Në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë, Champions League, do të kemi mundësinë të shohim plot 10 futbollistë shqiptarë. Ekipi me numrin më të madh të shqiptarëve është padyshim Baseli i Zvicrës, i cili në gjirin e tij ka golashënuesin shqiptar Shkëlzen Gashi. Po ashtu për skuadrën zvicerane luajnë edhe Taulant Xhaka dhe vëllezërit Arlind dhe Albian Ajeti. Baseli është në grup me Real Madrid, Liverpool dhe Apoel.
Edhe lojtari i përfaqësueses zvicerane, Pajtim Kasami me skuadrën e tij Olimpyakos do të luajë në Champions League. Në grup me skuadrën e Pireut janë Juventus, Atletico Madrid dhe Malmo. Në këtë grup pritet të ketë një derbi shqiptarësh, pasi për skuadrën suedeze aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Agon Mehmeti.
Edhe Schalke 04 ka tashmë në radhët e veta një shqiptar. Bëhet fjalë për Donis Avdijajn, që do të luaj kundër skuadrave si Chelsea, Sporting Lisnona dhe Maribor.
Emër tjetër është edhe ai i Agim Ibrahimit që me Mariborin e tij eleminoi Celticun.
Më i famshmi mes shqiptarëve është padyshim Xherdan Shaqiri. Bayerni i tij bën pjesë në një grup shumë të fortë, pasi do të kenë përballë Manchester City-n, CSKA Moska dhe Romën.
Nuk mungojnë shqiptarët as në pankinë. Skuadra kampione e Belgjikës, Anderlecht ka si trajner shqiptarin Besnik Hasi.