Shoqëria kulturoro-artistike “Shqiponjat” në Bujanoc është themeluar në Nëntor të vitit 2016 me qëllimin e vetëm angazhimi dhe kontributi i aktiviteteve në fushën e kulturës.
Fillimisht është përkrahur nga komuna e Bujanocit dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar prej të cilëve janë siguruar veshjet kombëtare.
Përfaqësuesi i kësaj shoqërie, Rilind Islami gjatë një bisede për portalin Titulli.com tha se për momentin numërojnë rreth 30 anëtarë dhe punohet në dy grupe, ai nga moshat 17- 24 vjeç dhe grupi I dytë nga klasa e pestë deri në klasën e tetë të shkollave fillore.“Edhe pse veprojmë si shoqëri për vetëm 10 muaj, kemi arritur që të jemi aktiv aq sa për t’u ndjerë të kënaqur.
Dalja e parë në skenë për ne ka qenë në ditën e 28 Nëntorit të vitit 2016. Pjesëmarrja tjetër ka qenë në organizimin e “Ditës së Mërgimtarëve” , ku pas programit kemi organizuar dhe një koktej tradicional me gatime tradicionale”, deklaroi Islami.
Ai u shpreh se kanë pasur prezantime në manifestime të ndryshme lokale dhe kombëtare por angazhohen edhe në programe tjera festive si dasma e syneti
I pyetur nga Titulli.com se a ka mjaft organizime vendore nga shoqëritë kulturore-artistike, Islami tha se duke u bazuar në numrin e banorëve që ka komuna, katër e pesë aktivitete brenda vitit janë të mjaftueshme.
Ndërsa lidhur me pyetjen se a duhet të ketë më shumë koncerte nga SHKA-të komunale Islami u përgjigje se së pari duhet të pyetet a ka interes publiku dhe se sallat mbushen vetëm për kampanja politike, e rrallë herë për programe kulturore.
Rilind Islami suksesin e vitit 2017 të shoqërisë e vlerëson përfaqësimin e shqiptarëve që jetojnë në Serbi në “Ditët e flamurit boshnjak”, në Novi Pazar për të cilën ka fituar mirënjohje për program të shkëlqyer nga nikoqiri.
Islami thotë se planet e tyre janë fokusimi jo vetëm ne fushën e vallëzimit por edhe në artin skenik me moton “Të ruajmë dhe mbrojmë këngët dhe vallet tona, të ruajmë dhe të mbrojmë identitetin kombëtar”.
BURIMI: Titulli.com