Shqipëria destinacion turistik në guidën holandeze

Shqipëria destinacion turistik në guidën holandeze

Jo shumë kohë më parë, Shqipëria ishte një pjesë e panjohur e Evropës, e mbyllur nga bota e jashtme, por tani është një destinacion turistik me vende të bukura e të papërshkrueshme, njerëz mikpritës dhe monumente e kulturës.

Këto janë disa nga fjalët që përshkruhen në guidën e parë turistike për Shqipërinë e shkruar në gjuhën holandeze.

E përgatitur nga Yvonne van Osch, e specializuar në art, kulturë, shkencë dhe udhëtime, kopja e parë e guidës turistike iu dorëzua edhe ambasadores së Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi, gjatë një aktiviteti që u zhvillua në librarinë Pied a Terre, në Amsterdam.

Në guidë autorja rrëfen me shumë pasion dhe dashuri arsyet se pse duhet vizituar Shqipëria nga veriu në jug, si një ftesë për qytetarët e saj holandezë.

“Ju mund të shijoni ecje të mrekullueshme në Alpet Shqiptare. Gjithashtu në Peshkopi, është e bukur të ecësh në ultësirën e Korabit (2753 metra) dhe të shikosh burimet e tij. Ose në jug në luginën e Vjosës pranë Përmetit. Një udhëtim me familjen do të jetë një eksperiencë e paharrueshme, po ashtu edhe për kulinarinë. Kushdo që është i njohur me historinë e këtij vendi në shumë aspekte, do të mbetet i habitur nga mikpritja dhe dashamirësia e këtij populli”, thekson autorja në guidë.

Ndërsa renditen disa arsye se përse duhet vizituar Shqipëria, në guidë përshkruhen edhe qytetet dhe destinacionet që mund të eksplorohen në Shqipëri, që nga Thethi, Valbona, Parku Divjakë-Karavasta, Voskopoja, Syri i Kaltër, Përmeti, Kruja, Bylisi, Tirana si dhe jugu i vendit me plazhet mahnitëse.

“Ky vend që të lë pa frymë, vetëm duhet që të zbulohet nga të gjithë”, thekson autorja e kësaj guide.

KOMENTE