(Përshtypje nga dorëshkrimi “Jam përmirësuar dukshëm” i poetit Blerim Misini – cigareshitës në Gjilan)
Nga Hysen KËQIKU
Hyrje
Në këtë shekullin tonë të ri, të cilit ia hëngrëm 16 vjet, ende vazhdon vërshima e veprave me poezi. Shkruan ai që nuk ka prirje shkruan edhe ai që me vështirësi të mëdha dëshiron t’ia vej vetes një epitet të pamerituar – poet. Janë shumë të rrallë poetët e mirëfilltë që delli i tyre poetik shkrihet në varg, strofë e poezi. Ata janë vlera e fshehur sikur yjet prapa reve. Dhe, në këtë katrahurë bëhet shumë zhurmë në emër të vlerave, në emër të prirjeve si dhe në emrë të përvojave. Në këtë fushë arti, hasim emra të shumtë që e nëpërkëmbin poezinë si mbretërshë të arteve në përgjithësi.
Nuk ka shkollë ku shkohet për të mësuar të shkruash poezi. Në letërsinë popullore kemi krijime që shërbejnë si shembulli më i mirë se si përpunohen dhe përdoren figurat poetike. Artistët më të mëdhenj kanë dalur nga mesi i popullit, nga shtresat e varfëra dhe të margjinalizuara shumë prej tyre edhe të pashkolluar. Ata poezinë – vargun popullor, e kanë shfrytëzuar dhe e kanë krijuar si një nevojë shpirtërore për ta ngushëlluar veten dhe për t’i dhënë vetes optimizëm se e keqja e ka fundin afër, ose si mjet për ta luftuar të keqen e cila si një ogure shtrihej e shtrihet mbi relievin e rrahur e të nëpërkëmbur.
Veprat e mira janë si yjet që në mesin e milionave të tjerë, shquhen me dritën e tyre magjike.
Veçim
Kësaj here, pa ndonjë hamendje dhe luhatje po e veçoj një vepër në dorëshkrim të një njeriu modest e bredharak rrugëve të Gjilanit duke shitur cigare dhe mbushje telefonike me të vetmin qëllim se atë e ka burim për ta mbajtur familjen e tij.
Autori i këtij dorëshkrimi është Blerim Misini, i cili në vitin 2014 botoi një libër me poezi me titull “Nuk shkon veç mirë”, titull optimist sepse jeta është vënë në një rrafsh të tillë, ku është dhënë mundësia e krijimeve të antonimeve se ka mirë e keq, ka drejt dhe shtrembër, ka ëmbël po edhe idhët etj. Ky libër u prit mirë përkundër asaj se shumë lexues japin vlerësime fare pa e lexuar librin. Ç’është më keq nga ata që iu frikësohen vlerave të veta i nënçmojnë me fjalët që mëkat është të mendohen e jo të thuhen, të atyre që me librat e tyre nën sqetull e me fotografi të kthyera nga vështruesit, dalin, here-herë duke bërë zhurmë se ai apo ata janë më të mirët, si ata s’ka të tjerë etj., etj.
Fatmirësisht më ra në dorë ky dorëshkrim i mrekullueshëm i Blerim Misinit përkatësisht i cigareshitësit, të cilin tash e njofim edhe si poet, me një dell të shkëlqyeshëm poetik, i cili duke ecur me shpresë se sot do të fitoj më shumë cent, për ta begatuar tryezën e familjes, tek e fundit me bukë e kripë, përkaktësisht i librit të dytë të titulluar “Jam përmirësuar dukshëm” -vepër e cila na vë në binarët e veprës së parë se përkundër të vërtetës reale e sheh veten mirë, se është përmirësuar dukshëm në realitetin ndoshta të imagjinuar ( se:treni i tij ec nëpër të njëjtit binarë të jetës), po megjithatë Blerimi është një shembull i mire, i cili në saje të vlerave të shtrira në libër, ka bërë shumë miq e adhurues, kuptohet nga ata që japin vlerësime pasi ta kenë lexuar veprën.
