime, por të jemi pjesëmarrës aktiv dhe propozimet tona të merren parasysh”, thotë nënkryetari i LPD-së, Adnan Salihu.
Shkëlzen Limani, anëtar i kryesisë së subjektit më të ri politik shqiptar, Alternativa për Ndryshim (AN), thotë se subjekti i tij është për bisedime e dialog, ndërsa për përfaqësuesit e subjekteve tjera shqiptare thotë se “edhe ndërprerjen e bisedimeve po e shfrytëzojnë për folklor politik”.
“Në këto bisedime AN nuk ka qenë e përfshirë, pasi në atë kohë nuk ka qenë e themeluar, por në parime kryesore të AN-së është zgjidhja e problemeve përmes marrëveshjeve dhe bisedimeve. Qëndrimi AN-së është se ne jemi për bisedime dhe dialog me të gjitha palët, kështu që ndëprerjen e bisedimeve me qeverinë e Serbisë, çfarëdo lloj qofshin ato, i shohim që janë në dëm të popullatës sonë. Përfaqësuesit politik të subjekteve tjera këtë po e shfrytëzojnë për folklor politik, po e shfrytëzojnë përballë disave kinse ata e kanë atë fuqi t’i dalin përballë shtetit, duke vendosur kushte”, thotë Limani.
Megjithatë, edhe përkundër deklaratave kundërthënëse, edhe Zoran Stankoviq, edhe përfaqësuesit politik shqiptar janë për vazhdimin e këtyre bisedimeve.
„Mendoj se shtyrja e mëtejshme e këtyre bisedimeve nuk çon askund, që kjo shtyrje ka ndodhur ashtu siç ka ndodhur dhe ka qenë e panevojshme. Deri më tani kemi mundur që të kemi pjesën më të madhe të çështjeve të zgjidhura“, tha Stankoviq në një intervistë për portalin Titulli.
“Ne mendojmë se këto bisedime duhet të vazhdojnë. Duhet të bisedohet gjithnjë, deri në zgjidhjen përfundimtare të të drejtave të shqiptarëve të Luginës. Edhe përskaj prolongimeve nga qeveria, ne kemi marrë obligim ndaj zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve, dhe do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona”, thotë Shukri Ymeri nënkryetar i PDSH-së.
“Ne nuk mund të shkëputemi nga një proces i integrimeve evropiane, nga një proces i integrimeve të gjithmbarshme shqiptare dhe e vetmja rrugë drejtë këtyre integrimeve është dialogu. Megjithatë, problemin më të madh po e hasim tek realizimi i të gjitha marrëveshjeve të qeverisë që nga vitit 2001 e këtej. Andaj, nuk është vetëm çështja të bisedohet, por edhe të realizohen në praktikë këto marrëveshje”, thotë Ragmi Mustafa nga PVD.
“Qeveritë serbe, pa marr parasysh se cila ka qenë, janë mjeshtër të prolongimeve, mirëpo ne si parti politike apo edhe si faktor shqiptar nuk duhet të dorëzohemi dhe nëse një herë janë ndërprerë, të mos tentojmë që bisedimet të vazhdojnë. Në fund të fundit, këto bisedime sado që ne themi se i nevojiten qeverisë së Serbisë për anëtarësim në BE, fituesit primar të përmirësimit të gjendjes jemi ne shqiptarët”, thotë Hajredin Hyda.
“Ne duhet të bisedojmë me përfaqësuesit e qeverisë së Beogradit, mirëpo të bisedojmë si pjesëtarë të barabartë, e jo me vendime të imponuara, dhe që rezultatet e bisedimeve të jenë rezultat i një marrëveshje të dobishme për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës”, mendon Adnan Salihu, nënkryetar i LPD-së.
“Ne jemi dakord që bisedimet direkte me qeverinë serbe janë formë që ndihmon popullatën tonë, në përputhje me politikat rajonale dhe evropiane. Pasi vetë Prishtina po negocion me Beogradin, dhe Tirana që është duke vendosur marrëdhënie të mira diplomatike me Beogradin, atëherë ne shpresojmë që edhe përmes tyre, edhe përmes kontakteve tona direkte me Beogradin të bashkëpunojmë në drejtim të realizimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thekson anëtari i i kryesisë së AN-së, Shkëlzen Limani.
VIDEO
http://titulli.com/index.php?m=post&s=18860