/Rrëfim i V.R. emigrant në Francë/
/Kaltrina Zymberi/
(2L ONLINE) – V.R, (emër i njohur për redaksinë), 24 vjeçar nga qyteti i Gjilanit tash e 2 vjet është larguar nga vendi i tij i lindjes. Ai jetonte me vëllaun e tij A.R. 17 vjeçar, motrën B.R. 13 vjeçare dhe të fejuarën Sh.L. 21 vjeçare në njërën nga paralagjet e qytetit. Arsyet e 24 vjeçarit ishin të shumta që kishte marrë rrugën e emigracionit. Ai tash gjendet në Lion të Francës.
“Të dy prindërit na i morri Zoti në moshën e fëmijërisë atë herë kur unë isha vetëm 17 vjeçar, motra dhe vëllai ishin më të vegjël se unë. Deri në vitin 2009 kishim gjyshen e cila kujdesej për ne në të gjitha mënyrat, por me vdekjen e saj gjithçka ishte ndryshe. Madje edhe pak atë pension jetimësh që e merrnim na e ndalën, dhe nuk kishim të ardhura nga asnjë anë”, ka thënë ai.
“Babi im ishte polic në atë kohë. Vdiq në vitin 2002 nga një sulm në zemër, nëna vdiq nga kanceri. Na lanë tre jetim në dorë të fatit dhe fati deshi që përgjegjësia e kryefamiljarit të bartet tek unë. Çdo ditë dilja dhe kërkoja punë në të gjitha ndërmarrjet private në Gjilan, por më kotë asgjë të re nuk sillja në shtëpi. Motra e babait tim, halla ime e cila jeton në Nehausen të Zvicrës kishte vendosur që të merrte kujdestarin për motrën time të vogël.
Të them të drejtën kjo ishte lehtësim për mua sepse ajo ishte në një moshë shumë kritike dhe më shumë se gjithçka tjetër kishte nevojë për ngrohtësi familjare. U pajtova më këtë vendim dhe nënshkrova të gjitha dokumentet e mundshme që ime motër të kishte të paktën bukë, ujë, shtëpi dhe një familje që t’i dhuronte dashuri dhe siguri për jetë.
Unë përfundova shkollën e mesme por mundësit që kisha nuk ma lejuan ta vazhdoj edhe fakultetin. U fejova dhe normale si një djalë i ri, i dashuruar dhe që kishte obligim të kujdesej për shtëpinë nuk ia dilja mban me asgjë sepse nuk punoja. Mes meje dhe jetës kishte dy opsione të o vdisja, o të ikja, një mes nuk gjendej.
Vendosa ta lë Kosovën dhe t’i drejtohem një rruge se nuk e di se ku! Në fillim nuk e dija se ku po shkoja thjeshtë isha një i ri pa shpresë, i demoralizuar nga realiteti që jetoja çdo ditë. Lash shtëpin me kujtimet e prindërve, lash vëllaun i cili është student dhe punon në një kafiteri sa për nevojat e ti. E fejuara ime jeton me prindërit e saj. Unë këtu në Francë mirë jam, besa edhe po punojë nga pak por e keqja është që ende vazhdojë të jem azilant. Tashmë u bënë 2 vite që jam azil, punën që e bëjë e bëjë ilegalisht sepse nuk kam leje pune ende”, vazhdoi rrëfimin V.R.
I pyetur se si arritët të shkonte në Francë, dhe se a u ka ndihmuar ndokush? Djaloshi me R.V. pa hezituar tregoi rrugën e frikshme dhe të mundimshme deri tek caku.
“Mënyra se si unë kam depërtuar në rrugët e Francës është e frikshme. U pata nis me autobus për në Lluçan, kinse po shkoj te dajt ku në fakt edhe dajt i kam aty, por që destinacioni im nuk ishte Lluçani por kalimi i kufirit Kosovë-Serbi. Kur kemi mbërri në Suboticë ka qenë mbrëmje e kujtoj që kemi fjetur në disa hotele aty afër sepse kemi qenë një numër i madh i njerëzve që kemi ik prej Kosovës.
Kaluam rreziqet e Suboticës dhe depërtuam në Hungari, gjatë rrugës na zunë policia hungareze ku na quan në njërin nga kampet e shumta që ishin aty. Kaluam dy ditë në atë kamp dhe pas dy ditësh policia hungareze nga Hungaria me metro na përplasi në Francë, ku më pas të gjithë u ndamë.
Unë vendosa të qëndroj në Lion ku jam tash e dy vite. U lajmërova azil me arsye ekonomike dhe që në Kosovë nuk kam ku të shkoj. Komunikimi i vetëm që kam me të fejuarën është Skype dhe nuk di më se çfarë bëjë dhe çfarë të them. Fati im dhe i shumë shqiptarëve është në duart e shtetit të Francës, o të na kthej o të na jap lejen e qëndrimit dhe të punës së rregullt këtu”, shtoi 24 vjeçari.
Kurse në Kosovë trendi i ikjes po rritet çdo ditë. Numri i popullsisë po zvogëlohet, i ri e vjetër ia kanë mësyer vendeve të perëndimit duke kërkuar për një të ardhme më të mirë, sepse shpresa për jetë në Kosovë ka vdekur shumë kohë më pare, përfundoi rrëfimin ai. /2L ONLINE/