Shqiptarët nuk kanë fituar ndonjëherë Çmimin Nobel për Letërsi. Por, gjatë historisë së tyre, kanë pasur shkrimtarë të mëdhenj, të cilët janë bërë të famshëm në botë dhe shkrimtarë që janë propozuar edhe për Çmimin Nobel.
Shën Jeronimi (340-420), shkrimtari ndër më të famshmit e literaturës botërore, gjer më sot, qe shkrimtar ilir.
Marin Barleti, me veprën e tij “Historia e Skënderbeut”, u bë aq i famshëm në botë, sa po të kishte asokohe Çmim Nobel, pa dyshim që do ta fitonte një shpërblim të tillë. Vepra e përmendur e tij, siç dihet, qe lexuar, përhapur e çmuar shumë jo vetëm në kohën e tij, po edhe më vonë. Kështu, pasi u botua latinisht më 1508-1510, u ribotua disa herë në këtë gjuhë dhe u përkthye pothuajse në të gjitha gjuhët evropiane, në disa prej të cilave u ribotua edhe nga disa herë.
Vepra e Barletit, “Hisoria e Skënderbeut”, ka frymëzuar autorët botërorë e shqiptarë për krijimin e një literature të pasur, të shumëllojshme dhe tejet të rëndësishme, si dhe krijimin e veprave artistike, si në pikturë, skulpturë, muzikë etj.
Buzuku, në mesin e shek. XVI, në kohën e Rilindjes evropiane, solli në gjuhën kombëtare shqipe një vepër të plotë, duke u inkuadruar denjësisht në frymën e filozofisë, kulturës e artit evropian të kohës.
Shtjefën Gjeçovit, pas botimit në vazhdime të “Kanunit të L. Dukagjinit”, në revistën “Hylli i Dritës”, më 1913, dhe përkthimit gjermanisht, gjermanët i dhanë titullin Doktor Nderi në Universitetin e Lajpcigut (Çmimi Nobel jepet jo vetëm për vepra të mirëfillta letrare, po edhe për veprat në të cilat është i pranishëm elementi letrar).
Më 1937, po ashtu gjermanët propozuan Gjergj Fishtën për Çmimin Nobel. Nuk ka rëndësi aq që Fishta nuk e fitoi atë çmim. E rëndësishme është se Fishta u çmua shumë edhe nga të huajt dhe nga ata u propozua për Çmimin Nobel.
Për Çmimin Nobel para disa vitesh është propozuar edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. As në këtë rast, nuk ka rëndësi fort se a do ta fitojë Kadare Çmimin Nobel. Shumë shkrimtarë, edhe më të çmuar se ata që kanë fituar Çmimin Nobel, nuk e kanë fituar atë shpërblim. Me rëndësi është që ne shqiptarët kemi shkrimtarë të përmasave botërore dhe të çmuar për shpërblimin më të lartë letrar botëror, siç është Çmimi Nobel.
Rasti i Çmimit Nobel për letërsi është një rast që ballafaqon shqiptarët me dukurinë e raportit që kanë ata ndaj shkrimtarit kombëtar.
Vështrimi real i këtij raporti, thënë objektivisht, nxjerr në pah faktin aspak të mirë se ne shqiptarët nuk iu japim përkrahje të mjaftueshme shkrimtarëve të talentuar, e cila duhet të jetë një përkrahje e fuqishme dhe e gjithanshme.
Shkrimtari i talentuar ka nevojë për përkrahje materiale, botimin dhe përkthimin e veprave në gjuhët e botës dhe në gjuhën e vendit të Nobelit. Vepra e tij duhet të shoqërohet edhe me studimin meritor dhe përkthimin e afirmimin e tij në botë. Një shkrimtar, vepra e të cilit nuk përkthehet në gjuhët e ndryshme e sidomos në gjuhët e rëndësishme të botës, mbetet vepër e panjohur dhe e paçmuar nga bota. Këtë na e tregon edhe shembulli i veprës së Barletit, e cila, pasi u botua në gjuhën që, për disa shekuj qe gjuhë e kulturës dhe e shkencës, në latinisht, u mor, u përhap dhe u përkthye edhe në shumë gjuhë të rëndësishme të botës. Në mungesë të botimit të veprës se Barletit në latinisht, nuk do të arrihej përmasa e afirmimit çfarë e pati ajo.
Barleti na e tregon vetë edhe një fakt shumë të rëndësishëm lidhur me krijimet e ndërmarrjeve të mëdha. Ai tregon vetë se para se t’i hynte shkrimit të veprës “H. e Skënderbeut”, pati mjaft dyshime e frikë dhe se zemër për të krijuar një vepër të tillë ia kishin dhënë vetë bashkëkombësit e tij. Shembulli i Barletit tregon se faktori shoqëror jo pak luan rol edhe në frymëzimin e shkrimtarëve për krijimin e veprave të mëdha.
Po kështu, vepra e një shkrimtari, po nuk u afirmua edhe nga shkrimet kritike e eseistike të bashkëkombësve të vet, nuk mund të avancohet edhe aq lehtë e sa duhet.