Gjithnjë në fatin e tij
Blerimi është nga ata që asesi nuk largohet as nga fati i tij as nga realitet fizik, shpirtëror dhe ekonomik. Këtë e ka pjesë të veten që e ruan dhe e kultivon duke e mjaltuar e latuar pa ndonjë patos ose pa ndonjë teprim e ekzagjerim. Nuk është ekzotik apo shtirak, po një realist i talentuar që ec i sigurtë në rrugën që ia imponon motivi apo inspirimi, me çantën e tij, në një anë cigaret e në anën tjetër librin i tij./” Jam cigarexhiu i nëmur, Sa herë zgjohem në mëngjes me shpresë, A mos po fitoj ndonjë euro më tepër se dje? A mos po shes ndonjë mbushje më tepër? Për t’i blerë diçka të mijve në shtëpi”/.
Ai duke ecur: vëren, sheh dhe mban në mend. Të gjitha ato mbamendje grumbullohen deri sa një ditë i qet në letër në mënyrën e vet në varg, në strofë e në poezi që assesi nuk mund të mos jenë vargje poetike dhe figurative. Motivet e trajtuara në veprën “Jam përëmirësuar dukshëm” janë të shumëta, të ndryshme, aktuale, reale dhe për fat të keq, shumë prej tyre trajtojnë veprimet devijante.
Në këtë vepër hasim në problem intime që ndodhin në “skenat” tona kafiteri që nëpërkëmbin vlerat morale, njerëzore e shumë prej tyre kombëtare siç është besa e dhënë, humbja e sinqeritetit dhe e vlerave sublime njerëzore. Autori i njef të gjithë ata që bredhin rrugëve për të kërkuar punë e për ta fituar një cent për ekzistencë por edhe sish që një cent e harxhojnë vend e pa vend edhe aty ku e investojnë pa e ditur se e humbë por edhe me shpresën që do të fitojë: /Letra që të mashtron, Të mashtroi për të qindën here, Kinse po fiton e nuk fitove kurrë, Po humb një nga një dita-ditës, E fëmijët e gruaja jote rrezikohen për ushqim. Përkundër kësaj Blerimi has edhe në shtresën tjetër që vie në kundërshtim me shtresën sociale, ata të begatshmit që shtrijnë tryezë të pasur para syve të të uriturve dhe pa fije keqardhjeje bile mbahen në të madh.
Autori nuk i harron ata që dhanë më të shtrenjtën për liri. Motivi i tij ndalet në Reçak, tek vepra e Jusuf Gërvallës, Bardhoshit e kadri Zekës, tek më i madhi i kombit Skënderbeu, Adem Jashari, Ismail Qemajli, tek Vlora e Pavarësisë e shumë të tjerë.
Me poezitë përkushtimore, kushtuar këtyre martirëve të lirisë e të dinjitetit kombëtar, Blerimi shpreh një gradacion të rritjes krenare të vlerave që popullin shqiptarë e bënë me territor gjeografik, me histori dhe krenari kombëtare: /”Kur shkojmë në Vlorë, Zemra na mbushet me ndjenja patriotike, Qysh kemi mësuar në shkollë si fëmijë, Kur shkojmë në Vlorë, E prekim vendin që të jep ndjenja nga e kaluara”/.
Brenga e shprehur
“Nuk jam i kënaquar që shes cigare sepse e di që shes nikotinë që ua nxin mushkëritë qytetarëve të mi, po e kam domosdoshmëri, egzistencë dhe gjallënim”, shprehet Blerimi shumë i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm. -Po kur e sherbej atë më kthehet me faleminderim bile më pyet “Si po shkon shitja e librit!… Unë herë-herë i rrudhi krahët dhe nuk mund të jep përgjigje sepse leximit iu ka bërë sëmundje “fb-ja, “esemesat”, përkatësisht telefoni, internet etj.
Përfundim
Në këtë dorëshkrim, i cili më pëlqeu dhe dëshiroj që të gjenden mundësitë për botimin e tij, hasa në poezi, të cilat tejkalojnë vlera dhe meritojnë të futen edhe në antologji. Po i përmendi disa sish: “Cigarexhiu”, “Qyteti im i djerësitur”, “Karrocë-transportuesi”, “Loti për fshatin e braktisur”, “Ku mbeti krimineli i luftës” e ndonjë tjetër.
Në këto poezi është spikatur shpirti krijues i Blerimit, me vargje të shprehura me një stil të lakmueshëm, me një gjuhë të spikaktur, me figura të zgjedhura dhe të stolislura me shembuj poetik e të mjaltuara me kënaqësi që lexuesin e lënë me mbresë e cila e thërret për të lexuar edhe ndonjëherë tjetër. /2L ONLINE/