Shqipëria fiton vëllazëroren me Kosovën

Shqipëria fiton vëllazëroren me Kosovën

 Ndeshja miqësore – vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, e zhvilluar të mërkurën në “Elbasan Arena” pa praninë e tifozëve, ka përfunduar me fitoren e Kombëtares së Shqipërisë, me rezultat 2:1.

Kjo ndeshje i shërbeu të dy ekipeve për t’u përgatitur për ndeshjet e fundit në kuadër të Ligës së Kombeve, ku të dielën Dardanët do të luajnë me Slloveninë në Lubjanë dhe më pas më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Moldavisë, njofton FFK.

Shqipëria iu gëzua fitores me golat e Bekim Balajt, në minutën e 31-të dhe Myrto Uzunit, në minutën e 54-t. Ndërkohë, golin e vetëm për Dardanët e shënoi Vedat Muriqi nga penalltia.

Të dyja ekipet në këtë ndeshje u paraqitën me mungesat shumta për shkak të situatës me pandeminë COVID 19, teksa Kombëtarja e Kosovës e kishte edhe mungesën e përzgjedhësit Bernard Challandes, i cili në testin e fundit ka rezultuar me Covid-19.

Në këtë ndeshje në Kombëtaren e Kosovës debutuan Betim Fazliji dhe Mirlind Daku.

Ndeshjen nga afër krahas presidentëve të dy federatave, Ademi e Duka e ndoqi edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, njofton FFK.

KOMENTE