Shqetësuese: Dhuna në familje fenomen në rritja
/2L ONLINE/ – Dhuna në familje nga viti në vit po shënon rritje dhe se krahasuar me vitin 2013, në vitin 2014 janë dyfishuar rastet e dhunës në familje me të cilat është marrë Qendra për Punë Sociale në Gjilan, shërbimi përkatës, ndërkohë që janë regjistruar edhe raste të reja përgjatë këtyre tre muajve të këtij viti.
Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale (QPS) ka bërë të ditur për 2L ONLINE, se dhuna në familje në komunën e Gjilanit ka shënuar rritje të dyfishtë përgjatë vitit 2014, nëse krahasohen me rastet e trajtuar në vitin 2013. Sipas tij, derisa më 2013 shërbimet sociale kanë trajtuar 30 raste të viktimave të dhunës në familje, në vitin 2014 janë trajtuar 60 raste të tilla, derisa që edhe në këto tre muajt e parë të 2015-tës kemi të regjistruar e trajtuar 10 rate të tilla.
Sipas tij, kjo rritje është shqetësuese por se këtë po e menaxhojnë mirë shërbimet sociale pran Qendrës për Punë Sociale. Zymberi tha se në rastet më të shumta, është femra ajo e cila është viktimë e dhunës në familje, por nuk përjashtohen raste kur rasti paraqitet edhe nga burrat për dhunë të ushtruar ndaj tyre, sidomos të asaj psikologjike. Ndërsa, shqetësuese janë edhe raste kur fëmijët janë viktimë e dhunës në familje, nga pakujdesia e prindërve, nga lënia padore e tyre prej prindërve, por se shërbimet përkatëse kanë marrë masa, duke i trajtuar të gjitha rastet dhe ka pas edhe aso raste kur fëmijët iu janë marrë prindërve të tillë e janë strehuar në strehimore.
Përndryshe, si shqetësuese drejtori QPS-së, Mursel Zymberi përmendi edhe rastet e rritjes së numrit të të miturve në konflikt me ligjin, pasi deri sa më 2013 kemi pas 97, raste të trajtuara nga Qendra në fjalë, më 2014 kemi pas 175, e në këto tre muajt e këtij viti, 15 raste tjera.
Përndryshe, drejtori Zymberi tha se si për rastin e dhunës në familje, si për rastet e të miturve që bien në konflikt me ligjin, QPS-ja bashkëpunon ngushtë me policinë, gjykatat, familjet, shkollat… për t’u bërë një punë e mirë e përbashkët. Kur jemi te të miturit, Zymberi tha se Gjilani ka nevojë për një Qendër këshillimi psiko-social për fëmijë, që do të ndihmonte shumë në këtë drejtim. /2L ONLINE/
