Shqipëria “evropiane” e Edit!!
Shkruan: Ilir Sefaj
Edhe pse përfaqësojnë një komb, një gjuhë dhe një identitet, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë dy realitete të ndryshme. Nëse jo në planin identitar, atëherë në atë të organizimit juridik dhe të funksionimit të brendshëm, pa dyshim që po.
Pavarësisht këtij fakti, qytetarët e të dyja shteteve tona nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve politike, ekonomike dhe kulturore që ndodhin në hapësirën shqiptare, e cila përfshin një sipërfaqe prej mbi 50 mijë kilometrash katrorë, duke llogaritur këtu edhe shqiptarët që jetojnë në shtetet përreth, si ata në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi.
Sidoqoftë, pa dashur të thellohem në rrjedhën historike të ecjes së shqiptarëve nëpër kohë, qëllimi i kësaj përqasjeje është të trajtojë rrugëtimin evropian të Republikës së Shqipërisë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, i cili është në krye të Ekzekutivit shqiptar që nga shtatori i vitit 2013.
Shqiptarët ia dhanë kryeministrit Rama besimin në një masë të paprecedentë në Shqipërinë postkomuniste, përgjatë afro katër dekadave të demokracisë.
Në demokracitë perëndimore, pjesë e të cilave, natyrisht, është edhe Republika e Shqipërisë, shteti qeveriset në përputhje me përqindjen e votave që qytetarët ia besojnë secilës parti që garon në zgjedhje, qofshin ato të nivelit lokal apo qendror. E njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri dhe, deri këtu, gjithçka është në rregull.
Nën drejtimin e kryeministrit Rama, Shqipëria vazhdon të shënojë suksese, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë gjeopolitik. Ndërkaq, ngecjet janë po ashtu evidente në Shqipërinë e drejtuar prej tij. Për këtë, besoj se ekziston një dakordësi e përgjithshme në opinionin shqiptar, të paktën në optikën e qytetarëve vigjilentë, të cilët interesohen për rrugëtimin e shtetit të tyre.
Sidoqoftë, të gjithë jemi dëshmitarë se një pjesë jo e vogël e qytetarëve shqiptarë, tash e disa muaj, fillimisht përmes protestave paqësore, e së fundmi edhe përmes protestave që kanë marrë një karakter më të dhunshëm, shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimeve të Qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Ne, qytetarët e Kosovës, që jetojmë në një realitet të ndryshëm nga ai i Shqipërisë, siç u theksua edhe në fillim të kësaj qasjeje, i shohim zhvillimet në shtetin shqiptar nga këndvështrime të ndryshme. Kjo, në vetvete, nuk përbën asnjë problem. Problemi i vetëm, dhe mendoj se jo i vogël, madje i papranueshëm, do të ishte përfshirja e drejtpërdrejtë e qytetarëve të Kosovës në politikën e brendshme të Shqipërisë, përmes pjesëmarrjes në protesta, dhe anasjelltas.
Sidoqoftë, gjatë gati 14 vjetëve të drejtimit të shtetit shqiptar nga kryeministri Rama, kam parë, në mos diçka tjetër, vullnetin e tij për një Shqipëri evropiane. Por, nganjëherë, ajo që ndërtohet me shumë mund, punë dhe sakrificë, nuk është edhe aq e lehtë për t’u mirëmbajtur.
Ku do të dalë autori me këtë? – mund të pyesë lexuesi eventual.
Thjesht, sipas pikëpamjes sime, rrugëtimin evropian të Shqipërisë e vuri në pikëpyetje vetë kryeministri Rama, i cili, në paraqitjet e tij publike lidhur me protestat që vazhdojnë të zhvillohen kundër tij, shfaqi hapur prirjen për hakmarrje ndaj protestuesve. Kjo është veçanërisht shqetësuese kur kemi parasysh se e drejta për të protestuar është e garantuar me konventa evropiane dhe ndërkombëtare, të cilat përcaktojnë rregulla, standarde dhe detyrime juridike për shtetin në raport me qytetarët e tij.
Shqipëria mbi të gjitha! /2LONLINE/
