Shqipëria i jep përkrahje zhvillimit të komunës së Kamenicës, nëpërmjet ambasadës në Kosovë
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së kamenicës, Begzad Sinani, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi. Në këtë takim, ambasadori Minxhozi ishte i shoqëruar nga një delegacion i gjerë nga ambasada shqiptare, të cilët ishin ekspertë të fushave të ndryshme.
Sinani dhe Minxhozi si dhe delegacioni i Ambasadës, diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, por ishin të përqendruar kryesisht në zhvillimin e bujqësisë.
“Kamenica ka një tokë të mirë dhe klimë të përshtatshme për kultivimin e frutave të ndryshme, kryesisht frutave të buta. Jemi të interesuar që bashkëpunimi ynë me Shqipërinë, të zgjerohet edhe më tutje, në mënyrë që vendi ynë të përfitojë në fusha të ndryshme. I jemi mirënjohës ambasadorit Minxhozi që në vazhdimësi ka qenë i gatshëm të ofrojë bashkëpunim për komunën tonë si dhe gjithë stafit dhe këtyre ekspertëve që janë prezent këtu”, ka thënë veç tjerash kryetari Sinani.
Kryetari Sinani dhe ambasadori Minxhozi, kanë vizituar edhe kompaninë e kërpudhave “Fungo FF”, e cila është një kompani e suksesshme në komunën e kamenicës. /2L ONLINE/
