DYLON

Shpirti i robit në fron!

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – sundimet e gjata dhe të egra të pushtuesve të ndryshëm mbi shqiptarët, kanë shkaktuar, si pasojë, ndër të tjera, edhe krijimin e një tipi të tillë të shpirtit të robit, nga radhët e shqiptarëve, i cili gjallëron gjithnjë, esencialisht dhe përjetësisht, i lidhur me botën e pushtuesit. Një shpirt i dobët robi, nga radhët e shqiptarëve, është krijuar edhe nën shtypjen greke e serbe, por ky tip i robit kurrë nuk arriti të tregohet i fuqishëm dhe të ketë efekt ndikimi mbi masën shqiptare. Ai nuk arriti të ketë kurrë as forcën politike, as forcën e fjalës propaganduese, as forcën e pushtetit. Tipin e shpirtit të robit, të krijuar nën shtypjen greke, e luftuan dhe e bënë të pafuqishëm, në radhë të parë, shqiptarët ortodoksë, kurse tipin e shpirtit të robit të krijuar nën shtypjen serbe e malazeze, e luftuan dhe e bënë të pafuqishëm, në radhë të parë, shqiptarët katolikë.

Tip i një shpirtit të robit të fuqishëm, të gjallë, të përkrahur, të stimuluar gjithnjë, tipi i forcës politike, i shkrimtarisë e fjalës propaganduese dhe i pushtetit, është shpirti i robit të krijuar nën ndikimin e sundimit osman. Tipin e tillë të shpirtit të robit, nga radhët e shqiptarëve, e bëri sundimi i egër e i gjatë osman. Dihet, se për pesë e më tepër shekuj të sundimit të tyre, osmanët, përmes sundimit të tyre të egër, në mënyrë të planifikuar, u përpoqën për ndryshimin e karakterit të shqiptarëve, duke i sjellë dëme të konsiderueshme qenies shqiptare. Rrëmbimi i fëmijëve shqiptarë dhe formimi i tyre për nevojat e pushtetit osman, shtypja e rëndë sociale, shkatërrimi dhe ndalimi i zhvillimit të kulturës shqiptare, ndalimi i arsimit shqiptar, gradimi, avancimi në pozita shtetërore dhe shpërblimi material i shqiptarëve kombmohues e shpirtshitur, hapja e shkollave turke dhe i shkollave të tjera joshqiptare, shfrytëzimi, veçanërisht, i fesë së pushtuesit si mjet të përpunimit ideologjik të shqiptarëve etj., shkaktoi krijimin e një shtrese mikste shqiptaro-turke, që nuk do të njohë kombin as atdheun e vet të origjinës, që do ta konsiderojë veten me identitet e përkatësi turke dhe që atdhe të vetin do ta konsiderojë Turqinë, që do të luftojë për interesat turke e kundër shqiptarëve e Shqipërisë, që do të lërë pas trashëgimtarët e përhershëm të shpirtit të tjetërsuar etj.

EkoHigjiena

Tipi i një shpirti të tillë të robit, gjithnjë ka qenë dhe do të jetë i gjykuar nga shpirti i natyrës dhe idealit të vërtetë njerëzor e kombëtar. Sepse nga natyra njerëzore e kombëtare nuk është pranuar, as pranohet kurrë si vepër e denjë njerëzore të dalësh në anën e së keqes, në anën e pushtuesit e të robërisë, dhe kundër së mirës, kundër kombit tënd e njerëzimit. Por, përderisa kurrë një njeri dhe një pjesëtar i denjë i një kombi nuk del të mbajë anën e një tipi që ka tradhtuar natyrën dhe idealet njerëzore e kombëtare, në anën e tij del tipi i ngjashëm me të – kopja besnike e shpirtit të tjetërsuar. Ai, edhe në folklorin, në shkrimtarinë e propagandën e tij, duke shtjelluar me përkushtim filozofinë e pushtuesit (i cili, me gjithë shkretërimin e mjerimin e Shqipërisë, na hiqet si mik, që na “çliroi” nga robëria dhe i cili na “mbrojti” e “shpëtoi” nga robëria e të tjerëve!), lartëson meritat e jashtëzakonshme të shpirtit të robit, i cili paska arritur të jetë edhe në majat e pushtetit të pushtuesit, i cili paska treguar trimëri në luftëra pushtuese dhe nënshtrimin e popujve të ndryshëm, i cili paska formuar edhe shtete te pavarura të të tjerëve, i cili paska ndërtuar ndërtesa monumentale, i cili paska krijuar vepra të ndryshme të kulturës e, madje, deri edhe himnin e pushtuesit etj., etj.! Shpirti i mjerë i robit nuk mund të mos e trashëgojë e të mos jetë i lidhur me shpirtin e robit paraardhës dhe të mos e marrë atë për model e ideal të tij.

Prandaj, edhe sot, si edhe gjithnjë më parë, shpirti i vërtetë i robit, nuk mund të mos e quajë “vëlla” ish-pushtuesin e shqiptarit dhe trashëgimtarin e lakmitarin e sotëm të tij, nuk mund të mos e quajë robërinë e egër të dikurshme të shqiptarëve “bashkëjetesë”, nuk mund të mos i thotë strategji shqiptare strategjisë së trashëgimtarit të pushtuesit të djeshëm, i cili, përbrenda vendit të vet shkel të drejtat njerëzore e kombëtare të shtetasve të vet, kurse përjashta synon krijimin e perandorisë neo-otomane dhe nënshtrimin e popujve e edhe të shqiptarëve. Ai duartroket, duartroket dhe mbahet krenar, kur trashëgimtari i pushtuesit të djeshëm vendin shqiptar e konsideron të vetin dhe e quan me emrin e vendit të vet! Ky shpirti i robit të sotëm, trashëgimtar i robit të djeshëm turk, në vend të Shqipërisë e kombit shqiptar dhe interesave të tyre, sheh e ëndërron veten në kuadër të një perandorie, si një kryevezir, një pasha…, duke robëruar e shkatërruar të tjerët e edhe vetë vendin dhe popullin e origjinës së tij! Për një “ideal” të tillë, për fatkeqësinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, ai angazhohet me tërë qenien e tij edhe nga majat e pushtetit shqiptar ku ka hipur!

/Nuhi ISMAJLI/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.