Duke vështruar realitetin tonë shoqëror e letrar, mund të thuhet, pa dyshim, se që të kemi arritje edhe më të mëdha në letërsinë tonë kombëtare dhe për të arritur ato vlera të cilat i çmon bota, gjithsesi do flakur disa të meta edhe nga vetë mendësia e shkrimtarëve tanë.
E para, shkrimtar i madh dhe me tërë qenien e tij në politikë (e pushtet) nuk mund të ketë.
Mendësia edhe shkrimtar edhe politikan (e pushtetar) nuk ka të bëjë asgjë me shkrimtarin e nivelit botëror. Mendësia shkrimtar e politikan (e pushtetar) është mendësi e shkrimtarit të vogël, shkrimtarit të përmasave provinciale. Te ne mendësia e shkrimtarit të vogël po provohet bindshëm. Madje, mendësia e tillë po dëshmohet edhe nga shkrimtarët që do të mund të ishin shkrimtarë të mëdhenj dhe që nuk do të duhej assesi të ishin të tillë. Kështu, me ndonjë përjashtim, shkrimtarit tonë i pëlqen politika e pushteti. Ai hy në politikë e pushtet ose bëhet shërbëtori i përulur i pushtetit, madje i një pushteti më jodemokratik që mund të jetë. Një shkrimtar që mendon se elita e vlerave njerëzore është elita politike nuk mund të shkojë larg. (Gjer më tash, kundër një mendësie të tillë, janë dëshmuar vetëm I. Kadare, i cili ka refuzuar një post të lartë dhe Jusuf Buxhovi përmes opinionit të tij publik).
E dyta, që të mos i bëhet cung në rrugë suksesit të vetes dhe të tjetrit, shkrimtari ynë duhet të flakë nga vetja egoizmin e tepruar e të paarsyeshëm dhe xhelozinë e sëmurë për shkak të suksesit të tjetrit.
Shembulli më i mirë për këtë është rasti i shkrimtarit I. Kadare, i cili, me vlerën e veprës së tij, ka fituar famën e shkrimtarit të madh botëror dhe është në radhën e shkrimtarëve që meritojnë Çmimin Nobel.
Kështu, pa dyshim, sot, nga ndonjë shkrimtar “shqiptar” vërehet një urrejtje patologjike ndaj shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadaresë, prandaj edhe me pasionin e sëmurë bëhen edhe shpifjet më të këqija kundër tij.
Shkrimtarë të tjerë shqiptarë, duke mos arritur famën e shkrimtarit Ismail Kadare, shpifin e propagandojnë me të madhe kundër tij, veç për shkak të zemërligësisë, xhelozisë, egoizmit… Kësaj dashakeqësie, kundër shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadaresë, sikur të mos mjaftonin dashakeqësitë e shkrimtarëve “shqiptarë” dhe shqiptarë, fuqishëm i bashkohet edhe veprimtaria kundërkadareane e politikanëve, të cilët, me letrat e tyre përplot shpifje, dërguar institucioneve të ndryshme e Komitetit të Nobelit, duan ta rrënojnë famën e shkrimtarit.
E treta, meqë autoriteti i një shkrimtari në botë krijohet jo vetëm përmes vlerësimit kritik të autorëve botërorë, që është vlerësim parësor, po edhe përmes vlerësimit kritik e mendimit të bashkëkombësve të tij, atëherë vlerësuesi letrar shqiptar duhet të ndjejë përgjegjësinë të japë vlerësimet e nevojshme dhe të qëndrueshme.
Kështu, si po ndodh sot me mendimin dhe vlerësimet tona për letërsinë, nuk i kontribuohet letërsisë, vështrimit të vërtetë të vlerave të saj, frymëzimit krijues të shkrimtarit dhe afirmimit të vlerave letrare në botë. Përkundrazi. Vlerësimi joreal, tendencioz dhe pa etikë njerëzore e shkencore mund të sjellë si rrjedhojë vetëm atë që po ndodh në realitetin tonë letrar: injorimin e mohimin e shkrimtarëve e vlerave të çmuara dhe tejçmimin e disa shkrimtarëve e veprave të tyre, si autorë e vepra të nivelit botëror, veprat e te cilëve, joobjektivisht, krahasohen me krijimet e elitës letrare botërore!
Në vend të një vlerësimi të marrë, prandaj, letërsia jonë ka interes të ketë një vlerësim objektiv e të paanshëm, i cili realisht do të çmojë temat, idetë, gjuhën, stilin, veçantinë krijuese të shkrimtarit, dimensionet njerëzore të personalitetit dhe të veprës së tij etj.
Nobeli nuk fitohet vetëm me forcat personale të shkrimtarit, po edhe me përkrahjen institucionale, shoqërore, kombëtare, kulturore e shkencore të tij. Prandaj, shikuar në këtë aspekt, rasti i shkrimtarit I. Kadare tregon se shkrimtari I. Kadare, përmes talentit dhe angazhimit të tij krijues, ka realizuar misionin e shkrimtarit të madh kombëtar e botëror, por çështja është: a e kanë kryer shqiptarët obligimin ndaj tij, si shkrimtar me famë botërore, apo mos e kanë luajtur një rol të kundër me atë që kërkohet?!