DYLON

Shqipëria, trupa në gatishmëri të NATO-s kundër Rusisë

Avatar photo Redaksia

Veprimet agresive të Rusisë në lindje të Aleancës, si dhe paqëndrueshmëria në rritje në kufijtë jugorë, shkaktuar nga aktiviteti në rritje i ISIL, ishte në focus të diskutimeve gjatë punimeve të Ministerialit të radhës i vendeve anëtare të NATO-s, në Bruksel.

Në punimet e këtij ministerial që u fokusua edhe në disa çështje të rëndësishme me të cilët po përballet sot Aleanca, mori pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.

EkoHigjiena

Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes bëhet e ditur se në këtë takim aleatët diskutuan për mjedisin aktual të sigurisë dhe rreziqet që vijnë nga lindja dhe jugu. Për të përballuar gjithë këto sfida, ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO ranë dakort për një qëndrim gjithëpërfshirës në funksion të mbrojtjes së çdo vendi anëtar.

Shqipëria deklaroi pjesëmarrjen në forcën pararojë të NATO për vitet 2016-2018, kontribut ky që u cilësua si mjaft pozitiv. Në këtë kuadër Shqipëria do të bashkëpunojë me Spanjën, Britaninë e Madhe dhe Italinë në përmbushje të angazhimeve të përbashkëta ushtarake gjatë trevjeçarit të ardhshëm.

Zëvëndësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, theksoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial të Ukrainës, si dhe nënvizoi kontributin e vendit tonë me fonde, veshje ushtarake dhe vëzhgues në kuadër të OSBE.

Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO diskutuan edhe për misionin “Resolute Support” në Afganistan. Shqipëria është prezente në Afganistan që nga viti 2002. Zëvëndësministri i Mbrojtjes Koçi mori pjesë gjithashtu në një takim të vendeve që kontribuojnë me trupa në Mazar-i-Sharif në Afganistan nën kryesimin e Gjermanisë.

Nërsa në një intervistë për televizionin A1 Report, zv.ministri Ii Mbrojtjes tha se ministeriali ishte një ngjarje e rëndësishme në përgatitje të samitit Varshavës që kryhet vitin tjetër. “Sigurisht që ministeriali ndërkohë edhe gjykohej lidhur me zhvillimet mbas samitit të Uellsit sidomos në kuadrin e zhvillimeve ku NATO ka marrë përsipër politika adaptimi siç është ajo e një force reagimi të NATO-s ku në lidershipin e sekretarit të përgjithshëm ka realizime konkrete. Nga ana tjetër Shqipëria do të jetë pjesë edhe e task forcës së reagimit të shpejtë apo të gatishmërisë së lartë e cila po organizohet gjatë kësaj periudhe”, u shpreh Petro Koçi.

I pyetur lidhur kontributin e Shqipërisë në këtë task Forcë, zv.ministri sqaroi se “kontributi do të jetë me trupa pra me nga një kompani në 3 vite radhazi, natyrisht që do të jetë një kontribut në bashkëpunim me vendet e tjera të NATO-s siç është Italia, Britania e Madhe apo ndonjë vend tjetër./ATSH/