Shqiptarë dhe serbë bashkë përballë përfaqësuesve komunal
/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit ka mbajtur mbrëmë një takim publik multietnik me qytetarët shqiptarë dhe serbë të fshatit Ponesh. Në takim para qytetarëve të pranishëm ka folur nënkryetari Rexhep Kadriu, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, si dhe drejtorët komunal, të cilët kanë shpalosur projekte dhe u janë përgjigjur pyetjeve dhe interesimeve të të pranishmëve.
Në fjalën e tij, nënkryetari Rexhep Kadriu ka thënë se Komuna e udhëhequr nga kryetari Lutfi Haziri është duke i servisuar borxhet e trashëguara nga ish-pushteti, duke shtuar se po bëjnë punë të mëdha në të gjitha sektoret tjera, për t’ua zgjidhur problemet qytetarëve.
Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi ka thënë se katërshja e madhe e prioriteteve infrastrukturore po realizohet gjithandej komunës së Gjilanit, ndërsa ka pohuar se edhe në Ponesh kanë bërë investime në aspektin e ndriçimit publike, sikurse edhe në asfaltim të rrugëve.
Ndërkaq, ka pasur shumë pyetje për përfaqësuesit komunal si: Sergjan Cveic, Ejup Byqmeti, Naim Shala, Millovan Stajic, Hysen Shala, Dragan Trajkovic etj., kryesisht lidhur me kërkesat për mbështetje në bujqësi, infrastrukturë, arsim e shëndetësi.
Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, tha se mbështetja për Poneshin ka qenë maksimale në sektorin e bujqësisë, duke përmendur faktin se 48 fermerë të Poneshit kanë përfituar misër dhe pleh artificial, 4 të tjerë kanë përfituar shpërndarëse të plehut, dy të tjerë pajisje për bletari dhe përfitime tjera. Ai tha se qytetarët e kësaj pjese do të përfitojnë edhe nga programet tjera.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Sokol Haziri, tha se Komuna ka bërë ndriçimin publik fillestar në këtë fshat për dy komunitetet, ndërsa shtoi se zgjidhje do të bëjnë edhe për çështjen e ujit të pijshëm, pas memorandumit me qeverinë zvicerane.
Edhe sa i përket transportit të nxënësve, Haziri pohoi se do të bëhet një zgjidhje, por vetëm për familjet me gjendje të rëndë sociale.
Ndërsa, drejtori i Arsimit, Nazmi Musa, ka bërë apel tek prindërit që t’i dërgojnë nxënësit në shkollën e mesme të bujqësisë, për t’u profilizuar në degët e saj, meqë Poneshi dhe fshatrat përreth jetojnë kryesisht nga bujqësia.
Në fund, kryesuesja Bunjaku Rexhepi ka ftuar qytetarët e Poneshit në debatin publik me qytetarët do të mbahet më 17 qershor për buxhetin e Komunës së Gjilanit për vitin fiskal 2016 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2017-2018, në ora 11:00 në sallën e Kuvendit Komunal. /2L ONLINE/
