Task forca e Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë u mblodh të hënën paradite në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, në lidhje me masat e marra për parandalimin e koronavirusit.
Gjatë fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh fillimisht se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri dhe racionalitet, duke mos i lënë vend panikut.
Sipas Manastirliut, 6 raste të dyshuara në vend, pas analizave nga Instituti i Shëndetit Publik, rezultuan negativ. Ajo tha se në të gjitha pikat kufitare janë shtuar masat dhe kontrollet, ku vetëm gjatë ditës së diel janë kontrolluar mbi 4500 udhëtarë.
Ajo tha se Shqipëria është e përgatitur në të gjitha kapacitetet e saj për të përballuar situatën, pasi sipas Manastirliut, në vend ka ekspertë në të gjitha fushat e shëndetit publik.
“Përballja me një virus të tillë na bën të jemi të përgjegjshëm dhe të ecim me transparencë për të gjitha masat që kemi marrë. Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim. Është koha të bazohemi në fakte dhe të mos përhapim panik. Kemi ekspertët më të mirë të ISHP, të kujdesti shëndetësor, që po ndjekin hap pas hapi planin e veprimit të miratuar nga taskforca. Dua këtu t`ju ftoj si media për t`iu patur bashkëpunëtor në një situatë ku nuk kërkon panik por kërkon përgjegjësi, transparencë dhe racionalitet”, tha ajo.
Më tej, Manastirliu tha se të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri. Ajo theksoi se në Shqipëri deri në tani nuk është evidentuar asnjë rast me koronavirus.