Shqetësuese: Në Shkollat e Gjilani të evidentuar rreth 40 nxënës “analfabet’
/2L ONLINE/ – Në shkollat e Komunës së Gjilanit, mes klasave I – IX, ka edhe nxënës që kanë probleme serioze me shkrim-leximin apo edhe me njohjen e veprimeve elementare në matematikë. Kjo është shumë shqetësuese për përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kërkojnë nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), që të ndërmarrin masa dhe të punohet me këtë kategori.
Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal dhe njëherësh anëtar i Komiteti të Arsimit në kuadër të Vetëvendosjes ka thënë se në shkollat e komunës së Gjilanit ekziston një numër mjaft shqetësues i nxënësve analfabet funksional. Ai tha se është shqetësuese që në këtë shekull të kemi të tillë me probleme serioze në shkrim-lexim, apo edhe në mosnjohjen e veprimeve më të thjeshta në matematikë edhe atë të nxënësve mes klasave I-IX, por ai tha se po të hulumtohet, me probleme të tilla nuk përjashtohet mundësia të kemi edhe nxënës të shkollave të mesme.
“Janë 38 nxënës janë të raportuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit si analfabetë, por edhe aq ka gjasa që janë fshehur nga drejtorët e shkollave. Kjo është shqetësues për të gjithë neve”, ka thënë Sylejmani.
Nga ana tjetër, Nazmi Musa, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se nuk kemi të bëjmë me analfabet, në kuptimin klasik, por me nxënës që kanë probleme me drejtshkrim, apo edhe me vështirësi në shkrim-lexim dhe se ai nuk ka hezituar që për këtë të fajësojë edhe mësimdhënësit, drejtorët, inspektorët e vlerësimit e tutje. Ai ka bërë të ditur se sipas Ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë, Arsimi Fillor dhe Arsimi i mesëm i ulët është i obligueshëm. Megjithatë ai tha se janë edhe notat vlerësuese prej 1 deri në 5 dhe nxënësit mund të notohen me të gjitha këto nota. Ai ka premtuar se do të punohet në këtë drejtim me këtë kategori, por edhe në evidentimin e rasteve tjera me probleme të tilla. /2L ONLINE/
